
FIER- Një mbledhje e fshehtë, e palajmëruar më parë, shkarkoi mbrëmë kreun e Këshillit Bashkiak të Fierit, ndërsa u konfirmua një maxhorancë e re me shumicë të djathtë në Këshill. 18 anëtarë të këtij këshilli, ndër të cilët një i PS-së dhe një i PSD-së, shkarkuan kryetaren e Këshillit, Donika Jorgaqi. Në mbledhjen e jashtëzakonshme u prezantua rendi i ditës, i cili kishte 4 pika: Shkarkimin e kryetares së Këshillit Bashkiak dhe zgjedhjen e kryetarit të ri, zgjedhjen e zv.kryetarit të Këshillit, zgjedhjen e përfaqësuesve të Këshillit të Qarkut dhe përcaktimin e 4 përfaqësuesve të Bashkisë në bordin e Ujësjellës sh.a. Në mbledhje munguan anëtarët e majtë, të cilët u shprehën më pas se nuk ishin vënë në dijeni. Ata mbeten tashmë në minorancë, me 17 anëtarë. Sipas radhës se përcaktuar u krye fillimisht mosbesimi për kryetaren Jorgaqi, e cila u shkarkua me 18 vota. Më pas, u votua për kryetarin e ri, nga ku u zgjodh sekretari i prefekturës së qarkut, Vasil Ndreko. Nënkryetare u zgjodh këshilltarja e djathtë Zamira Çaushi. Gjithashtu, u shkarkuan edhe 3 anëtarë, të cilët ishin zgjedhur për në Këshillin e Qarkut. Në vend të Ylli Shehut, Alma Bejtajt dhe Alketa Merdanajt të PS-së u zgjodhën Fatmir Kajolli dhe Admirim Shehu të së djathtës, Aleksander Myrtaj i PS-së dhe Eduard Xhafa i PSD ( këta dy të fundit ishin prezent në sallë). Menjëherë në vend mbërritën kreu i Bashkisë që shoqërohej edhe nga deputetët e PS-së, Albert Caci dhe Armando Subashi. “Edhe natën, në sheshe e rrugë mund të bëhen grupime hienash, por s’do të thotë që ne duhet të ruajmë se ç’mund të bëjnë njerëz të papërgjegjshëm. Kjo është mbledhje antiligjore, pasi aty votuan dy anëtarë, një i majtë dhe një i djathtë, të cilët nuk kishin bërë betimin si këshilltarë, pas largimit të dy të mëparshmeve për arsye personale”, u shpreh kryebashkiaku Zeqaj në një konferencë për shtyp. Në sallën e mbledhjes mbrëmë kishte edhe deputetë të djathtë. m.r











