Flet Xhervazoni, trukoi 3 ndeshje të Serisë A

Dec 28, 2011 | 14:04
Karlo Xhervazoni

Dje ka qenë një ditë e gjatë dhe e lodhshme për prokurorin Roberto di Martino, i cili ka marrë në pyetje për 6 orë me radhë mbrojtësin e Piaçencës, Karlo Xhervazonin. “I shtrydhur” nga ora 11 e paradites deri në 6 të pasdites (1 orë pushim për të drekuar), futbollisti 29-vjeçar ka vendosur të bashkëpunojë ashtu si shumica e 16 të arrestuarve të fundit në lidhje me zbardhjen e çështjes së trukimeve. Mbi sigurinë e trukimit, Xhervazoni është në dijeni të 3 ndeshjeve të Serisë A që janë trukuar, dy nga të cilat, siç theksojnë burimet e medias italiane, nxjerrin të përfshirë Lacion (Lacio-Xhenoa 4-2 në 14 maj 2011, Leçe-Lacio, së cilës nuk i dihet data, si dhe një tjetër, që me shumë mundësi përfshin sërish leçezët, por nuk është zbuluar ende nga media). Gjithsesi, futbollisti në fjalë ka vazhduar të theksojë se banda e “ciganëve” kishte lidhje të ngushta me persona brenda qendrës stërvitore të Lacios, aq sa në telefonat e disa prej të arrestuarave janë gjetur numra që njihen brenda kësaj strukture. Për më tepër, Xhervazoni ka theksuar se nga tri ndeshjet, dy rezultatet e Lacios kanë qenë të sakta, ndërsa ndeshja e tretë dështoi. I pyetur mbi numrin e futbollistëve që ai njeh se janë të përfshirë në këtë “biznes”, mbrojtësi i Piaçencës ka theksuar se njeh të paktën 20, mes të cilëve disa që luajnë në Serinë A, ku nuk mund të mungonte kapiteni i Atalantës, Kristiano Doni.

© Panorama.al

Te lidhura