Baftjar Zeqaj kryeson dhe në natën e dytë të numërimit të votave. Kandidati socialist, mesnatën e djeshme rezultonte me 7823 vota të fituara karshi 5834 të kandidatit demokrat, Ilir Bele.Kjo ndodh ndërsa janë numëruar 36 qendra nga 83 të tilla për Bashkinë e Fierit.
Vonesat e numërimit u krijuan nga pezullimi i procesit rreth orës 17:00. Shkak për këtë është bërë debati i lindur në tavolinën me numër 2 për një kuti votimi. Kjo e fundit i përkiste Qendrës së Votimit Nr. 3003, ku sekretari i KZAZ Nr. 18, Arbër Sina, ka pretenduar se kutia është hapur në një çast kur nuk ishin të katër anëtarët që merren me numërimin e votave. Kjo ka sjellë kaos, derisa sekretari në fjalë është larguar nga ambientet duke marrë me vete edhe vulën e KZAZ-së, pa të cilën nuk mund të vijojë procesi. Në fakt, kaq është dashur që të gjithë komisionerët dhe numëruesit e koalicionit të djathtë të tërhiqen duke i lënë vendet bosh. Një lëvizje e till ë ka sjellë edhe probleme, ndërsa e ka pezulluar procesin në vend. Në mbrëmje, në këtë KZAZ ndodheshin vetëm vëzhguesit, përfshirë këtu edhe vëzhguesit e OSBE/ODHIR-it. Kryetari i komisionit, Asqeri Muhaj, ka deklaruar se kjo është e pafalshme dhe se për këta komisionerë duhet të veprojë ligji. “Është një tërheqje e pamotivuar. Nuk ka asnjë arsye që të bëhej kjo kur këtu gjithçka ka kaluar normalisht. Nuk ka pasur asnjë problem, janë numëruar fletët ashtu siç janë hedhur në kuti. Kjo po na sjell vonesa dhe zvarritje, prandaj ne do të kërkojmë nga KQZ që të marrë masa ndëshkuese për përgjegjësit e kësaj pengese”, vijoi Muhaj. Ndërkohë, deri në momentin që u bllokuan ishin numëruar 27 qendra votimi, ku ishte në avantazh kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Baftjar Zeqaj, me 5441 vota, kundrejt kandidatit Ilir Bele nga e djathta, me 3964 vota, pra me 1477 vota më shumë kandidati i majtë. Ndërkohë që për subjektet politike në këto qendra votimi rezulton që aleanca e majtë të ketë marrë 4339, ndërsa e djathta 3473, pra me diferencë 866 vota. Procesi u rihap rreth orës 21:00, me kthimin e komisionerëve, të cilët pretenduan se ishin të lodhur, duke ndryshuar dhe të dhënat e votimit.
Në qytetin e Ballshit ka përfunduar i gjithë procesi i numërimit. Aty ka rezultuar fitues kandidati i së majtës, Ilirjan Çela, me 3997 vota, kundrejt kandidates së djathtë, Dallëndyshe Allkaj, me 3816 vota. I gjithë procesi në këtë qytet është shoqëruar nga një klimë relativisht e qetë dhe gjithçka ka ecur pa asnjë problem. Kujtojmë se këtë bashki e ka qeverisur në katër vitet e fundit Neim Deraj, i cili përfaqësonte Partinë Demokratike. Ka qenë ora 14:00 kur ka përfunduar i gjithë procesi dhe gongu ka rënë për të majtin, ndërsa edhe si subjekt politik ka fituar PS-ja, me rreth 900 vota në avantazh. Pas shpalljes së rezultateve të majtët kanë nisur të festojnë në këtë qytet, ndërsa nuk ka pasur kontestim për rezultatin nga e djathta. Në qytetin e Patosit janë numëruar vetëm 32 qendra, duke ngelur vetëm 10 të tjera. Në avantazh ka qenë me një diferencë të ngushtë kandidatja e Aleancës për të Ardhmen, Rajmonda Balilaj. Kjo e fundit ka marrë në këto qendra votimi 1530 vota, kundrejt 1439 që ka marrë kandidati rival nga koalicioni i djathtë, Dilaver Kamberaj. Procesi ka përfunduar në komunën e Levanit, ku në mbrëmje u shpall fitues i saj kandidati i majtë, Xheladin Malo, me 815 vota më shumë kundrejt votave të siguruara nga ana e të djathtit, Agim Qejvani.
Fier
Bashkia Lushnjë
Fatos Tushe, PS 4930 vota
Albert Sanxhaku, LSI 3489 vota
Bashkia Patos
Rajmonda Balilaj, PS 1530 vota
Dilaver Kamberaj, 1439 vota
Bashkia Ballsh
Fiton kandidati i PS-së, Ilirjan Çela, me 3997 vota kundrejt kandidates së djathtë, Dallëndyshe Allkaj, me 3816 vota
Komuna Levan
Fiton kandidati i majtë, Xheladin Malo, me 815 vota më shumë kundrejt votave të siguruara nga ana e të djathtit, Agim Qejvani
Fier, kandidatët mungojnë në qendrat e votimit
FIER – Në të gjitha qendrat e numërimit vihet re mungesa e kandidatëve që garojnë për kryetarë bashkish. Ata kanë preferuar që t’i presin rezultatet nga ambiente të tjera, ndërsa në sallat e numërimit të votave kanë qenë të pranishëm shumë vëzhgues, si nga OSBE/ODHIR-i, ashtu edhe nga shoqëria civile, rrjeti i OJF-ve etj. Nga ana e saj, policia e Fierit ka qenë e angazhuar në mbarëvajtjen e të gjithë procesit.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











