Fier, Gjykata ligjëron për Qarkun demokratin Artur Shehu

Dec 27, 2011 | 11:31

FIER – Gjykata e Faktit i jep legjitimitetin si kryetar të Qarkut demokratit Artur Shehu. Vendimi i djeshëm ka lënë në fuqi mbledhjen e datës 16 nëntor të Këshillit të Qarkut, çka e bën këtë mbledhje deri tani të konsiderohet legjitime e po kështu edhe vendimet e prodhuara nga kjo mbledhje, midis të cilave zgjedhja e Artur Shehut si kreu i Këshillit të Qarkut. Gjykata vendosi dje pezullimin e çështjes gjyqësore, që ka të bëjë me kërkesën e kryetarit të Këshillit të Qarkut, socialistit Vangjel Ndreko, zgjedhur në datën 21 shtator, si palë kërkuese kundër Këshillit të Qarkut Fier, përfaqësuar nga kryetari Artur Shehu, i zgjedhur si kryetar i këshillit në mbledhjen e datës 16 nëntor, me objekt “pavlefshmëri absolute të vendimeve të prodhuara nga mbledhja e datës 16 nëntor të këtij viti e Këshillit të Qarkut Fier”. Vendimi është dhënë ditën e djeshme nga gjyqtarja Matilda Shalla. Po dje, Gjykata Fier vendosi rrëzimin e çështjes civile midis kreut Ndreko dhe prefektit të qarkut, Bujar Hasa, e cila kishte si objekt “pavlefshmëri absolute të aktit administrativ të thirrjes së mbledhjes së datës 16 nëntor prej prefektit të qarkut, si dhe bllokim të vulës së institucionit të Këshillit të Qarkut nga ana e prefektit”. Vendimi në emër të Gjykatës Fier është dhënë nga gjyqtari Skënder Damini. Rrëzimi ka ardhur sipas vendimit, për arsyen se ky është një akt shkresor dhe jo administrativ dhe, si rrjedhojë, nuk mund të gjykohet nga togat e zeza fierake. Pala paditëse, e përfaqësuar nga avokat Mimoza Tato si dhe juristi Andjus Olldashi, është shprehur se do të ankimojnë vendimet e djeshme në Apelin e Vlorës. Në këto kushte, deri në një vendim të Gjykatës së Apelit, çështja e Këshillit të Qarkut Fier ngelet ende e mjegulluar. Ndërsa me vendimet e Gjykatës Fier, mbledhja e datës 16 nëntor e Këshillit të Qarkut ngelet legjitime e po kështu edhe vendimet e prodhuara nga kjo mbledhje, midis të cilave zgjedhja e Artur Shehut si kreu i Këshillit të Qarkut.         m.r

© Panorama.al

Te lidhura