Fier, vritet me 14 plumba ndërtuesi. Dy të plagosur

Dec 2, 2011 | 8:43

Ekzekutohet me 14 plumba biznesmeni i ndërtimit. Spartak Spaho, 40 vjeç, nga fshati Zhupan i rrethit te Fierit, u vra mbrëmë nda dy persona ende të paidentifikuar.

Ngjarja që ndodhi në shëtitoren e qytetit shkaktoi jo vetëm panik te qytetarët, por la të plagosur edhe dy kalimtarë të rastësishëm. Policia bëri të ditur se vrasja ndodhi në lagjen “11 Janari”. Viktima është qëlluar nga një distancë e afërt me armë automatike teksa ishte duke ecur në bulevardin kryesor të qytetit. Personat qëlluan me breshëri teksa makina e tyre ishte në ecje, rreth orës 17:40, në vendin e quajtur ish-hotel “Vjosa”. Mësohet se në trupin e 40-vjeçarit janë zbrazur 14 plumba që e lanë të vdekur në vend. Ndërsa u plagosën edhe dy kalimtarë, shtetasit Leonard Toli dhe Dritan Yzeiri. Në momentin e vrasjes, vendi i ngjarjes ka qenë mjaft i populluar, pasi në këtë orë qytetarët bëjnë xhiron e mbrëmjes. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se breshëria e armës shkaktoi panik e ulërima në vend, ndërsa ata panë viktimën që ra në mes të pellgut me gjak i pajetë, si dhe dy të plagosurit e tjerë të përgjakur që kërkuan ndihmë. Dëshmitarët deponuan në polici se viktima po kalonte i vetëm në rrugë. Një automjet me ngjyrë të zezë (i papërcaktuar ende tipi i mjetit), brenda të cilit mendohet se kanë qenë dy vetë, ka qëlluar me breshëri në drejtim të objektivit. Duke shfrytëzuar situatën e krijuar në vend, automjeti me autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës “Aulona”, rrugë që lidh Fierin me qytetin e Vlorës. Mësohet se Dritan Yzeiri, 25 vjeç, ka marrë dy plumba në shpatull dhe në parakrah dhe se gjendja e tij është mjaft e rëndë në spitalin e Fierit. Ndërsa i plagosuri tjetër, Leonard Toli, është plagosur me plumba në të dyja këmbët. Policia e Fierit mbërriti menjëherë dhe gjeti një kasaphanë në vendin e ngjarjes. Një i vdekur, dy të plagosur rëndë dhe qytetarë, disa prej të cilëve mundoheshin të jepnin ndihmë viktimave, e të tjerë që ulërinin të përfshirë nga paniku. Blutë dërguan menjëherë të plagosurit në spital, ndërsa viktimën në morgun e qytetit. Burime nga Mjekësia Ligjore bënë të ditur se plumbat e kishin prekur viktimën në të gjithë trupin dhe në kokë. 40- vjeçari Spaho kishte nisur prej pak muajsh ndërtimin e një pallati, pikërisht aty ku ndodhi vrasja. Ishin hedhur vetëm skelat për katet e para. Kjo është edhe pista kryesore për të cilën kanë nisur hetimet. Blutë konfirmuan mbrëmë se po shihet aktiviteti i viktimës për të zbuluar autorët e ngjarjes së rëndë. Sipas burimeve, po hetohet në dy pista kryesore tek të cilat do të mbështetet hetimi. Njëra, e cila shihet edhe si më e mundshmja, ka të bëjë me ndonjë konflikt pronësie për tokën ku ndërtohej pallati, afër vendit ku ndodhi krimi. Ndërsa një tjetër pistë është ajo e ekzekutimit për larje hesapesh. Kjo, nisur dhe nga një çështje penale që kishte nisur një vit më parë ndaj tij Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Spaho ka qenë i akuzuar për trafik lëndësh narkotike, por në maj të këtij viti, çështja ndaj tij u pushua. Megjithatë, policia bëri të ditur se nuk përjashton edhe pista të tjera për të cilat është ngritur një grup hetimi. Spartak Spaho ishte baba i dy fëmijëve. Ai ishte pronar i një pike ku shpërndahen materiale ndërtimi, kryesisht beton. Të afërm të viktimës thanë se ai kishte ndihmuar shumë qytetarë me probleme sociale dhe ekonomike. Policia e Fierit shoqëroi mbrëmë disa persona, dëshmitarë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë rrëfyer gjithçka kishin parë në momentin e ngjarjes. Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe të afërm të viktimës. Ata kanë mohuar të kenë dijeni në lidhje me ndonjë kërcënim të mundshëm apo konflikt të tij me persona të tjerë. Blutë ngritën mbrëmë postblloqe në të gjitha hyrjet dhe daljet e qytetit në mënyrë që të mos iu linin hapësirë autorëve të dilnin nga Fieri. Por, deri pas mesnate, autorët, që mendohet të jenë të paktën dy persona, ende nuk ishin identifikuar.

 

PRECEDENTI
Tetë vite më parë, po në Fier u vra një ndërtues, njëherazi inxhinier ndërtimi. Gjergji Halo, pronari i firmës së ndërtimit “Shpresa” sh.p.k., u ekzekutua me armë zjarri. Pas një pune të gjatë ku janë përdorur të gjitha metodat e hetimit special, u arrit të administroheshin provat ligjore nga ku rezultoi se kishte qenë shtetasi Fatmir Emini, (Mile Çami), ai që kishte organizuar vrasjen e 47-vjeçarit Gjergji Halo, banues ne lagjen “29 Nëntori”, fqinj i tij. Hetimet zbuluan se ai kishte nxitur të kryente këtë vrasje shtetasin Bledar Yzeiri. Vrasja e krye për motive pronësie, për shkak të një sipërfaqeje toke të cilën Gjergji Halo e kishte blerë për të ngritur një pallat.
MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura