
Borxhi 58.9% e GDP. Shpenzimet për interesa, 411 milionë USD.
Dalja para dy ditëve e ekspertëve të Bankës Botërore në mes të negociatave me Ministrinë e Financave, sigurisht që përveç transparencës, mbartte me vete edhe një lloj presioni publik për qeverinë. Të dhënat e ekspertëve dhe insistimi i tyre se kriza globale do ta cenojë ekonominë deri në pikën që qeveria të kërkojë ndihmë nga Banka, tregonte qartë insistimin për lëvrimin e kësaj ndihme. Por, me të njëjtën gjuhë, ministri i Financave u ka paraprirë, edhe ai publikisht, kushteve që kërkon Banka. Edhe pse negociatat janë akoma në fillimin e tyre dhe daljet publike të të dyja palëve nuk kanë treguar qartë synimin final, Bode ka vënë i pari kufirin. Në konferencën e djeshme për mbylljen e bilancit të vitit 2011, ministri ka përmendur edhe disa mënyra dhe institucione të tjera që mund të ndihmojnë buxhetin. Si përgjigje për kushtet e kërkuara nga Banka Botërore, Bode ka vënë limitin te interesat e vendit, duke treguar se jo të gjitha kushtet do të pranohen. Bëhet fjalë për një ndihmë të shtuar nga programi i miratuar i Bankës Botërore për Shqipërinë. Këtë radhë ekspertët kanë përfshirë në listën e kreditimit edhe ndihmë direkte buxhetore.
Reagimi i Bodes
“Ministria e Financave është në punë, merret me të gjitha: me Bankën Botërore, me Bankën e Zhvillimit, me Bankën e Shqipërisë, me ministritë e tjera dhe gjithçka tjetër, por të jeni të bindur që në të gjitha aktivitetet e përditshme ne udhëhiqemi nga interesi publik, nga interesi i ekonomisë shqiptare. Gjithçka që do të jetë me interes publik për vendin, ne do ta materializojmë, gjithçka që ne do ta konsiderojmë të papërshtatshme ekonomikisht për vendin, sigurisht që nuk do ta pranojmë”, tha Bode. Pasqyra pesimiste e ekspertëve të Bankës dhe përgjigjja e ministrit dje, tregojnë qartë se të dyja palët, qeveria dhe Banka Botërore, po hasin në vështirësi në negociata.
Bilanci 2011
Të ardhurat dhe shpenzimet në buxhetin e vitit 2011 janë vlerësuar me nota pozitive nga kreu i Financave, Ridvan Bode. Në performancën e administratës doganore dhe asaj tatimore, “notën” më të lartë e mori e para. “Në buxhetin e shtetit, në vitin 2011 u arkëtuan 330.4 miliardë lekë, nga 344 që ishte programi i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, çka në përqindje është 96 për qind. Nëse do të flasim për performancën midis dy administratave, Doganat dhe Tatimet, e para ka një tejkalim prej 1.4 përqindësh të programit të saj, ndërsa administrata tatimore ka një mosrealizim të planit të saj”, u shpreh Bode. Sa u përket shpenzimeve, ministri vlerësoi se edhe ato janë realizuar në masën 96.1 për qind. “Përballë progresit të të ardhurave, furia e shpenzimeve ka qenë po ashtu tërësisht pozitive dhe në përputhje me programin e qeverisë. Janë realizuar 376 miliardë shpenzime në tërësi, nga 390.9 që ishin të autorizuar nga Parlamenti”, tha Bode.
© Panorama.alGDP u rrit me 940 milionë USD
Shpenzimet për interesa në vitin 2011 janë sa 3.1 për qind e GDP. Kështu deklaroi dje ministri i Financave. Edhe pse GDP e vitit 2011 akoma nuk është llogaritur nga INSTAT-i, për tremujorin e tretë të vitit, shifra e dhënë dje nga Bode qartëson vlerësimin e Financave për prodhimin e brendshëm të vitit 2011. Llogaritja është e thjeshtë. Shpenzimet për interesa në vitin 2011 ishin 41.1 miliardë lekë, ose sa 3.1 për qind e GDP. Kjo do të thotë se GDP, sipas shifrave të djeshme të Financave, llogaritet në 1325 miliardë lekë, ose 13.25 miliardë dollarë. Në vitin 2010, prodhimi i përgjithshëm bruto, sipas kuadrit makroekonomik të nëntorit, ishte 1231 miliardë lekë, ose 12.31 miliardë USD. Diferenca, pra rritja e prodhimit në vitin 2011, sipas shifrave të Financave, është 94.75 miliardë lekë, ose rreth 947.5 milionë USD. Një vit më parë, po sipas shifrave të kuadrit makroekonomi, rritja e GDP ishte nga 1151 miliardë lekë në vitin 2009, në 1.231 miliardë lekë në vitin 2010, ose rreth 800 milionë USD.











