Flamurtari, lobing për të bojkotuar Superioren

May 6, 2011 | 11:45

Flamurtari po përgatitet t’i jap një tjetër goditje kampionatit shqiptar. Kështu, pas ngjarjeve të ditëve të fundit, skuadra vlonjate po lobon me klube të tjera që të bojkotojë javën e fundit të këtij sezoni. Krerët e klubit kuqezi i kanë “shpallur luftë” të hapur Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe me këtë veprim duan të ndëshkojnë sadopak këtë të fundit, e konsideruar nga ata si shkaktarja kryesore për prishjen e garës me disa vendime absurde në këtë fund sezoni. Burime pranë klubit vlonjat, bëjnë të ditur se drejtuesit kanë nisur negociatat për zhvillimin e një tavoline të rrumbullakët, të organizuar nga Flamurtari, ku pritet të marrin pjesë dhe tre ekipe të tjera. Ku këto të fundit, kanë shprehur po të njëjtat pakënaqësira si kuqezinjtë, ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit dhe krerëve saj. Ndërkohë, ende nuk dihen saktësisht se cilat do të jenë skuadrat që do të pranojnë ftesën e vlonjatëve për t’iu bashkuar protestës ndaj FSHF-së. Burime konfidenciale, bëjnë të ditur se ekipi i Besës ka rënë pothuajse dakord për t’iu bashkuar protestës së Flamurtarit, ndërsa pritet edhe konfirmimi i dy skuadrave të tjera, nga ku njëra me shumë gjasa do  të jetë një ekip nga kryeqyteti. Kjo tryezë është lënë për t’u zhvilluar gjatë ditëve në vijim, ndërsa kërkesa kryesore e këtyre klubeve pritet të  jetë ajo e zgjedhjeve të parakohshme në Federatë. Si “kërcënim” klubet fillimisht do të bojkotojnë ndeshjet e fundit të kampionatit, çka mund të sillte një kaos të vërtetë, pasi, pikë së pari nëse nuk luhet Flamurtari-Skënderbeu, Federata nuk ka mundësi sesi dhe ku t’u dorëzojë zyrtarisht trofeun e titullit kampion korçarëve. Ngjarja e fundit në ndeshjen në Shkodër, ka acaruar edhe më shumë marrëdhëniet mes klubit vlonjat dhe Federatës. Tashmë, këta të fundit kanë dalë kundër hapur, që pas refuzimit të mos dhënies së tri pikëve në tavolinë për incidentin e ndodhur në ndeshjen me Laçin.

Sakaj: Vrasësi lëvdohet, viktima fajësohet

Tejet i mërzitur dhe me një mllef të paparë ka folur për gazetën, kapiteni i Flamurtarit Artan Sakaj. Mbrojtësi u ndëshkua në minutat e fundit të lojës me kartonin e kuq, nga arbitri i takimit, Bardhyl Pashaj, pasi refuzoi si kapiten që të fuste skuadrën e tij në fushë, në shenjë proteste ndaj penalltisë së akorduar. “Luajtëm për të respektuar publikun për të mos krijuar precedentë të tjerë, por duket se kjo nuk i mjafton Federatës. Është Flamurtari, ndaj veprohet kështu, po të ishte një ekip tjetër sot do të flisnim ndryshe. Më vjen vetëm të qesh me këto që ndodhin. Kjo është një vrasje e idealeve të futbollit, ku vrasësit janë pikërisht ata që duhet ta mbronin”, u shpreh Sakaj.

© Panorama.al

Te lidhura