Federata Kosovare e Futbollit ka deklaruar se mbështet formimin e një lige të përbashkët me Federatën Shqiptare të Futbollit. Para pak ditësh, KF Prishtina i bëri kërkesë FSHF-së që të mund të merrte pjesë në Superligën shqiptare. Bardhekaltrit kishin kërkuar që së bashku me një skuadër tjetër kosovare të luajnë në kampionatin shqiptar prej edicionit të ardhshëm. Rreth kësaj kërkese, FSHF-ja diskutoi në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, si dhe ka kërkuar një opinion nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s. Por FKF-ja, edhe pse e ka mbështetur nismën e homologes shqiptare, ka qenë kundër pjesëmarrjes vetëm të KF Prishtinës dhe të ndonjë skuadre tjetër kosovare në Superioren shqiptare. “Ne iu përgjigjëm FSHF-së se FFK-ja është pro formimit të një lige të përbashkët, derisa Kosova të pranohet në FIFA e UEFA. Por jo ashtu siç ka kërkuar KF Prishtina. Prishtina në atë rast është ngutur, kur i ka kërkuar FSHF-së vetëm për veten e saj, pa u konsultuar edhe me ne si federatë përpara”, deklaroi dje për mediat kosovare sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Erol Salihu. “Sidoqoftë, ne jemi pro formimit të një lige të përbashkët”, theksoi ai. Nga ana tjetër, Salihu nuk beson se FIFA dhe UEFA do ta mbështesin formimin e një lige të përbashkët mes FSHF-së e FFK-së, sidomos për faktin se Kosova ende nuk është anëtare e këtyre dy organizatave.
Bunjaku/Shqipëria do talentin e Arsenalit
Drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit janë hedhur sërish në sulm për të bindur mesfushorin kosovar të Arsenalit, Alban Bunjaku. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të FSHF-së dhe publikuar nga mediat kosovare. Bunjaku, i cili brenda pak ditësh do të mbushë 18 vjeç, luan me Akademinë e Arsenalit dhe vlerësohet si një nga talentet e futbollit në Angli. Sipas informacioneve, lojtari mund të afrohet shumë shpejt nga trajneri Arsen Venger edhe në radhët e ekipit të parë, ndaj drejtuesit e FSHF-së duan që të marrin “Po-në” e lojtarit para se për të të mësyjnë edhe anglezët.











