Flamurtari i sezonit të ri, pa Maganin

May 9, 2011 | 15:19

Gugash Magani me shumë mundësi nuk do të jetë trajner i Flamurtarit për sezonin e ardhshëm. Lajmin e konfirmojnë për “Panorama Sport” burime të sigurta pranë teknikut peqinas. Mësohet se Magani e ka marrë një vendim për të ardhmen e tij, edhe pse publikisht ai nuk është shprehur asnjëherë. Megjithatë, në bisedat që ka pasur së fundmi me disa prej titullarëve të Flamurtarit, ka thënë hapur se për të do të jetë sezoni i fundit në pankinën vlonjate. Arsyet duket se janë personale, në një kohë që marrëdhënia mes Maganit dhe presidentit Shpëtim Gjika është normale dhe nuk ka krisje. Kreu i klubit vlonjat e ka mbështetur gjithnjë punën e trajnerit peqinas, por nuk kanë munguar xhelozitë te disa personazhe të futbollit në qytetin bregdetar. Shpesh Magani është paragjykuar për punën e tij nga disa ish-trajnerë dhe specialistë të futbollit vlonjat. Por, rezultatet i kanë dhënë të drejtë peqinasit, i cili në dekadën e fundit mund të konsiderohet si një nga trajnerët më të suksesshëm të Flamurtarit, bashkë me Eqerem Memushin, që fitoi Kupën e Shqipërisë në vitin 2008. Tashmë pritet edhe ndeshja e fundit kundër Skënderbeut, që më pas trajneri të zyrtarizojë divorcin. Vetëm një këmbëngulje e presidentit Gjika mund të bëjë që Magani të ndryshojë mendim për të ardhmen. Ai erdhi në krye të ekipit kuqezi pak javë pas fillimit të sezonit 2009-2010.

© Panorama.al

Te lidhura