FIFA i kërkoi ryshfet Anglisë për Botërorin

May 11, 2011 | 9:50

Anglia vazhdon akoma ta vuajë disfatën e papritur që pësoi kandidatura e saj për organizimin e Botërorit të 2018-ës një vit më parë. Akuza të rënda për korrupsion adresuar FIFA-s janë bërë një ditë më parë nga ish-presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, dhe i kandidaturës “Angli 2018” njëkohësisht, Lord Trisman. Ai ka deklaruar përpara Komitetit të Kulturës dhe Sportit në Ministri se, 4 anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s i kanë kërkuar personalisht ryshfete dhe favore në këmbim të votës së tyre për “Angli 2018”. Trisman tha se zv. presidenti i FIFA-s, Xhek Uorner, i kishte kërkuar para kesh, dhe përkatësisht shumën e 2.8 milionë eurove për ndërtimin e një qendre edukimi në Trinidad. Kjo shumë parash duhet të kalonte në llogarinë e tij personale bankare. Më vonë, numri 2 i qeverisë së futbollit i kishte kërkuar edhe 570 mijë euro për të blerë të drejtën e transmetimit të Kupës së Botës për Haitin, vendin e goditur nga tërmeti shkatërrimtar dy vjet më parë. E njëjta shumë do të kalonte sërish në llogarinë bankare të Uornerit. I akuzuari i dytë i Trismanit është anëtari paraguaian i FIFA-s, Nikolas Leoz. Ai ka kërkuar të dekorohej me “urdhrin kalorësiak”, në këmbim të votës së tij. I akuzuari i tretë, presidenti i Federatës braziliane, Rikardo Teikseira, i është drejtuar direkt me fjalët: “Hajde më thuaj çfarë keni lënë për mua?”. Ndërsa anëtari tajlandez i FIFA-s, Voravi Makudi, dëshironte që e drejta televizive e një miqësoreje mes Anglisë dhe Tajlandës t’i akordohej pikërisht atij. “Këto janë disa prej ‘ndereve’ që m’u kërkuan personalisht. Kisha frikë nga dëmi që do t’i shkaktoja kandidaturës së vendit tonë, por tani po kuptoj se do të ishte më mirë në rast se do të kisha folur”, tha Trisman.

© Panorama.al

Te lidhura