
Federata Australiane e Futbollit i ka dhënë një ultimatum klubit të Brisbane Roar, ku luan edhe sulmuesi shqiptar Besart Berisha dhe skuadrës së Sidnejt, që deri ditën e enjte të shpjegojnë incidentin që ndodhi në fund të takimit, ditën e shtunë. Sipas federatës, të dyja klubet duhet të japin shpjegime të arsyeshme se përse ato nuk duhet të ndëshkohen për incidentin në fjalë. FFA i ka kërkuar edhe një shpjegim të hollësishëm Berishës për gjestin që bëri ndaj lojtarit kundërshtar. Berisha i kërkoi mbrojtësit Paskal Boshart që të vinte në tunelin e dhomave të zhveshjes për t’u sqaruar më mirë. Një gjë e tillë është marrë si një kërcënim që kosovari ka bërë ndaj lojtarit tjetër, ndaj edhe me gjasa do të dënohet nga federata, nëse nuk jep një version të besueshëm deri ditën e enjte. Mediat australiane e kanë konsideruar si të tepruar reagimin e Berishës, aq sa sipas tyre nëse një gjë e tillë do kishte ndodhur gjatë ndeshjes (incidenti ndodhi në momentin kur takimi kishte përfunduar), ai do meritonte menjëherë kartonin e kuq. Lojtari nga ana tjetër ka pohuar një ditë më pas se ishte provokuar nga futbollisti i Sidnejt, ndaj edhe reagoi në atë lloj mënyre. Gjithsesi, sipas mediave pritet që federata ta dënojë Berishën të paktën me një gjobë.











