Nuk do të ketë një ligë të përbashkët me Shqipërisë dhe Kosovës. FIFA i jep zyrtarisht fund kësaj ideje, pas një përgjigje negative dërguar FSHF-së. Nëpërmjet kësaj korrespondence mes federatës sonë të futbollit dhe FIFA-s, pas kërkesës së disa skuadrave për të marrë pjesë në kampionatin tonë, ka ardhur edhe verdikti final: “Jo, e pamundur”. FIFA i rikujton edhe një herë pikën e 79-të të statutit të saj, ku saktësohet se anëtarët e FIFA-s apo anëtarët e përkohshëm të konfederatës, nuk duhet të luajnë ndeshje apo të kenë kontakte sportive me lojtarë apo klube që nuk janë anëtare të FIFA-s, apo anëtarë provizorë të konfederatës. “Për sa më sipër, ne dëshirojmë t’ju vëmë në dijeni se në bazë të nenit 13, paragrafi 1, i statutit të FIFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit nuk është vetëm e detyruar që të respektojë vetveten, por edhe të sigurohet se edhe të tjerët janë në përputhje me statutin dhe rregulloret e FIFA-s, në çdo kohë. Për më shumë, kjo nënkupton sanksione në rastin e mospërputhjeve, dhe në bazë të neneve të statutit, ne dëshirojmë t’ju referojmë nenin 13, paragrafi 2, i cili thekson se çdo shkelje e nenit 13 të statutit të FIFA-s, mund të sjellë sanksione të vendosura nga FIFA. Ju falënderojmë për vëmendjen tuaj dhe besimin që keni tek asistenca jonë”, thuhet mes të tjerash në letrën sqaruese të dërguar nga FIFA për Federatën Shqiptare të Futbollit.











