Flamurtari interesohet për dy lojtarë të Skënderbeut. Lajmi konfirmohet për “Panorama” nga burime të sigurta pranë klubit kuqezi. Bëhet fjalë për mesfushorin argjentinas, Rafael Soza, si dhe mbrojtësin tiranas, Endri Vrapi. Nëse më parë nga kampi korçar vinin sinjale për interesim të Skënderbeut ndaj lojtarëve vlonjat, Daniel Xhafa dhe Bledar Devolli, këtë herë është klubi kuqezi që ka vënë në shënjestër dy titullarë të skuadrës rivale. Soza dhe Vrapi shihen si alternativa të mira për të mbuluar boshllëqet që mund të hapen tek Flamurtari. Edhe pse presidenti Shpëtim Gjika ka garantuar se boshti i skuadrës do të ruhet, përsëri largimet duket se janë të pashmangshme. Kështu, mesfushori Zeqiri është e sigurt që do të largohet. Nga ana tjetër, edhe mbrojtësi Veliu me mesfushorin Roshi mund të lëvizin për një klub jashtë Shqipërisë, teksa kërkesat ndaj tyre nuk kanë munguar. Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se e reja në fokusin e drejtuesve vlonjat është mbrojtësi Vrapi, pasi argjentinasi Soza, ka qenë në planet e Flamurtarit edhe në sezonin e ardhshëm. Por, lojtari nuk e pranoi ofertën e vlonjatëve, duke zgjedhur më pas Skënderbeun. Soza, është shprehur se e pëlqen një aventurë tek Flamurtari, për më tepër që edhe klima në qytetin bregdetar është favorizuese për të.











