
Komisioni i Reformës Zgjedhore bën gati amendamentet e para
Ndryshon skema, partitë e vogla do përfitojnë më shumë
Komisioni i Reform-ës Zgjedhore do të mblidhet sot në më-ngjes, ku do të miratohen edhe amendamentet e para të Kodit Zgjedhor. Nga rishikimi i shtatë neneve, përfituese reale do të jenë partitë e vogla, të cilat edhe nëse nuk marrin mandate parlamentare, do të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit. Ekspertët e PD-së dhe të PS-së kanë punuar për rreth një muaj e gjysmë dhe në fund kanë konkretizuar ndryshimet në kapitullin e shtatë të ligjit zgjedhor që ka të bëjë me financimin e zgjedhjeve dhe të fushatës. Sipas këtij ligji, partive u jepet mundësia të marrin edhe kredi për fushatën.
Ndryshimet në Kod
Në Kodin aktual të miratuar në fund të vitit 2008 me konsensusin e dy partive të mëdha, fondi në vitin zgjedhor, i përcaktuar me vendim Kuvendi, ndahej në këtë mënyrë: 50 për qind të fondit e merrnin partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend dhe 50 për qind e merrnin “partitë politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare”. Me ndryshimet e propozuara, përfituese do të jenë të gjitha partitë që kanë më shumë se 0.5% të votave në zgjedhjet e fundit. “Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 0,5% të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje. Fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit dhe përbën zë më vete në buxhetin e shtetit për vitin zgjedhor përkatës. Ky fond nuk mund të jenë më pak sesa totali i shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse”, thuhet në pikën 1 të nenit 87 të propozuar. Nga ana e saj, KQZ-ja, brenda pesë ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar proporcional në shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të një vote të vlefshme duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e radhës që kanë fituar jo më pak se 0,5% të votave të vlefshme në shkallë vendi. Përmes formulës së përllogaritjes së votave të vlefshme, KQZ-ja do të caktojë se sa lekë do të marrë çdo parti.
Fondet
Në nenin 87/2 përcaktohet se nga fondi i caktuar me vendim të Kuvendit, 95% e përfitojnë partitë që kanë marrë mbi 0.5% të votave dhe 5% ato që kanë marrë më pak se 0.5% të votave. Përmes formulës ku përcaktohet vlera në lekë e çdo vote të vlefshme, partive u jepet paradhënie fondi përkatës, në mënyrë që ato ta përdorin në fushatën elektorale. “Fondi i përcaktuar sipas pikës 2 të nenit të mësipërm (ku 95% të fondit e marrin partitë me mbi 0.5% të votave), llogaritet duke pjesëtuar këtë fond me totalin e votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet paraardhëse që plotësojnë kriterin e pikës 2 të nenit të mësipërm. Herësi i dalë nga ky pjesëtim shumëzohet me numrin e votave të vlefshme që ka marrë partia politike në zgjedhjet paraardhëse”, thuhet në Kod.
Financimi
Në nenin 87/1 të Kodit, sipas ekspertëve, burimet financiare të fushatës zgjedhore mund të vijnë nga tri drejtime. “Fondet e dhëna paradhënie nga buxheti i shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore; të ardhurat e vetë subjektit zgjedhor të krijuara sipas ligjit; dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime të dhëna sipas nenit 89 të këtij ligji; kreditë e marra nga partitë politike sipas ligjit. Në asnjë rast shuma e kredisë nuk duhet të kalojë shumën e parave që përfiton partia përkatëse sipas nenit 87/3”.
Auditet
Sipas nenit 92 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar, KQZ-ja do të përzgjedhë me konkurrim një listë të ekspertëve kontabël të licencuar në fillim të vitit zgjedhor. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 ekspertë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në pesë vitet e fundit. “Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit të tyre përcaktohen me udhëzim të KQZ-së. Në çdo rast një auditor nuk mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi. Buxheti për zgjedhjet duhet të parashikojë edhe fondin e nevojshëm për auditimin e subjekteve zgjedhore”, thuhet në draftin e ekspertëve.
Afatet
Në Kod thuhet se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, KQZ-ja përcakton me short audituesit e shpenzimeve të partive politike. Me ndryshimet që pritet të bëhen së shpejti, ky afat do të bëhet pesë ditë. “Jo më vonë se 5 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo parti politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas nenit 92 të këtij Kodi, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Neni 87
Fondet nga buxheti i shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhje
1. Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 0,5% të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje. Fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit dhe përbën zë më vete në buxhetin e shtetit për vitin zgjedhor përkatës. Ky fond nuk mund të jenë më pak se sa totali i shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse.
2. KQZ-ja, brenda pesë ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar proporcional në shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të një vote të vlefshme duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e radhës që kanë fituar jo më pak se 0,5% të votave të vlefshme në shkallë vendi.
3. KQZ-ja përllogarit shumën që i takon secilës parti duke shumëzuar vlerën në para të një vote të vlefshme të përcaktuar sipas pikës 2 të këtij neni, me numrin e votave të vlefshme që ka marrë secila parti në zgjedhjet e radhës.
4. KQZ-ja zbret nga shuma e përllogaritur sipas pikës 3 sanksionet financiare që janë bërë titull ekzekutiv, të vëna për partinë përkatëse sipas këtij ligji.
5. Shuma e mbetur pas përllogaritjeve të pikës 4 është shuma e cila përfiton partia pjesëmarrëse në zgjedhje, nga buxheti i shtetit.
6. Në rast se shuma e përfituar sipas pikës 5 të këtij neni është më e vogël se shuma e dhënë paradhënie për financimin e fushatës zgjedhore sipas nenit 87/2, partia është e detyruar të kthejë diferencën e përftuar. Për partitë që nuk kalojnë pragun e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, shuma sipas pikës 5 është zero.
7. Në rast se shuma e përfituar sipas pikës 5 të këtij neni është më e madhe se shuma e dhënë paradhënie për financimin e fushatës zgjedhore sipas nenit 87/2, partia do të përfitojë nga buxheti i shtetit diferencën përkatëse.
8. Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse sipas pikës 6 të këtij neni brenda 90 ditësh, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni.
Neni 87/2
Fondet e dhëna nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore
1. Fondi i përcaktuar me vendim të Kuvendit sipas pikës 1 të nenit 87, u ndahet si paradhënie partive të regjistruara si subjekte zgjedhore si më poshtë.
2. 95% e fondit i shpërndahet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore të cilat kanë përfituar jo më pak se 0,5% të votave të vlefshme në zgjedhjet e mëparshme.
3. 5% e fondit i shpërndahet partive politike që janë regjistruar si subjekte zgjedhore dhe që nuk përfitojnë sipas pikës 2 të këtij neni.
Neni 87/3
Mënyra e përllogaritjes së fondit paradhënie
1. Fondi i përcaktuar sipas pikës 2 të nenit të mësipërm llogaritet duke pjesëtuar këtë fond me totalin e votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet paraardhëse që plotësojnë kriterin e pikës 2 të nenit të mësipërm. Herësi i dalë nga ky pjesëtim shumëzohet me numrin e votave të vlefshme që ka marrë partia politike në zgjedhjet paraardhëse.
2. Fondi i përcaktuar sipas pikës 3 të nenit të mësipërm ndahet duke pjesëtuar këtë fond me numrin e partive politike që përfitojnë sipas pikës 3 të nenit të mësipërm, por asnjë rast kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se shuma më e vogël e përfituar nga një parti sipas pikës 1 të këtij neni.
3. Për zgjedhjet e përgjithshme si kriter do të përdoret rezultati në shkallë vendi i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet e përgjithshme paraardhëse. Për zgjedhjet për qeverisjen vendore si kriter do të përdoret rezultati në shkallë vendi i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet paraardhëse për qeverisjen vendore.
4. Fondi i përcaktuar për t’u shpërndarë sipas nenit 87/2, i jepet secilës parti jo më vonë se 5 ditë nga regjistrimi i listave shumemërore, apo kandidatëve për kryetar të njësive vendore të partisë përkatëse.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











