“Fishekzjarr pranë çadrës së PS”

May 4, 2011 | 14:09

Shpërthimi i bombolës së gazit në koshin e plehrave, pranë çadrës elektorale të Partisë Socialiste, është shkaktuar nga një fishekzjarr.Në këtë përfundim kanë arritur ekspertët xhenierë të Policisë së Tiranës, të cilët thonë se në vendin e ngjarjes kanë gjetur një fishekzjarr, bashkë me copat e bombolës që shpërtheu mbrëmjen e së hënës rreth orës 21:20. Ngjarja ka ndodhur në kohën kur të rinjtë e FRESSH-it kishin organizuar një koncert, ndërkohë që shpërthimi shkaktoi dhe plagosjen e një personi. Vakumi i krijuar nga gazrat në koshin e grumbullimit të plehrave ku ishte hedhur bombola e gazit dhe fishekzjarri, sipas policisë, ka rritur fuqinë e shpërthimit, duke shkaktuar dhe plagosjen e kalimtarit Armando Dyrmishi, 29 vjeç. I pyetur nga oficerët e policisë, Dyrmishi, i cili ka pësuar një plagë në këmbë, ka shpjeguar se pak sekonda para tij, nga koshi i plehrave ishin larguar disa punonjës të Pastrim Gjelbërimit. Ata janë afruar për të hequr nga aty mbeturinat, por kur kanë parë se nga koshi dilte tym, janë larguar brenda pak çasteve. Shpërthimi ka ndodhur pikërisht në momentin kur aty pranë kalonte 29-vjeçari, i cili mbeti i plagosur dhe më pas u dërgua në spital. Grupi hetimor ka kryer hetime për të zbuluar autorët që kanë shkaktuar shpërthimin në lulishten ku është ndërtuar tenda elektorale e Partisë Socialiste. Sipas dëshmive në vendin e ngjarjes, dy persona janë parë teksa kanë hedhur diçka në koshin e plehrave ku ndodhi shpërthimi. Burimet nga policia thanë se janë marrë dëshmi nga persona që janë gjendur pranë vendit të ngjarjes, para apo në momentin e shpërthimit, dhe aktualisht grupi i hetimit është në fazën e analizës dhe ballafaqimit të deklarimeve.
Ngjarja ndodhi të hënën, rreth orës 21:20, gjatë kohës kur pranë tendës së socialistëve po zhvillohej një koncert i organizuar nga të rinjtë socialistë. Shpërthimi ka shkaktuar panik te personat e pranishëm, aq sa të gjithë kanë nxituar të largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Drejtuesit e lartë të Policisë së Tiranës, por dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda të Policisë së Shtetit, të sinjalizuar për shpërthimin, janë drejtuar menjëherë për në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, në vendngjarje kanë shkuar edhe oficerë të Antiterrorit, të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, ekspertë të Xhenios dhe antieksploziv.

Kërcënimi i Arian Çanit, policia nis hetimet

TIRANE – Gazetari Arian Çani, i cili deklaroi në media se familja e tij është kërcënuar me vendosje bombe me anë të telefonatave. Forcat e rendit të Komisariatit Nr. 1 janë paraqitur me iniciativë në apartamentin e prindërve të Arian Çanit, pranë “Bërrylit”, ku kanë ofruar ndihmën e tyre duke i këshilluar për kryerjen e një kallëzimi penal. Policia mbërriti aty menjëherë pas deklaratave të bëra në media nga gazetari Arian Çani, i cili, pas debateve me deputetin e PS, Sajmir Tahiri, në emisionin “Shqip”, u largua nga studioja pasi deklaroi se familja e tij ishte kërcënuar. Efektivat e policisë, me iniciativën e tyre, pa u vënë në lëvizje me denoncim, kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë në pyetje personat me dijeni për çështjen. Po kështu, efektivat e policisë kanë marrë të dhëna në lidhje me personat që kanë telefonuar dhe kanë kërcënuar me vendosje bombe në banesën e prindërve të Arian Çanit.

Nishani inspekton Policinë

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, verifikoi dje nga afër masat e marra nga strukturat policore të Durrësit dhe Elbasanit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 8 majit. Në këto dy qarqe, strukturat policore kanë kryer të gjitha trajnimet e parashikuara, si dhe kanë hartuar plan-veprimet përkatëse. “Nëse do të zbatojmë me korrektesë kuadrin ligjor mbi zgjedhjet dhe do të vëmë në funksionim të plotë mekanizmat ligjorë, pa dyshim, do të kemi sukses në përmbushjen e rolit dhe detyrave të Policisë së Shtetit për këtë proces zgjedhor”. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Nishani, gjatë takimeve me zyrtarët vendorë të Policisë. Ai kërkoi që masat e policisë në rrethe të garantojnë një klimë të qetë e të sigurt për ushtrimin e lirë të së drejtës së votës nga qytetarët, duke mos lejuar të ndodhin incidente që cenojnë këtë të drejtë. “Detyrat tuaja në këtë proces duhet t’i kryeni me angazhim dhe përkushtim maksimal, si në një aspekt të veçantë, por njëkohësisht normal dhe të zakonshëm të veprimtarisë tuaj. Nuk ka asnjë arsye që punonjësit e Policisë të jenë të ngarkuar nga pikëpamja psikologjike për kryerjen e detyrave të tyre gjatë këtij procesi”, ka thënë Nishani.

Tiranë, Gjykata: Kërkesat për leje votimi deri më 6 maj

TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje për të parën kërkesë për leje votimi në lidhje me zgjedhjet vendore të 8 majit. Ndërkohë që totali i kërkesave për leje votimi në Gjykatën e Tiranës mbërriti në 27. Vendimi i shpallur nga gjyqtari Bledar Avdullai, pranoi kërkesën e një banori të fshatit Domje, komuna Bërxull, Tiranë. Burime të Gjykatës së Tiranës pohuan shqyrtimin e kërkesës së Vehap Lamajt, 42 vjeç, emri i të cilit nuk figuronte në listën përfundimtare të zgjedhësve të vendbanimit të tij.  “Nga këqyrja e bërë nga kjo gjykatë në faqen elektronike të listës së zgjedhjeve vendore të vitit 2011, rezulton se kërkuesi nuk është i regjistruar në listën përfundimtare të zgjedhësve të zonës së qendrës së votimit të vendbanimit të tij. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson e çmon se kërkesa e bërë është e bazuar në ligj e në prova dhe, si e tillë, duhet pranuar”, thuhej në arsyetimin e vendimit të Gjykatës. Po dje, Gjykata e Tiranës, përmes zëdhënëses së saj, Bujana Tonçica, njoftoi se kërkesat e qytetarëve për leje votimi do të priten deri 24 orë para zgjedhjeve. “Ne bëjmë me dije se kërkesat do të priten deri në datën 06 maj 2011, ora 24:00. Pas kësaj date, sipas nenit 55 të Kodit Zgjedhor, nuk do të pranohet asnjë kërkesë, ndërsa shqyrtimi i tyre do të vazhdojë deri ditën e diel, datë 08 maj 2011, ora 13:00. Kërkesat me objekt ‘lejim votimi’, në bazë të shortit, do të shqyrtohen nga të gjithë gjyqtarët e Dhomës Civile”, tha zëdhënësja Tonçica. Depozitimi i kërkesës së parë për leje votimi në Gjykatën e Tiranës në lidhje me zgjedhjet e 8 majit u krye më 13 prill.               ar.ba

Lezhë, plagosen dy kandidatët e komunës Blinisht

LEZHE – Sherri gjatë fushatës elektorale në Blinisht të Lezhës përfundon me dy kandidatët e plagosur. Ngjarja u shënua rreth orës 19:00 në fshatin Fishtë, ku si pasojë e përplasjes së dhunshme mes kandidatëve dhe simpatizantëve, u lëndua Jak Zhuba i PD-së dhe Zef Hila i PS-së. Të dy janë paraqitur në spitalin e Lezhës, ku pas marrjes së mjekimit Zhuba është shoqëruar në polici, ndërsa Hila ka vazhduar të marrë mjekimin, për shkak të dëmtimeve më të mëdha. Policia e Lezhës, e cila nisi hetimet menjëherë për ngjarjen pohoi se konfrontimi ndodhi pas fyerjeve që kandidatët kanë shkëmbyer për njëri-tjetrin gjatë shkëmbimit me makina. Mësohet se Zhuba po kthehej nga një takim elektoral kur rrugës është këmbyer me Hilën. Të dy palët kanë qenë të shoqëruar. Nga fyerjet e lëshuara nga makinat ata kanë zbritur, duke u përplasur fizikisht e goditur njëri-tjetrin me grushte e mjete të forta. Policia ka marrë dëshminë e kandidatit demokrat, në pritje të deklarimeve të kandidatit socialist.             r.n

 

ETLEVA DELIA

 

 

© Panorama.al

Te lidhura