Flamurtari merr masat, lojtarët fikin celularët

Jul 14, 2011 | 12:52

Urdhri është i qartë: të gjithë telefonat e futbollistëve do të fiken dhe do të mblidhen nga drejtuesit e Flamurtarit. Asnjë lojtar nuk ka të drejtë të mbajë hapur celularin e tij dhe të komunikojë me të. Në rast të një telefonate familjare, futbollistët e kanë bërë duke pasur një pjesëtar të stafit afër tyre. Gjithçka është e kontrolluar. Madje, lojtarët janë paralajmëruar se, nëse do të kapen duke folur fshehurazi me celular, do të gjobiten me një rrogë mujore. Ky vendim i drejtuesve të Flamurtarit vjen pas situatës që u krijua në përfundim të ndeshjes me Buduçnostin. Trajneri Magani u shpreh i pakënaqur ndaj lojtarëve dhe u hodhën hije dyshimi. Madje, shefi i klubit, Geri Çipi, deklaroi se ishin kontrolluar të gjitha bastet e vendosura për ndeshjen Flamurtari-Buduçnost, 1-2, por që në fund nuk rezultoi asgjë e çuditshme për sa i përket shumave të vendosura për këtë takim. Ndërkaq, drejtuesit vlonjat kanë ndjekur të njëjtën praktikë ndaj futbollistëve edhe në ndeshjen ndaj malazezëve, duke u mbledhur të gjithë telefonat e tyre celular. Por kjo nuk u aplikua te të gjithë lojtarët. Ndërsa në prag të ndeshjes së sotme, drejtuesit nuk kanë lejuar asnjë lojtar që të përdorë celularin e tij personal. Pas akuzave që erdhën nga tifozëria vlonjate, që hodhën hije dyshimi për sfidën ndaj Buduçnostit, klima në skuadër nuk duket shumë e qetë.

© Panorama.al

Te lidhura