
Tek Flamurtari lojtarët kanë tre muaj pa u paguar. Lajmin e konfirmojnë për “Panorama Sport” vetë kuqezinjtë, por duke ruajtur anonimatin e tyre, pasi i druhen ndonjë hakmarrjeje nga drejtuesit. Duke njohur korrektësinë e presidencës, kuqezinjtë e kanë marrë lehtë këtë çështje dhe nuk janë rebeluar. Pas përfundimit të ndeshjes me Skënderbeun, sigurisht ka pasur edhe nga ata që janë dëshpëruar, pasi pritej që klubi t’i shlyente pa u lënë skuadra pushim. Madje, lojtarët mendonin se do të likuidoheshin pjesërisht, mirëpo, as kjo nuk ndodhi. Krerët vlonjatë u kanë bërë gjithnjë thirrje që të mos e mbajnë mendjen tek rrogat, pasi ato janë të sigurta. Po ja që me kalimin e ditëve është ndjerë shqetësimi tek futbollistët. E, në këto kushte, është krijuar një situatë pasigurie. Pas ndeshjes me korçarët, kur dhe u mbyll sezoni, futbollistëve u është thënë se do të njoftohen nëpërmjet telefonit për takimin më të afërt. Të gjithë presin një thirrje në celularët e tyre, me shpresën se këtë herë klubi do të zgjidhë qesen, duke shpërndarë rrogat. Nga kuqezinjtë nuk mohohet fakti që Flamurtari mbahet si një ndër më korrektët. Lojtarët kuqezinj janë ndër më të paguarit në Superiore, e sa për vonesat e pagesave gjatë këtij sezoni, ato kanë rezultuar të jenë vetëm në muajt e fundit. Deri në janar kuqezinjtë kanë mbushur xhepat, teksa, përveç pagave mujore kanë përfituar dhe disa premio të majme pas fitoreve radhazi. Një nga objektivat kryesorë të këtij sezoni për skuadrën vlonjate ka qenë pjesëmarrja në Kupat e Europës. Të paktën kështu është shkruar në kontratat që futbollistët kanë nënshkruar në verën e vitit të kaluar me presidentin, Shpëtim Gjika. Megjithatë, ka pasur një klauzolë në kontratat e gjithsecilit lojtar, ku mbahej “peng” një shumë parash. Ka titullarë të skuadrës që kanë lënë deri në 5 mijë euro, sigurisht në bazë të shumës totale që kanë firmosur në fillim. Nëse objektivi realizohej, atëherë klubi është i detyruar t’u kthejë futbollistëve këto para. Nëse synimi i klubit dështonte, lojtarët ishin të ndërgjegjshëm se këtë shumë nuk mund ta merrnin. Por tani që Flamurtari ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës, klubi kuqezi duhet të shpërndajë edhe këto bonuse, përveç rrogave të prapambetura. Kësisoj, pritet që javën e ardhshme drejtuesit të urdhërojnë likuidimin e ekipit dhe kuqezinjtë të mbushin xhepat.











