
Kreu i PS: Pse u larguan Meksi dhe Seseri
“Kishim vendosur një orë zero, Islami theu vendimin duke sfiduar Grupin Parlamentar”
Kreu i PS-së, Edi Rama, në një intervistë në emisionin “Debat” në “Vizion Plus” me gazetarin Alfred Peza, foli për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm, për përjashtimin e Kastriot Islamit, por dhe për kritikat që i janë bërë librit të tij “Kurban”. Rama nuk e përjashtoi emrin e Nanos, por tha se opozita do të kërkojë një proces për zgjedhjen e një Presidenti konsensual.
Kohët e fundit ju përdorni internetin, Twitter dhe më pak komunikimin direkt me mediat. Përse?
Twitter është një nga rrugët e mundshme të komunikimit sot dhe e shoh si një nga mënyrat që vjen dhe zgjerohet dita-ditës. E shoh këtë edhe nga numri në rritje i atyre që regjistrohen në adresën time.
Pra projekti “Shqipëria dixhitale” e zotit Berisha po shkon me sukses?
Kjo është një çështje tjetër. Ajo çka ka ndodhur në aspektin e zhvillimit dixhital është më shumë pasioni apo prirja natyrale e shqiptarëve ndaj prirjeve të reja, sesa rezultat i një politike largpamëse apo projekti të qeverisë.
Në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar u përjashtua Kastriot Islami, ndërkohë që kjo gjë nuk u bë me Andis Harasanin që shkoi në Kuvend kur grupi ishte në bojkot, apo votimi i Fullanit nga Blushi dhe Malaj, apo në votimin e buxhetit të qeverisë kanë munguar 14 deputetë dhe nuk pati vendim për ata, edhe Gramoz Ruçi ka votuar kundër Kodit Detar, për të cilin ka pasur vendim grupi të votohej pro. Përse nuk u përjashtua Ruçi, por Kastriot Islami i shkretë…?
…I shkretë( qesh)! Të mos i ngatërrojmë gjërat. Është e vërtetë që në këta dy vjet që pararendën Kongresin e 5 nëntorit, PS ka jetuar me një anomali të brendshme dhe dëshira apo bindja ime dhe e të tjerëve në lidership ka qenë krijimi me durim dhe ringritja dalëngadalë e kushteve për rikompozimin shpirtëror të forcës sonë politike për ngjitjen e asaj frakture që u krijua në 2009. Pasi kjo frymë u shfaq në Kongresin e PS-së dhe pas atij votimi që u bë për Guvernatorin, grupi i PS-së vendosi pas një mbledhje shumë serioze me bindjen se është momenti për të filluar nga një orë zero dhe për të lënë pas këtë vijimësi jo normale. U ra dakord që këtu e mbrapa do të bindemi bashkërisht për domosdoshmërinë e një respekti ndaj vendimit të shumicës dhe dëgjimit me shumë respekt të çdo pakice. Kur është marrë ky vendim për të kundërvotuar kandidaturën e kryetarit të KLSH-së, është thënë se prania dhe vota kundër janë detyrim i çdo deputeti. I vetmi që e theu këtë vendim politik, pa asnjë arsye të justifikuar, është Kastriot Islami, i cili vendosi të largohet nga Grupi Parlamentar Socialist.
Ishte shkak apo sebep largimi i zotit Islami?
Edhe nëse ishte sebep, është një sebep që e krijoi vetë me vullnetin e tij të lirë. Unë do të them se Gjovalin Kadeli, deputeti i Lezhës, ishte pranë bashkëshortes në Itali në shtratin e spitalit, krejtësisht i justifikuar, por u kthye për të respektuar vendimin politik, jo thjesht formalisht për të respektuar Grupin Parlamentar, por edhe mandatin e tij e ata që e kanë votuar. Fidel Ylli ka sot e gjithë ditën një kurë për një operacion në shtyllën kurrizore që e detyron në regjim shtrati deri më 7 janar. Ai u ngrit nga krevati gjysmë ore para se të kurohej dhe erdhi në Kuvend që të votojë. Deputetja e Durrësit, Klodiana Spahiu, anuloi biletën e udhëtimit bashkë me bashkëshortin dhe djalin për një vizitë që kishin programuar jashtë shtetit. I anuloi të gjitha dhe erdhi për të votuar në Kuvend. Kush është Kastriot Islami që paska të drejtën të sfidojë të gjithë Grupin Parlamentar, duke u larguar nga salla pasi ishte aty në sallë. Nuk është askush më shumë se sa të gjithë deputetët e tjerë të grupit të PS-së. Ai që thyen një vendim të marrë nga të gjithë bashkë, nuk thyen thjesht një disiplinë formale, por fyen Grupin Parlamentar dhe mbi të gjitha,nuk nderon mandatin që ka marrë nga populli opozitar.
Pas dy vjetësh do ta ktheni Kastriotin, siç kthyet Paulin Sterkajn pasi votoi Presidentin Topi?
Ka gjithnjë një shans të dytë për këdo dhe cilido ia lejon ose jo vetes këtë mundësi për një shans të dytë.
Është fundi i Mendimit Ndryshe ky gabim që bëtë me Kasatriot Islamin?
Është realisht fyerje e inteligjencës së PS-së që mendimi ndryshe të identifikohet me Kastriot Islamin. Realisht mendoj se nuk ka vend për koment në këtë pikë.
Këshilli i të Urtëve ka zëra, siç është zoti Meidani që ka thënë se nuk është pyetur nga ju. Ju keni bërë dhe një polemikë me zotin Meidani, përse?
Nuk do ta quaja aspak polemikë. Unë kam shprehur një opinion dhe janë thjesht pjesë e natyrshme e të bashkëjetuarit në hapësirën e PS-së dhe është për t’u habitur se si dikush që ushqen në mënyrë të vazhdueshme debat dhe polemikë, reagon në mënyrë disproporcionale kur nga ana tjetër ka një opinion që nuk pajtohet për diçka me opinionin e tij. Unë nuk shoh asnjë polemikë, por një moment ku të gjithë duhet të qëndrojnë para se të propagandojnë bashkimin me LSI-në si çelësin magjik të fitores të së majtës, vlen të arsyetojmë se përse duhet të fitojë PS-ja dhe ky koalicion në zgjedhjet e ardhshme.
Folëm për zotin Islami, por në PS ka rrjedhje, është larguar zonja Meksi nga PS, flitet dhe për zotin Majko që mund të lerë mandatin për një detyrë të lartë..
…Nuk e kuptoj se si mund t’i përziejmë të gjitha këto me fjalën rrjedhje. Nëse Kastrioti ka rrjedhur, nuk bëhet fjalë për rrjedhje të forcave. Unë lus me gjithë zemër që të bëhet e mundur që Pandeli Majko të shkojë në OKB dhe të përfaqësojë Shqipërinë, si shqiptari i parë që ngjitet në hierarkinë më të lartë të OKB-së, ashtu sikundër në rastin e Ermelinda Meksit, s’bëhet fjalë për konceptin e rrjedhjeve të forcave nga PS.
Ka ikur me dëshirën e vet Ermelinda Meksi?
Absolutisht ka qenë një vendimmarrje e konsultuar me Ermelindën, së cilës ne të gjithë i jemi mirënjohës për çfarë ka bërë, por dhe për faktin që ajo ka marrë një përgjegjësi të veçantë në kushtet e sotme. Në rast se do të ishim në kushte të një normaliteti ekonomik dhe në rast se Banka e Shqipërisë do të ishte e pavarur dhe jo degë e partisë në pushtet, atëherë padyshim që mund të bënim një zgjedhje tjetër. Përderisa formula jonë për një dakordësi që në përbërjen e Bordit të Bankës së Shqipërisë, ku ne kërkuam të kishin 3 përfaqësues dhe ku propozuam që Bordi të ishte i zhveshur nga përkatësitë partiake, mbeti vetëm një vend për opozitën, atëherë ne e pamë të udhës që në këtë vend të çojmë një personalitet me shumë eksperiencë dhe me përgjegjshmëri të plotë politike për të qenë aty syri i opozitës. Pavarësisht se si eksperte e pavarur politikisht për të penguar një vijueshmëri perverse të politikës së BSH-së që ka humbur jo vetëm pavarësinë, por në mënyrë të rrezikshme është vënë në dispozicion të aventurave të politikës ekonomike dhe financiare të qeverisë.
Duhet të pranoni që me Rudina Seserin keni gabuar në përzgjedhje?
Do ta pranoja nëse do të kisha gabuar. Mendoj se Rudina Seseri ishte një personalitet që i kishte të gjitha atributet për t’u kthyer në një figurë të rëndësishme të PS-së. Fatkeqësisht, gjërat nuk shkuan ashtu siç dëshironim ne, siç dëshironte Rudina, që pati një sërë problemesh në një periudhë kohe që u zgjat realisht dhe krejt në një mirëkuptim, kur iu bë asaj e pamundur dhe na u bë ne e pamundur që të bashkëjetonin me qëndrimin larg të saj nga Parlamenti për arsyet e saj të justifikueshme dha dorëheqjen e saj me dinjitet dhe padyshim për gjithçka ajo bëri me praninë e saj në shtypin e shkruar lidhur me problemet ekonomike dhe shumë gatishmëri për të qenë në vijimësi konsulente e politikës sonë në fushën ku ajo ka një dijeni të posaçme, një ditë natyrshëm u ndamë në këtë segment kohe.
Zoti Rama, pse ndodhi shkrirja e Sekretariatit të Jashtëm?
Është thjesht çështje strukturimi dhe s’ka asnjë mister.
Po të ishte ky Sekretariat ndoshta nuk do të ndodhte ai gabim që u bë me ftesën që PS i dërgoi AAK-së në Kosovë për takim me zotin Haradinaj, kur të gjithë e dinë se ai ndodhet në Hagë?
Janë bërë të gjitha sqarimet publike. Është shprehur dhe vetë partia e zotit Haradinaj. Nuk dua të hyj në debat për një dokument që nuk ekziston, sepse nuk ka as vulë as firmë.
A ka dalë nga Partia Socialiste kjo kërkesë?
Pyesni Kastriotin për këtë!
Është thënë për “Kurban” se është një libër jo i sinqertë, një libër i Edi Ramës siç do të donte të ishte, por jo siç është në të vërtetë.
Këta janë brenda Edi Ramës dhe e dinë të vërtetën. Nuk i kam lexuar reagimet, as pozitivë dhe as negative. E di që ka pasur reagime dhe asistentja ime po i mbledh këto reagime dhe do të lexoj këto ditë pushimesh. Duke parë se kush reagon, pak a shumë shihet që reagimet negative vijnë ose nga kampi i pushtetit ose nga ata që duke ndenjur në kampin e pushtetit bëjnë rolin e opozitës pa harruar asnjëherë që pasi kritikojnë pushtetin një herë të kritikojnë dy herë opozitën.
Nuk besoj se Lubonja bën pjesë në këtë kategori?
Sa i takon Fatosit, Lubonjës edhe në këtë rast me çka ka shkruar, thashë nuk e kam lexuar në tërësi, por kam marrë informacione nga përmbledhja e këtyre informacioneve, ka vërtetuar që portreti im për të në libër është mjaft besnik.
Ai thotë se keni bërë një operacion plastik, si “një psikoterapi për humbjen e tij në Tiranë”?
Në rast se do të lexonit portretin që unë kam bërë me shumë dashuri në libër për Fatosin, besoj se ai portret i shkon shumë kjo fjalë.
Problemi që Lubonja trajton është me momentin e hyrjes suaj në politikë..
Se ku e ka problemin Fatosi është një libër më vete. Unë mendoj se një gjë mund ta them me siguri, meraku i madh që kam pasur në fund kur libri u bë libër dhe vendimmarrja për ta lexuar atë në dritë si libër ishte çështje e kryer, ka qenë që libri të mos jetë i mërzitshëm. Nga reagimet pozitive dhe negative dhe nga një skemë propagandistike e ndërtuar në aspektin e reagimeve negative, kam përshtypje se libri nuk ka mërzitur, sepse dhe ata që nuk e kanë dashur e kanë çuar deri në fund.
Në libër nuk e kam kuptuar përshkrimin që i bëni profesor Zhani Cikos. Përse kjo, ju ka mbetur diçka nga protesta e dikurshme e artistëve kur ishit ministër Kulture?
Absolutisht jo. Kam folur për rolin mjeran të një skote që i thonë vetes intelektualët shqiptarë që kanë marrë përsipër më shumë se një herë opozitës së këtij vendi edhe kur ka qenë në protestë, në grevë urie duke shkruar peticione. Histori të tilla që janë të ngjashme me ato solidarizime intelektualësh në kohën e Partisë së Punës për goditjen e grupeve armiqësore. Nëse sot këto lloj solidarizimesh dhe denoncimesh nuk përfundojnë ashtu siç përfundonin me gjyqe e dëshmitarë të zellshëm si Zhani Ciko, kjo nuk do të thotë se këto janë më të falshme apo më të tolerueshme moralisht se ato. Sepse nëse atëherë Zhani Ciko dhe kushdo tjetër kishte të gjithë të drejtën të thoshte unë nuk jam hero, unë jam një njeri i zakonshëm, dhe nuk mund t’i hiqje dot lepurin e frikës që mbante në bark për shkak se diktatura ishte një egërsi, sot gjëra të tilla nuk kanë asnjë justifikim dhe janë ku e ku më të ulëta dhe më të neveritshme. Marrja e shembujve është thjeshtë ilustrim i një fenomeni se si njerëz që kanë dije dhe kulturë, që kur janë jashtë kamerave dhe syrit të atij nga varen, thonë se nuk kemi çfarë të bëjmë. Unë e neveris këtë skotë që i thotë vetes intelektualët.
Zoti Rama ka një shprehje të dëshirës për të kandiduar për President Republike në 2012 nga zoti Fatos Nano. A përputhet axhenda e Partisë Socialiste me axhendën e Fatos Nanos?
Tani besoj që kjo është një çështje shumë serioze dhe për këtë nuk mund të flitet veçse seriozisht. Këtu nuk është fjalë për një emër apo një emër tjetër. Këtu bëhet fjalë për një proces që në këndvështrimin tim duhet të jetë vendimtar për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe për cilësinë që institucioni do të ketë në raport me të gjitha detyrimet e veta kushtetuese. Dhe në këto kushte është e udhës që në radhë të parë ne po përpiqeni të ndërtojmë një proces. Kushtetuta e Republikës dhe pse e ndryshuar, parasheh një zgjedhje konsensuale të paktën për tre raundet e para. Unë besoj se fryma e kushtetutës është kjo dhe nuk është vendi për të kërcitur dhëmbët e për të thënë siç kam dëgjuar Saliun që Presidenti do të jetë politik dhe një nga figurat kryesore të PD, sepse këtu bëhet fjalë për diçka shumë më e madhe se sa axhenda personale e Saliut se sa axhenda e politikave të PD apo axhenda e PS apo çdo axhendë tjetër personale. Kështu që na takon se në radhë të parë të shohim interesin kombëtar që sot është i njehsuar me interesin për ta parë vendin anëtar të BE-së. Kjo na kërkon të thellojmë reformat e nisura dhe të japim shembullin e fortë të një maturie dhe stabiliteti politik dhe institucional dhe duke rendur pas një zgjidhje që nuk është zgjidhje por duke u përpjekur të ndërtojmë një dialog politik për këtë çështje. Është një çështje që kërkon një qasje sa më pranë synimit për të përputhur interesin kombëtar, rrugën europiane të Shqipërisë me zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Nga ana jonë ne s’do të hyjmë në asnjë lloj debati emrash të përveçëm, do të propozojmë një proces. Jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në këtë proces pa kërkuar të imponojmë asnjë lloj kandidature, por duke synuar të gjejmë dakortësinë për një kandidaturë që të mos e katandisë institucionin e Presidentit në degë të PD apo në një zgjatim të pushtetit politik të partisë shtet sot në Shqipëri.
Pra po thoni se jeni gati për gjetjen e një kandidati konsensual mes dy palëve?
Jemi besoj arsyeja dhe rruga e arsyes kërkon zgjidhje që të japë një president mbi palët, një president i cili të jetë garant i kushtetutës dhe të kryejë funksionet e tij kushtetuese në varësi të plotë nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ.
Nëse PD jep konsensusin, ju do të votonit për Fatos Nanon?
E thashë kjo është një histori e hapur mbrapsht dhe para kohe. Sigurisht përbën një ushqim të shijshëm për mediat, por as sot dhe as nesër nuk mund të ndihmojë në përgatitjen e këtij ushqimi. Ne kërkojmë një proces dhe në këtë proces nuk kemi asnjë paragjykim dhe nuk duam të imponojmë asgjë sa i takon personit.
ALFRED PEZA
© Panorama.al











