Fier, ndërtuesi u vra për hakmarrje

Dec 7, 2011 | 13:49
Viktima Spartak Spaho

Gjashtë ditë pas vrasjes që ndodhi në bulevardin e Fierit, policia arriti të arrestojë autorin. Agim Hyka, 33-vjeç, u prangos pas hetimit intensiv të këtyre ditëve, duke qenë se ai ishte një ndër të dyshuarit kryesorë për krimin. Madje, 33-vjeçari ka pranuar se e kishte kryer me dorën e tij vrasjen, pasi kishte marrë hakun e të atit. Ai ka deponuar në polici se viktima, Spartak Spaho, i kishte vrarë babain në Greqi në vitin 1997. Sipas Policisë, pista që po hetohet është mbi një hakmarrje të vjetër, për një vrasje të kryer vite më parë, autor i së cilës dyshohet të jetë viktima Spartak Spaho.
“Shtetasi Agim Hyka, në bashkëpunim me persona të tjerë, rreth orës 17:40 të datës 1 dhjetor, në lagjen “16 Prilli” të qytetit të Fierit dhe konkretisht përballë hotelit “Vjosa”, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri Spartak Spahon, 42 vjeç. Nga të shtënat e armëve janë plagosur edhe dy kalimtarë të rastit”, bëri të ditur dje Policia e Fierit. Mësohet se Hyka është nën akuzë për “vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Blutë janë duke hetuar për të kryer edhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të 33-vjeçarit, ndonëse ky i fundit ka deklaruar se e kishte kryer i vetëm vrasjen. “Unë e ekzekutova se më kishte vrarë babanë”. Kështu mësohet të ketë deklaruar i riu para grupit të hetimit, për vrasjen e biznesmenit 42-vjeçar, Spartak Spaho. Grupi i hetimit është ndihmuar së tepërmi nga një dëshmitar i ngjarjes, më saktë nga një detaj që është vlerësuar nga ekspertët e kriminalistikës, çka solli edhe zbardhjen e krimit që tronditi Fierin. Sipas dëshmisë së tij, pasi është qëlluar nga brenda mjetit, autori i maskuar ka dalë nga makina dhe e ka qëlluar sërish viktimën me armë, si për t’u bindur se ai kishte ndërruar jetë. Madje, ai e ka shoqëruar krimin me thirrje të pakuptimta, por që kishin mjaft urrejtje.
Kjo i ka udhëhequr hetimorët drejt Povelcës, aty ku përreth zonës u gjet edhe një automjet i djegur, që mendohej se ishte përdorur nga autorët. Policia ka mundur të bëjë një lidhje midis viktimës dhe autorit, pasi vite më parë, familja Hyka e kishte akuzuar Spahon për vrasjen e ndodhur në vitin 1997 në Greqi. Madje, policia e kishte hetuar këtë ngjarje, por për mungesë të provave e kishte mbyllur hetimin. Hyka kishte qenë prej shumë vitesh emigrant në Greqi, ndërsa kohët e fundit jetonte herë në emigrim e herë në Shqipëri. Edhe viktima 42-vjeçar mësohet se ka jetuar disa vite në Greqi, në periudhën kur ai akuzohej për vrasjen. Policia tha se zanafilla e krimit të pak ditëve më parë është rreth 14 vjet më parë në Greqi, ku u vra shtetasi Skënder Hyka, babai i Agim Hykës. Në ato vite ai punonte taksist në linjën Fier -Athinë.

© Panorama.al

Te lidhura