TIRANË- “Amnisti për gjithë qytetarët dhe bizneset dhe jo për kontrabandistët apo zyrtarët”. Ministria e Finanacve, përmes numrit dy të saj, Alfred Rushaj ka kujtuar sot përfitimet që vijnë nga amnistia, nismë e qeverisë për të ndihmuar biznesin dhe qytetarët dhe jo sikundër e ka cilësuar opozita, për fushatë dhe pastrimin e parave.
“Siguroj qytetarët se nga kjo amnisti nuk do përfitojnë zyrtarët që kanë për detyrë deklarimin e pasurisë. Garantoj qytetarët se kur ky projekt të miratohet në Parlament, atyre do t’u falen të gjitha faturat tatimore të papaguara deri në 31 dhjetor të vitit 2010. Gjithashtu, iu them qytetarëve se do të mund të legalizojnë pasuritë e tyre dhe se do të mund të rivlerësojnë pasurinë e tyre duke evituar taksimin prej 10 për qind”, tha ai gjatë deklaratës për mediat.
Sipas tij, të gjithë shqiptarëve që kanë futur makinë në Shqipëri dhe që nuk kanë paguar taksën doganore, do t’iu falet 50% e taksës nëse paguajnë një pjesë të principalit, ndërkohë që biznesi do të tolerohet për mosvendosjen e kasave fiskale.
“Biznesit të vogël do t’i falen taksat e tij, do falen kontributet shoqërore të papaguara, do falen gjobat për mosvendosjen e pajisjeve fikale. Ndërsa biznesit të madh do t’i falen tatimet e papaguara bashkë me kamatat dhe pagesat e prapambetura”, tha ai.
Në fund, ai i ka bërë apel opozitës të votojë ligjin, pasi ai është tërësisht në shërbim dhe interes të qytetarëve. “I them zotit Rama se kjo amnisti nuk është për kontrabandistët, por për qytetarët, për biznesin dhe nëse ai me të vërtetë e përkrah biznesin, ne e ftojmë që ta votojë”, tha Rushaj.
© Panorama.al











