Flora Toto, parashutistja e parë femër: “Si shpërblim kemi marrë vetëm kartonë”

Nov 6, 2011 | 13:54
Flora Toto, duke folur për “Unë Gruaja” Foto: VLASOV SULAJ

Flet parashutistja e parë femër shqiptare. Emocionet e hedhjes nga 1000 metra lartësi deri te zbritja në tokë. Përfaqësuesja e klubit prej katër vajzash, që tërhoqi vëmendjen e Enver Hoxhës dhe pushtetarëve të kohës gjatë paradës së 1 Majit 1968. Trajnimi për shumë kohë nga adjutanti i Mehmet Shehut, Ali Çene. Porosia e veçantë e Nexhmije Hoxhës për prezantimin mediatik të katër heroinave parashutiste, që nuk njohën frikën e rrezikun e humbjes së jetës deri te “përcjellja” që Kryeministri Mehmet Shehu i bëri nga zyra e tij.

Nëse ke një ëndërr, lufto gjithë jetën për ta bërë atë realitet! E shprehur kësisoj, tingëllon si një frazë tipike klishe. Por, në rastin e Flora Totos, përpjekja për të prekur ëndrrën shkon përtej normales. Gati prek kufijtë e imagjinatës, ndërsa rrit dozat e rrezikut që jetojnë aty pranë me protagonisten. Ajo është njohur si e para femër parashutiste shqiptare që theu tabutë, duke u renditur përkrah meshkujve me nismën e saj të “çmendur”. Hedhja nga 1000 metra lartësi kaloi jo pa vëmendjen e sportistëve dhe pushtetarëve të kohës. Një nismë jo fort normale për një femër, që bashkë me tri të tjera krijuan klubin e vetëm të femrave parashutiste. Emocionet e vërteta, çastet kur ndjeu rrezikun, ecuria dritëshkurtër e sportit të parashutizmit për gjininë femërore, me gjithë nismën individuale të Florës gjë për të cilën ajo identifikohet dhe jeta e 65-vjeçares në pension, me pengjet e mosvlerësimit real të eksperiencës së gjatë plot tituj sportivë.
Çfarë ju shtyu drejt parashutizmit?
Pasionet e gjithë jetës sime kanë qenë të rrotulluara drejt sportit, madje një dëshirë e hershme imja ka qenë të bërit pilote. Duke qenë se nuk ia arrija dot qëllimit, ngase nuk kishte shkollë aviacioni për femra, të paktën vendosa që të gjeja një zhanër sportiv që i përafrohej lartësive… Kështu ishte iniciativa ime, krijimi i një klubi me femra parashutiste në vitin 1968, ndonëse kjo ishte një ngjarje jetëshkurtër në historinë e sportit shqiptar.
Duket pak si e pamundur për atë kohë…

Flora në momentin e zbritjes në tokë pas hedhjes së parë me parashutë

Duke qenë pedagoge e parë e Institutit të Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” (I.L.K.F), mora iniciativën që me një grup vajzash të diskutonim me repartin ushtarak në lidhje me parashutizmin. Instituti e vlerësoi si një ide të mirë, dhe me shumë vështirësi u bë realitet kjo gjë. Kurrë më parë nuk ishte menduar që mund të kishte edhe femra që hidheshin me parashutë. Deri në atë kohë, kësi stërvitjesh bëheshin vetëm në ushtri, në reparte speciale për qëllimet specifike të ushtrisë. U bëmë një grup vajzash Polikseni Gorishti, Drane Cara nga Mirdita, Vezire Meta, një vajzë nga Gramshi, dhe vetëm ne të katërta rezistuam, sepse plotësonim kushtet për t’u hedhur me parashutë. Më pas na u bashkëngjitën dhe pesë djem.
Megjithatë, sot njiheni si parashutistja e parë femër shqiptare…
Unë u hodha e para në hapësirë. Isha e para për dy arsye: sepse kisha peshën fizike më të rëndë, një kusht i nevojshëm ky në radhën e hedhjes me parashutë dhe për faktin se isha pedagoge e tyre e duhej të jepja shembullin tim personal…
Si ishte kjo eksperiencë e parë?
Isha 22 vjeçe atëherë. Pas përfundimit të fakultetit, për shkak të rezultateve të larta më mbajtën pedagoge në institut. Atë ditë që do të hidhesha me parashutë, ndieja emocion të përzier me frikë. Pyesja veten nëse do të mund ta realizonim si duhet hedhjen, a do të hapej parashuta, po sikur të frynte një erë që të më zhvendoste në një vend tjetër? Ishin shumë pyetje në kokë. Mbaj mend që ishte një helikopter ushtarak, lartësia ishte 1000 metra mbi nivelin e detit dhe vendi i rënies do të ishte fusha e vjetër e aviacionit. Pas 12 ditëve ushtrimesh përgatitore, atë ditë bëmë herët në mëngjes matjet fizike të tensionit e gjithë parametrave të tjerë dhe, duke qenë se rezultuam në rregull, kur hipëm në avion, sikur të gjithë emocionet i zhduku njeri me dorë.
Kush ishte trajneri juaj?

Duke u përqafuar me nënën në momentin e zbritjes në tokë

Personi që na shoqëronte, e që ishte trajneri me të cilin kishim zhvilluar më shumë stërvitje ishte Ali Çeno, adjutant i Mehmet Shehut. Atë ditë, ai u hodh i pari për të na hequr frikën dhe emocionet. U ndjemë më të sigurt me praninë e tij, sepse rreziku në çdo kohë ishte pranë nesh, në mënyrë të pamohueshme.
Po familja ç’thoshte për këtë pasion tuajin?
As që bëhej fjalë që t’i tregoja familjes për këtë nismë timen. Një natë më parë u kisha kërkuar të flija në konviktin e Institutit të Fizkulturës, me justifikimin se të nesërmen në mëngjes do të shkonim në një aktivitet që pa gdhirë. Rastësisht, im atë mëson në radhën e qumështit se një grup vajzash atë ditë do të hidheshin me parashutë dhe do të organizohej festë në institut. E kishte kuptuar hilenë time, dhe menjëherë kishte shkuar në shtëpi për të lajmëruar mamanë. Ajo vjen në institut, ndërkohë unë kisha veshur kostumin e parashutistes dhe duke qarë nuk u besonte syve për atë që po ndodhte. Për mua nuk kishte më kthim pas. Mamaja më kishte ndjekur me sy gjatë gjithë hedhjes.
Cili do të ishte aktiviteti i këtij grupi më vonë?
Që përpjekja ime të mos mbetej vetëm në kuadër të një nisme personale, doja me çdo kusht që në ditën ndërkombëtare të parashutizmit, 24 prilli, të bënim një hedhje që të mbetej në histori. Dhe e realizova së bashku me tri shoqet e tjera. Morëm përgëzimet dhe urimet e gjithë të pranishmëve aty. Disa ditë më pas, në 1 Maj të vitit 1968 organizohej parada e famshme e 1 Majit. Dhe ne katër vajzat e veshura si parashutiste, parakaluam para udhëheqjes. Atëherë, e gjithë udhëheqja në tribunë me në krye Enver Hoxhën, u kishte tërhequr vëmendje prania jonë dhe kishin pyetur se cilat ishim ne katër vajzat që parakaluam menjëherë pas flamurit kombëtar. Ata mësuan që ishim parashutistet femra shqiptare.
Pati ndonjë reagim prej pushtetarëve?
Dy ditë pas festës kombëtare, vjen Xhevahir Spahiu që punonte gazetar për “Zërin e Popullit” dhe me urdhër të Nexhmije Hoxhës kërkonte të bënte një artikull për këtë ngjarje. Mori të gjitha të dhënat e nevojshme dhe të nesërmen shoh që si parashutisten e parë kishin vendosur vajzën mirditore, Drane Carën. Nuk e fsheha dot irritimin e mërzitjen dhe trokas në dyert e redaksisë për të mësuar motivin e këtij veprimi. Sipas shpjegimit që mora, kjo ishte bërë me qëllimin që të tregohej se edhe femra veriore ishte e emancipuar dhe me kësi prirjesh të veçanta. Ishte me urdhër të Partisë, për të nxjerrë në pah vajzën malësore.
Cila ishte një nga rregullat që nuk duhej shkelur kurrsesi?

(Djathtas) Flora Toto me tri shoqet e tjera parashutiste

Përveç pranisë së dy parashutave, ajo e pasmja dhe një e ashtuquajtur rezervë që ishte përpara trupit, një element tjetër shumë i rëndësishëm e për të cilin mbaje përgjegjësi deri edhe penale, ishte çështja e të palosurit në çantë të parashutës. Secili parashutën e vet duhet ta hapte komplet, ta paloste dhe paketonte brenda një çante. Mënyra e palosjes duhet të ishte e tillë, që në momentin e hapjes ajo nuk duhet të shfaqte asnjë problem apo rrezik për jetën. Nëse ajo mbetej e mbyllur, nuk diskutohej që pasojat dhe përgjegjësia ishin të paevitueshme. Secila çantë kishte një pasaportë, me emrin dhe mbiemrin e personit që do të hidhej, dhe në fund pas palosjes shkruhej firma, çka dëshmonte se mbanim përgjegjësi personale për këtë.
Por parashutizmi është vetëm një nga sportet që keni ushtruar, a i kishit kushtet nevojshme për t’u stërvitur?
Unë isha njëherësh edhe sekretare e federatës shqiptare të gjimnastikës dhe notit. Po ndaj një moment nga puna ime… Rreth viteve 70′ kishim nevojë për një pishinë ku të stërviteshin notarët gjatë dimrit. Garat normale i zhvillonim në det të hapur, ndërsa rezultatet në ujë të kripur nuk i njihte askush. Menduam që t’i kërkonim qeverisë së kohës një fond për të ndërtuar një pishinë të tillë dhe, bashkë me inxhinierin e institutit, trokasim në derën e kryeministrit Mehmet Shehu. Ndërkohë, kishim konstatuar se në oborrin e Teatrit Popullor ishte një pishinë e hapur, thuajse e gatshme, vetëm duhej sistemi i ngrohjes dhe mbulimi, e gjithçka në funksion të kushteve të mira stërvitore për notarët. Trokitëm në zyrën e kryeministrit, ai na priti dhe, pasi dëgjoi kërkesën tonë ku ne i propozuam një preventiv të gatshëm të të gjitha shpenzimeve, përgjigjja që morëm ishte: “Ikni, se sa të rri të bëj një pishinë për notarët, bëj një spital dhe shëroj të sëmurët”. Me gjithë këmbënguljen tonë, u larguam pa asnjë mbështetje.
Ç’ju ka mbetur peng nga ajo kohë?
Nuk realizuam dot dëshirat që kishim si sportistë të kualifikuar. Doja të bëhesha pilote dhe nuk munda për hir të kushteve dhe mungesës së vëmendjes nga strukturat shtetërore. Mandej edhe parashutizmi u zhvillua në një kohë tepër të shkurtër. Edhe pse u bëra promotore e një ideje të re për përfshirjen e femrave në parashutizëm, gjithçka mbeti në kuadrin e një përpjekjeje dritëshkurtër. Nuk kam qenë e vlerësuar, qoftë edhe në aspektin monetar pas gjithë atyre titujve që kam marrë. Kam dalë gjashtë herë kampione e vendit në gjimnastikën artistike dhe vetëm kartonë merrja si shpërblim, asnjë privilegj tjetër.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura