Financimet e huaja, dëmi 6 milionë USD

Jan 19, 2012 | 12:01

Analiza e djeshme në KLSH

Kreu i KLSh kritikon raportet e drejtorive: E papranueshme që kemi vetëm 2 kallëzime penale në vit

Leskaj: Regjistër “gri” me emrat e nëpunësit që kanë abuzuar

Dëmi më i madh buxhetit të shtetit i është bërë nga abuzimi me financimet e huaja, keqmenaxhimi i shoqërive publike dhe mbrojtjes së mjedisit. Departamenti që kontrollon këtë pjesë pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka evidentuar se në vlerë monetare ky dëm është 6 milionë dollarë. Gjatë analizës së mbajtur dje me Departamentin e kontrollit të investimeve dhe projekteve me financim të huaj, shoqërive publike dhe mbrojtjes së mjedisit në KLSH, janë dhënë edhe detaje më të zgjeruara. Për vitin 2011, ky departament kishte planifikuar 31 kontrolle, nga të cilat u realizuan 30. “Në mbyllje të vitit 2011 janë realizuar 30 kontrolle: 10 në projekte me investime të huaja, 14 në shoqëritë publike, si dhe 5 në ente mjedisore, pavarësisht realizimeve të ndryshme brenda strukturës së fushave të kontrollit. Në totalin e kontrolleve të evidentuara është zbuluar dëmi ekonomik prej 6 milionë USD dhe është rekoamnduar për t’u zhdëmtuar në masën 100 për qind nga 15 subjekte”, thuhet në analizën e departamentit. Gjatë prezantimit të kësaj analize, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, vlerësoi punën e kontrollorëve të institucionit, por kritikoi pjesën që lidhet me masat ndëshkimore të rekomanduara për ata që kanë abuzuar me punën në dëm të buxhetit. “Tek rekomandimet që jepni për masat ndëshkimore, shoh një oportunitet të pakuptimtë. Nuk ka kuptim që dikush që ka shkelur ligjin, t’ia hedhë vetëm me një paralajmërim për pushim nga puna. Ai largohet nga ai vend pune me dëshirë, aplikon diku tjetër dhe futet në një tjetër vend në administratë”, u shpreh Leskaj. Sipas tij, duhet që më shumë njerëz të shkojnë para drejtësisë dhe të përballen me ligjin për abuzimet që bëjnë. “Jo domosdoshmërisht numri i kallëzimeve në Prokurori do të thotë më shumë punë e bërë, por pa dyshim është më e drejtë pasi personi që ka kryer dëmin, mban përgjegjësi para ligjit. Nëse bëjmë një analizë të grafikut të kallëzimeve penale që keni bërë në Prokurori ndër vite, rezulton që numri të jetë i ulët dhe gjithmonë në rënie. Gjithë vitin keni një apo dy kallëzime”, tha kreu i KLSH. Ai propozoi që për të gjithë individët që do të gjenden shkelje në institucionet ku ata punojnë, do të mbahet një regjistër që do t’i dërgohet DAP-it (Drejtorisë së Administratës Publike), duke bërë të mundur që të identifikohen emrat e atyre që kanë abuzuar me detyrën. “Duhet të krijojmë atë që mund ta quajmë “regjistri gri” me emrat e atyre që janë kapur me shkelje, regjistër i cili do të riferskohet me të dhënat e fundit pas çdo kontrolli dhe t’i dërgohet DAP-it”, tha Leskaj.

Masat dhe rekomandimet
Në total, nga 30 kontrollet e zhvilluara nga departamenti, janë dhënë 10 rekomandime për ndryshime në legjislacion, nga të cilat janë zbatuar 3 dhe janë në proces 6. Janë dhënë 356 masa organizative, nga të cilat janë zbatuar 227, si dhe janë dhënë 133 masa disiplinore me një zbatim deri në 120.

Albpetrol, dëmi 3.9 milionë dollarë Një nga shoqëritë publike
Një nga shoqëritë publike që i është nënshtruar kontrollit të Departamentit të investimeve dhe projekteve me financim të huaj, shoqërive publike dhe mbrojtjes së mjedisit, është edhe Albpetroli. Sipas raportit, në këtë shoqëri kanë rezultuar mangësi të shumta, për të cilat janë rekomanduar 22 masa organizative, si dhe shpërblim dëmi në vlerë 3.9 milionë dollarë. Nga ana tjetër, po në këtë shoqëri janë dhënë dhe masa administrative për disa persona.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura