Financat, borxhi rritet me 170 milionë USD për 3 muaj

Nov 23, 2011 | 9:40

Ministri i Financave, Ridvan Bode

Në fund të shtatorit, borxhi publik arriti 768 miliardë lekë. Shifrat e 9-mujorit për treguesit e borxhit tregojnë edhe nivelin e huamarrjes, e cila për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 715 miliardë lekë, kurse në treguesit e 6-mujorit të këtij viti është 751 miliardë lekë.

Më në detaje, të dhënat e Ministrisë së Financave për 9-mujorin tregojnë se qeveria qendrore ka shumicën e këtij borxhi, ndërkohë që vetëm 203 milionë lekë janë borxh i pushtetit lokal. Niveli i borxhit të brendshëm vijon të jetë dukshëm më i lartë sesa ai i jashtëm, por jo në raportin 2/3-at, sikurse lakohet shpesh nga ana e qeverisë. Në shifra, borxhi i jashtëm është në nivelin 331 miliardë lekë, kurse ai i brendshëm 437 miliardë lekë. Gjithsesi, nga totali i këtij borxhi sipas treguesve të 9-mujorit të Financave, rezulton që pjesa më e madhe e huamarrjes është afatgjatë: me shlyerje brenda një viti janë vetëm 47 miliardë lekë, kurse me shlyerje mbi një vit janë 432 miliardë lekë. Borxhi afatshkurtër është në tremujorin e tretë të këtij viti në nivelin 242 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e borxhit është marrë në monedhën kombëtare, pra në lekë, në nivelin 429 miliardë lekë, por një shifër jo e vogël është marrë edhe në monedhë të huaj dhe saktësisht ky borxh kap vlerën 292 miliardë lekë. Kjo është dhe një nga pikat shqetësuese në kohën kur në horizont është kriza e eurozonës, borxhi në monedhë të huaj; Edhe pse nuk përbën shumicën, sërish përbën rrezik. Ministria e Financave detajon gjithashtu mënyrën si është financuar deficiti në vend deri në 9-mujorin e këtij viti, i cili rezulton të jetë 30.1 miliardë lekë. Përkundër shifrave të Financave, borxhi ka qenë një nga temat më të diskutuara të këtyre kohëve, ku opozita ka ngritur si shqetësim nivelin e lartë që ka kapur ky borxh dhe interesat në rritje që paguhen nga buxheti. Një paralajmërim mbi nivelin e lartë të huamarrjes kanë bërë edhe FMN-ja apo Banka Botërore, e cila pak ditë më parë përsëriti sërish thirrjen për të zbritur nga nivelet afër 60 për qindëshit, pasi një krizë e mundshme mund të ndikojë direkt. Ky paralajmërim vjen në kohën kur dy nga fqinjët tanë, si Italia dhe Greqia, janë duke vuajtur pasojat e huamarrjes së lartë. FMN-ja nga ana e saj ka propozuar që, për të ulur borxhin, të ndiqet një rregull i qartë fiskal, që do të garantojë nivele më të ulëta pas disa vitesh zbatim.

Fino: Qeveria po ndërhyn te vendorët
Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, tha dje se qeveria po ndërhyn te pushteti vendor, teksa e detyron atë me ligj që të shpenzojë 10% të fondit për pemëtarinë dhe gjelbërimin. “Çfarë ju shtyn ju të propozoni një dispozitë të hapur me legjislacionin shqiptar, siç është neni 15 i buxhetit? Kur thuhet transfertë e pakushtëzuar, nuk të futem në pjesën se si do ta ndash ti. Në nenin 15 ndodh ndërhyrja nga një vit në vitin tjetër. Këtë vit na kanë futur një paragraf tjetër, ku në transfertën e pakushtëzuar është parashikuar që 10% e transfertës të përdoret për pemëtarinë dhe gjelbërimin”, u shpreh Fino. Lidhur me këtë deklaratë reagoi zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili tha se “kjo është një masë që nuk i rëndon njësitë e qeverisjes vendore dhe nuk lejon që të ketë abuzime. Ka disa njësi vendore që kanë harxhuar lekët e vitit 2011 deri në shtator, Bashkia Pukë, Bashkia Sarandë dhe Bashkia Tiranë, ku mungonin 23 milionë euro nga mbledhja e taksave”.

PS: Buxheti, jo si vend i NATO-s
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ishte dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku u debatua për buxhetin e kësaj Ministrie për vitin 2012. Ministri e cilësoi buxhetin prej 20.2 miliardë lekësh të mjaftueshëm për këtë Ministri për të përmbushur objektivat e Forcave të Armatosura si anëtare e NATO-s. Sipas ministrit, buxheti i 2012-s do të zërë një masë prej 1.4% të PPB, duke e radhitur Shqipërinë në krah të shumë vendeve anëtare të NATO-s. Por deputetët socialistë e konsideruan jo reale këtë shumë, pasi sipas tyre aty përfshihen dhe sigurimet shoqërore që kalojnë nga buxheti në Institutin e Sigurimeve dhe nuk janë pjesë e aktivitetit të kësaj Ministrie. Nënkryetari i Komisionit, socialisti Ilir Gjoni, tha se ky buxhet është i pamjaftueshëm për një vend anëtar të NATO-s dhe është nën objektivin e qeverisë e kërkesave të aleancës, ku buxheti për Mbrojtjen duhet të jetë 2% e PPB-së.

Kreditë e këqija arrijnë 18.4 për qind
Kreditë e këqija në sistemin bankar shqiptar kanë arritur nivelin 18.4 për qind. Të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave vënë në dukje nivelin e lartë të kredive të këqija, një shifër kjo që ka qenë në rritje të vazhdueshme nga muaji në muaj. Në total, deri në datën 11 shtator, kreditimi ka kapur shifrën 542 miliardë lekë dhe nga kjo, rreth 18.4 për qind vlerësohet si kredi me probleme, kurse depozitat në sistemin bankar kanë qenë në nivelin 902 miliardë lekë. Alarmi për rritjen e kredive të këqija si rezultat i pamundësisë së biznesit për të shlyer borxhin është ngritur si problem jo pak herë edhe nga opozita gjatë komisioneve të ekonomisë. Banka e Shqipërisë nga ana tjetër i ka kërkuar sistemit bankar që të studiojë më mirë klientët e tij, si dhe të ndjekë me kujdes rastet e kredive të këqija edhe përmes zgjerimit të stafit.
Nertila Maho

© Panorama.al

Te lidhura