Festuan fitoren e kandidatit të majtë, 6 të plagosur me çifte

May 14, 2011 | 11:05
Një nga të plagosurit në komunën Dardhas në Pogradec

POGRADEC – Pas fitores së kandidatit të majtë, festa e simpatizantëve të kryetarit të ri të komunës është kthyer në një ngjarje të përgjakshme. Gjashtë persona u plagosën teksa po festonin fitoren e kryetarit të komunës Dardhas dhe humbjen e ish-kryetarit Rushan Çela, përfaqësues i së djathtës. Mbështetësit e fituesit janë ndodhur nën buçimën e saçmave të çiftes nga një kundërshtar i tyre politik, mbështetës i ish-kryetarit të komunës. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 të së enjtes, në fshatin Grunjas të komunës Dardhas. Dhjetëra militantë të PS-së kishin mbërritur për të festuar fitoren e kandidatit të PS-së. Sipas policisë, 35-vjeçari Fatmir Pere ka qëlluar me çifte në ajër. Për pasojë mbetën të plagosur 19-vjeçari Klinton Çela, Ildi Shkullaku, Xheni Lico dhe Mandi Beleshko, që të tre 18 vjeç, si dhe 35-vjeçarja Flora Pere. Dëshmitarë të ngjarjes thanë se Fatmir Pere ka qëlluar në ajër, por saçmet kanë kapur pemën dhe disa prej të pranishëmve janë dëmtuar duke pësuar çarje dhe dëmtime në pjesë të ndryshme. “Nuk pamë se nga po qëllonte, në drejtim të turmës, apo në ajër, por dëgjuam të shtënat”, u shprehën dëshmitarët. Banorët deklaruan se Pere kishte qenë i dehur kur qëlloi me çifte mbi turmën që festonte. Incidenti me të plagosur, sipas përkrahësve të kryetarit të ri të komunës Dardhas, ka pasur qëllim politik për faktin se në komunë është votuar më parë djathtas dhe militantët e saj janë revoltuar që festa e socialistëve është vendosur në fshatin Grunjas. “Nuk e kuptova se çfarë ndodhi. Dëgjova të shtëna me armë dhe rashë pa ndjenja. Më çuan në spitalin e Korçës dhe jam përmendur aty. Dhimbje nuk kam, por më thanë se ai kishte qëlluar me armë në pemë dhe nga pema na kapën saçmet”, u shpreh një nga të plagosurit. g.a

“Festa pa leje”

Gruaja e kryeplakut të fshatit, Majlinda Pere, e afërme e të arrestuarit, u shpreh se irritimi i banorëve ka ardhur për faktin se festa ka qenë e organizuar pa leje dhe se militantët e së djathtës nuk kishin qenë dakord për këto festime. Policia bëri të ditur se 35-vjeçari është arrestuar për plagosje të lehtë dhe armëmbajtje.

© Panorama.al

Te lidhura