
Presidenti Bamir Topi u prit në një takim në Vjenë nga homologu i tij austriak, Hajnc Fisher, në pallatin presidencial “Hofburg”. Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së Presidencës, kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Sipas kreut të shtetit shqiptar, integrimi në BE është përparësi e politikës së jashtme të vendit tonë dhe falë mbështetjes edhe të Vjenës, do të arrijë të marrë së shpejti statusin e vendit kandidat. Presidenti Topi ka vlerësuar rolin e Austrisë në rajonin e Ballkanit dhe mbështetjen e Kosovës. “Kreu i shtetit shqiptar, duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Austrisë në rajon dhe në mbështetje të Kosovës dhe të së ardhmes europiane të Ballkanit Perëndimor, por, në të njëjtën kohë, duke nënvizuar shembullin e padiskutueshëm pozitiv e konstruktiv të Presidentit austriak Fisher, në këto procese, si President i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, theksoi se organizimi i aktiviteteve të përbashkëta mes vendeve tona do të jenë instrumente shumë të rëndësishme në dobi të integrimit sa më shpejt në familjen e madhe europiane”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Në të njëjtën kohë, në njoftimin për shtyp, Topi dhe Hajnc Fisher, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke shtuar se bashkëpunimi mes Tiranës dhe Vjenës do të jetë akoma më i madh në të ardhmen. “Presidenti Topi vuri në dukje në takim rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare me Austrinë, me qëllim intensifikimin e investimeve të biznesmenëve austriakë në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, si në infrastrukturë, energjetikë, turizëm etj.”, thuhet më tej në njoftimin për mediat. Nga ana e tij, Presidenti i Austrisë, Hajnc Fisher, pasi vuri theksin në rëndësinë e takimeve të tilla, siguroi se Austria do të vazhdojë të japë të gjithë mbështetjen e fuqishme në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë në të gjitha drejtimet, si dhe në kurorëzimin e suksesshëm të aspiratave integruese evropiane të popullit shqiptar. “Gjithashtu, Presidenti Fisher vlerësoi lart qëndrimin e kryetarit të shtetit shqiptar mbi zhvillimet politike në vend, por dhe rolin moderator e konstruktiv personal të Presidentit Topi në funksion të përmirësimit të klimës dhe frymës së mirë të bashkëpunimit politik edhe mes udhëheqësve rajonalë, me synim zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin në gjirin e familjes së madhe europiane”, përfundon njoftimi i Presidencës shqiptare.
Gjatë qëndrimit në Austri, Topi dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes”, shoqatën “Aleanca për Fëmijët” – Steyr, me motivacionin: “Për veprimtarinë humanitare të kryer në dhënien e ndihmës mjekësore për fëmijët shqiptarë, me probleme të rënda shëndetësore dhe në realizimin e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit shëndetësor në Shqipëri”.
ADI SHKEMBI











