Flet deputetja e PD: I organizonin Noka e Olldashi. Doda: Sheshet e protestave të “Mjaft” i mbushnin militantët e PD

Dec 6, 2011 | 12:34

Mesila Doda

Deputetja e Partisë Demok-ratike, Mesila Doda, ka qenë një nga ish-pjesëtaret aktive në protestat e organizuara nga lëvizja “Mjaft” për rrëzimin e ish-kryeministrit Fatos Nano. E kontaktuar nga gazeta “Panorama” ajo thotë se faktin që sheshet e protestës së kësaj lëvizjeje i ka mbushur PD-ja e tregojnë pamjet që në këto tubime kishte qytetarë që ngrinin dy gishtat lart. “Mjaft ka qenë një lëvizje shoqërore, e cila në atë kohë ishte e drejtuar kundër regjimit të kohës. Ne kemi qenë të gjithë pjesëtarë dhe e kemi përkrahur kauzën kundër pushtetit të asaj kohe. Fakti që ka qenë e përkrahur nga Partia Demokratike ka qenë një fakt i mirënjohur. Mitingjet e para kanë qenë me njerëz që ngrinin dy gishtat lart dhe ishin pastaj njerëz të organizimit të PD-së, si Flamur Noka dhe Sokol Olldashi, të cilët kishin si porosi që të mos mbanin shenjat partiake”, tha deputetja e demokratëve në një prononcim për gazetën. Sipas saj, në atë kohë opozitarizmin e drejtonte pikërisht Partia Demokratike. “Ka pasur lektorë që flisnin, persona të shoqërisë civile, persona që ishin më të futur në sensin partiak. Dihet nga të gjithë fakti që ka pasur një opozitarizëm të thellë nga ana e lëvizjes ‘Mjaft’ gjatë asaj kohe, një opozitarizëm që përkonte me sensin që PD-ja kishte kundër qeverisë së Fatos Nanos dhe që është mbështetur nga ana e Partisë Demokratike. Ajo ka qenë lëvizje e shënuar fort nga opozitarizmi dhe që në atë kohë opozitarizmi ishte i drejtuar nga Partia Demokratike. Sa për sheshet dihet që i ka mbushur PD-ja. Ato kanë qenë forca të reja, nëse dikush mendon akoma se mund të mbushë sheshet, e ka parë më vonë kur kanë dashur të bëjnë ndonjë gjë”, theksoi Doda. Ajo iu përgjigj edhe deklaratave të Erion Veliajt, sipas të cilit nuk ka pasur aktivistë të PD-së në ato mitingje. “Në aktivitet që ai bënte vetë, si ato me letrat higjienike, kishte vetëm 30 veta gjithsej”, thotë Doda. Madje ajo kujton një rast kur në një protestë u ngjit në podium për të folur Mustafa Nano dhe pasi ai kritikoi Fatos Nanon dhe Sali Berishën, të gjithë mbështetësit e PD-së nisën të bëjnë zhurmuesin, pikërisht prej faktit se u kritikua drejtuesi i demokratëve.
Një ditë më parë ishte Kryeministri Sali Berisha që deklaroi se ka bashkëpunuar me Edi Ramën për të rrëzuar Fatos Nanon. Sipas tij, të gjitha mitingjet e organizuara nga lëvizja “Mjaft”, e cila në atë kohë drejtohej nga Erion Veliaj, në fakt mbështeteshin nga njerëzit e PD-së. “Pra, ky njeri (Nano) e solli nga Parisi, e bëri ministër, e propozoi për kryetar Bashkie dhe në fund ai punoi së bashku me mua për rrëzimin e tij, se sheshet e Mjaft-it i mbushte PD-ja. Duhet ta shohësh të vërtetën siç është, në sy, sepse këtë e dinë të gjithë. E rrëzova dhe çfarë bëri ai? I ofroi postin e kryetarit të partisë dhe iku, por edhe mund të mos ikte”, u shpreh Berisha gjatë një aktiviteti në Durrës.

Harasani: PD mbushte sheshet e “Mjaft”
Deputeti socialist, Andis Harasani, tha dje se Partia Demokratike mbushte sheshet e protestave të Mjaft-it kundër qeverisë socialiste në 2004-n. Në adresën e tij në Facebook, deputeti i Tiranës shprehet se këtë gjë e dinë të gjithë socialistët. “Nuk besoj që ka socialist (nga ata që kanë qenë para 2005-s) që nuk e di që sheshet e Shqipërisë në çdo lëvizje e protestë të ish-Mjaft-it i mbushte PD-ja. Do të ishte e pamoralshme të harrohej kjo”, shprehet Harasani në adresën e tij të rrjetit social. Kjo deklaratë e Harasanit u pasua nga dhjetëra komente në statusin e tij, në mbështetje të kësaj ideje. Një nga miqtë e tij i kujton Harasanit se njeh lokalet ku Mjaft-i takohej me eksponentë të PD-së kundër qeverisë socialiste. “Sigurisht që i dimë restorantet, kafet e shumë të tjera. Ka disa ministra të PD-së sot që punonin
ngushtë me Mjaft-in e atëhershëm. Do ua kërkoj publikisht të dalin e të flasin”, shprehet Harasani.

© Panorama.al

Te lidhura