Flakët përpijnë qindra ha, predhat e luftës italo-greke rrezikojnë 2 fshatra

Aug 8, 2012 | 12:47
Foto Ilustruese

ERSEKE- Flakët përpijnë qindra ha me pisha në Ersekë, ndërsa shpërthimet e predhave rrezikuan jetën e banorëve të dy fshatrave. Mësohet se dy vatra zjarri përfshinë Malin e Kuq dhe atë të Kozelit. Zjarri nisi prej mëngjesit të djeshëm në afërsi të zonës kufitare, ndërsa dyshohet që të jetë vënë qëllimisht nga banorët për hapjen e kullotave të reja. Të paktën 150 ha me pisha u shkrumbuan, ndërsa rreziku për përhapjen e flakëve vijon, i favorizuar nga temperaturat e larta. Zjarret masive kanë qenë të pamundura të shuhen, ndërsa rreziku për punonjësit e Pyjores dhe banorët e fshatrave Pepellash e Nikolicë është më i madh, pasi si pasojë e zjarrit ka pasur shpërthime të fishekëve dhe predhave të mbetura nga lufta italo-greke. Pas sinjalizimit për zjarrin masiv ka nisur edhe evakuimi i banorëve të rreth 30 familjeve, sepse flakët rrezikonin të përfshinin edhe disa prej banesave. Drejtori i Shërbimit Pyjor në Korçë, Erjon Haruni, u shpreh se është kërkuar ndihma e Ministrisë së Brendshme dhe e Mjedisit, si dhe nga shteti grek. Ndërsa kryetari i komunës Mollaj, Artur Nazarko, tha se “punonjësit e Shërbimit Pyjor kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit me vegla dore e mjete rrethanore, ndërsa për të ndaluar përhapjen e flakëve përtej malit të Kodhelit janë hapur kanale”. Sipas të dhënave, zjarri ka avancuar deri në Qafën e Kazanit, duke rrezikuar edhe Parkun Kombëtar të Dardhës.         dh.d

© Panorama.al

Te lidhura