Fituesit e humbësit e fazës së grupeve në Botërorin 2026, historia dhe zhgënjimi i madh bëhen bashkë

Jun 29, 2026 | 13:57

Faza e grupeve e Botërorit 2026 re zultoi më pak e parashikueshme nga sa pritej. Edhe pse favoritët kryesuan grupet e tyre, nuk munguan surprizat. Pak kush do ta kishte imagjinuar që Kepi i Gjelbër do të ndalte Spanjën në barazim, apo që RD Kongo do t’i merrte një pikë Portugalisë. Po ashtu, vetëm pak skuadra arritën të fitonin të tria ndeshjet e fazës së grupeve. Ja cilët ishin fituesit dhe humbësit më të mëdhenj, teksa Botërori kalon nga 48 në 32 skuadra.

Screenshot-2026-06-29-135121

FITUESIT KEPI I GJELBËR, HISTORIA VAZHDON

Vendi i tretë më i vogël që ka marrë pjesë ndonjëherë në një Botëror u bë edhe shteti më i vogël që arrin në fazën me eliminim direkt. Pas barazimit 0-0 me Arabinë Saudite, Kepi i Gjelbër siguroi vendin e dytë në Grupin H. Edhe pse nuk fitoi asnjë ndeshje, tri barazime ishin të mjaftueshme, mes tyre edhe 0-0 historike ndaj Spanjës që e vendosi në qendër të vëmendjes së futbollit botëror. Shpërblimi është një duel ëndrrash ndaj Argjentinës së Lionel Mesit në 1/32-at e finales. Për një vend me pak më shumë se gjysmë milioni banorë, përballja me kampionët e botës është një moment historik.

YJET E FUTBOLLIT NDEZIN BOTËRORIN

Rrallëherë një fazë grupesh ka parë pothuajse të gjithë emrat më të mëdhenj të futbollit të shkëlqejnë njëkohësisht. Lionel Mesi tregoi edhe në moshën 39-vjeçare se mbetet ndër lojtarët më të rrezikshëm në botë, duke realizuar tripletën e parë në historinë e tij në Kupën e Botës dhe duke shënuar edhe dy gola ndaj Austrisë e një ndaj Jordanisë. Mbape vazhdoi garën për rekordet e golave në Botëror, ndërsa Vinicius udhëhoqi sulmin e Brazilit. Golashënuesi më i mirë i Anglisë në historinë e Kupës së Botës u bë Herri Kejn, ndërsa Erling Haland shënoi dy herë në Botërorin e tij të parë. Edhe Kristiano Ronaldo hyri në histori, duke shënuar një 6 Kupa Bote radhazi, si dhe realizoi dy gola ndaj Uzbekistanit në moshën 41-vjeçare. Tashmë mbetet për t’u parë nëse këto superyje do të vazhdojnë të dominojnë edhe në fazën me eliminim direkt.

NORVEGJIA, ZGJEDHJA PRAGMATIKE

Norvegjia nuk u ndikua nga kritikat. Pasi fitoi dy ndeshjet e para dhe siguroi kualifikimin, trajneri Stale Solbaken vendosi të pushojë shumicën e titullarëve ndaj Francës, përfshirë edhe Halandin. Humbja ishte e pritshme, por si pasojë Norvegjia shmangu një rrugë shumë më të vështirë në fazën tjetër dhe tani do të përballet me Bregun e Fildishtë, një kundërshtar më i përballueshëm. Vendimi i Solbaken mund të rezultojë fitues nëse norvegjezët arrijnë të avancojnë.

AFRIKA E JUGUT, RIKTHIM HISTORIK

Fillimi ishte katastrofik. Afrika e Jugut humbi 2-0 ndaj Meksikës në ndeshjen hapëse dhe e mbylli sfidën me vetëm nëntë lojtarë pas dy kartonëve të kuq. Megjithatë, barazimi me Çekinë dhe fitorja 1-0 ndaj Koresë së Jugut falë golit të Thapelo Maseko i siguruan kualifikimin historik në fazën me eliminim direkt për herë të parë. Fitorja ishte aq e papritur, sa trajneri i Koresë së Jugut u pyet pas ndeshjes nëse skuadra e tij kishte pësuar helmim ushqimor.

MEKSIKA, ËNDRRA VAZHDON

Botërori po rezulton perfekt për bashkëorganizatorët. Meksika fitoi të tria ndeshjet e grupit, stadiumet kanë qenë të mbushura dhe atmosfera elektrizuese. Fitorja e Grupit A do t’i lejojë meksikanët të luajnë të paktën edhe dy ndeshje të tjera në shtëpi, ndërsa nëse kalojnë turin e ardhshëm, mund të përballen me Anglinë në Meksiko Siti, ku atmosfera në “Azteca” pritet të jetë një armë më vete.

HUMBËSIT URUGUAI, NJË DËSHTIM HISTORIK

Një nga kombëtaret më tradicionale të futbollit botëror ishte favoritja për vendin e dytë pas Spanjës në Grupin H. Në vend të kësaj, Uruguai u eliminua në fazën e grupeve për Botërorin e dytë radhazi, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Skuadra mori vetëm dy pikë nga barazimet me Arabinë Saudite dhe Kepin e Gjelbër, ndërsa humbi 1-0 ndaj Spanjës pas një gafe të portierit veteran Fernando Muslera. Trajneri Marcelo Bielsa e zëvendësoi Muslerën në pushim, Federiko Valverde u largua nga fusha para minutës së 60-të dhe Agustin Kanobio u ndëshkua me karton të kuq në fund. Një fund i hidhur për një komb që gjithmonë ka qenë simbol i futbollit, pavarësisht popullsisë së vogël.

TURQIA, SHUMË RASTE, SHUMË PAK REZULTATE

Fitorja dramatike ndaj SHBA-së në minutat e fundit nuk mjaftoi për të shpëtuar një Botëror zhgënjyes. Turqia konsiderohej favorite për të fituar Grupin D, por humbi ndaj Australisë dhe Paraguait, edhe pse ky i fundit luajti gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak. Turqit realizuan plot 62 goditje në dy humbjet, por vetëm 13 prej tyre shkuan në portë. Mungesa e saktësisë në finalizim u kushtoi rëndë dhe i la jashtë fazës me eliminim direkt.

KANADAJA, HUMBI AVANTAZHIN E MADH

Kanadasë i mjaftonte një barazim ndaj Zvicrës për të fituar grupin. Në vend të kësaj, humbi 2-1 dhe tani do të luajë në Los Anxhelos kundër Afrikës së Jugut. Edhe pse kundërshtari është teorikisht i përballueshëm, kanadezët humbën mundësinë për të zhvilluar edhe dy ndeshje të tjera në Vankouver përpara një çerekfinaleje të mundshme.

SKOCIA, ELIMINIM NGA GABIMET E VETA

Grupi ishte i vështirë, me Brazilin, Marokun dhe Haitin, por kalimi në fazën tjetër mbetej objektiv realist. Pas fitores minimale ndaj Haitit, Skocisë do t’i mjaftonte një humbje e ngushtë ndaj Brazilit. Në vend të kësaj, gabimet e shumta në mbrojtje sollën humbjen 3-0 dhe diferenca e golave e la jashtë Botërorit.

FIFA, KRITIKAT NUK NDALEN

Edhe këtë Botëror, FIFA mbetet një nga “humbëset” e turneut. Nga kufizimet për shishet e ujit, çmimet shumë të larta të biletave dhe polemikat për refuzimin e homazheve ndaj nënës së trajnerit francez Didier Deshamp, deri te ndërprerjet e detyrueshme për hidratim, organizata ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave. Pushimet për hidratim janë bërë tashmë të detyrueshme në çdo ndeshje, pavarësisht kushteve atmosferike, duke ndryshuar ritmin tradicional të futbollit me dy pjesë prej 45 minutash. Shumë kritikë besojnë se kjo praktikë favorizon kryesisht transmetuesit televizivë, të cilët fitojnë më shumë hapësirë për reklama gjatë ndeshjeve.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura