
Të gjithë futbollistëve të Flamurtarit pa përjashtim u përfundon kontrata më 30 maj, pra në fundin e këtij muaji. Këtë e kanë pohuar edhe vetë drejtues të klubit, por dhe vetë lojtarët, të cilët në fillim të këtij sezoni kanë firmosur kontrata deri në fundin e këtij muaji. Kjo do të thotë ndryshe që përpara fazës përgatitore, që pritet të startojë më 6 qershor, të gjithë futbollistët e Flamurtarit duhet të kenë firmosur edhe kontratat e reja, ku akoma nuk dihet, nëse këto kontrata do të jenë vetëm për ndeshjet e Champions League, apo do të jenë së bashku edhe për sezonin e ardhshëm. Sipas burimeve pranë presidencës vlonjate, presidenti Shpëtim Gjika, është i gatshëm të firmosë me të gjithë lojtarët që ka pasur këtë sezon, përveç ndonjërit që nuk ka marrë pëlqimin e trajnerit Magani. Dhe duke filluar pas të hënës së ardhshme, të gjithë lojtarët janë gati të firmosin kontratat e reja, që do të jenë sërish njëvjeçare, ku pa dyshim që do të përfshihen edhe ndeshjet e Champions-it. Kryebashkiaku Gjika ka premtuar edhe 3-4 afrime të tjera cilësore, veçanërisht për ndeshjet e Championsit.
Trajneri Magani: Skënderbe të pret goleada në Vlorë!
Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani “fton në duel” homologun te Skënderbeu, Shpëtim Duron. Tekniku peqinas e ka paralajmëruar se në Vlorë ka për të pësuar humbjen më të thellë dhe më të dhimbshme në karrierën e tij si trajner. “Ndeshja e fundit që do të kemi ndaj ekipit të Skënderbeut për mua konsiderohet si një mundësi e mirë për të vërtetuar se kush skuadër di të luaj më mirë. Por, jam plotësisht i bindur se edhe vetë Duro si një specialist i mirëfilltë i futbollit e ka kuptuar se Skënderbeu i tij s’ka asnjë shans ndaj Flamurtarit. Edhe në rast se ne do të luajmë me formacionin e dytë dhe ata vinë me 11-shen e tyre më të mirë, nuk ka për t’i shpëtuar dot goleadës. Megjithatë, kjo ndeshje do të ishte për mua si trajner një sfidë, për të vërtetuar edhe njëherë tjetër se kolegu im, Duro, nuk e njeh Flamurtarin, dhe se në Vlorë e pret një humbje me pesë shifra”, ka pohuar Magani.











