Një jubile nuk mund të kalojë pa një mbrëmje gala. Kthime e bashkime. Kjo do të jetë mbrëmja festive e 50-vjetorit të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Publik Shqiptar. Përgjatë katër netëve, në datat 26, 27, 28 dhe 29 dhjetor do të zhvillohet edicioni i radhës i festivalit të këngës, i cili këtë vit bën gjysmë shekulli jetë. Krahas garës, e cila do të zhvillohet përgjatë tri netëve (dy netët e para dhe nata e katërt), është parashikuar edhe një natë e tretë, e cila do t’i kushtohet tërësisht nostalgjisë. Plot 26 këngë, të krijuara mes viteve 1962-2000 do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve. Janë të gjitha fituese, por në historinë e këngës shqiptare, kur fituesja jo detyrimisht duhet të ishte më e bukura, por ajo që i kushtohej partisë dhe udhëheqjes, këto janë ato që me të vërtetë e meritonin çmimin e parë. Pavarësisht se kanë kaluar shumë vite, ato vazhdojnë të mbeten të dashura për publikun. Organizatorët e festivalit, udhëheqësi artistik, Shpëtim Saraçi e regjisori Osman Mula kanë menduar që këto këngë, në shumicën e tyre të vijnë të kënduara nga interpretuesit e dikurshëm, por disa do të vijnë edhe prej zërave të rinj. Publiku do të mund të shijojë edhe një herë këngën “Këputa një gjethe dafine” nga këngëtari Gaqo Çako. Një këngë e krijuar në vitin 1968 me muzikë të Limoz Dizdarit e tekst të Xhevahir Spahiut. Po kështu do të vijë një tjetër hit i kohës, krijim i vitit 1969, “Dhuratë për ditëlindje” e kënduar nga David Tukiçi, “Vajzat e fshatit tim” nga Alida Hisku, “Kur vjen pranvera” nga Tonin Tërshana, “Kënga e nënës” nga Sherif Merdani, “Dy gëzime në një ditë” nga Nertila Koka etj. Do t’i rikthehen skenës së festivalit motrat Libohova, Irma e Eranda, me këngën “Nuk e harroj” me muzikë të Agim Krajkës, Frederik e Juli Ndoci e Manjola Nallbani, që fituan festivalin e vitit 1989 me këngën “Toka e diellit”, apo Aleksandër Gjoka, Manjola Nallbani e Viktor Tahiraj me këngën “Pesha e fatit”. Krahas krijimeve të baballarëve të muzikës së lehtë shqiptare, si Daija, Harapi, Mula, Zoraqi, Prodani, Gaci, Shëngjergji, Ibrahimi etj., nuk do t’i mungojnë këtij jubileu edhe krijimet e një brezi më i ri, si Gjebrea, Saraçi, Hila, Çako etj.
Konkurrimi
Nata gala është menduar të zhvillohet në datën 28 dhjetor, pas prezantimit të të gjitha këngëve pjesëmarrëse në këtë festival. Përgjatë dy netëve të para do të prezantohen 28 krijime, që do të ngjisin në skenë këngët e një brezi “të kthyer” kompozitorësh. Kështu, i rikthehet festivalit Flamur Shehu, Lejla Agolli, Shpëtim Kushta, Edmond Veizaj, Ilir Dangëllia, por edhe Elton Deda etj. Siç nuk do të mungojë edhe Edmond Zhulali, Kristi Popa, Kujtim Prodani, Sokol Marsi, Endri Sina. Pas një pjesëmarrjeje të vazhdueshme, shoqëruar edhe me çmime, kanë vendosur të mos bëhen pjesë e këtij festivali kompozitorët Adrian Hila, Pirro Çako apo Ardit Gjebrea. Sa u takon këngëtarëve, ata i përkasin të gjitha brezave. Por duket se më “guximtarët” kanë qenë meshkujt. Duke parë emrat e konkurrentëve, vihet re se bëhet fjalë për rikthime, apo për artistë të konsoliduar, që nga Bashkim Alibali, vëllezërit Prifti, Frederik Ndoci, Bojken Lako, Elton Deda, Altin Goci etj. Kurse nga pala femërore, me përjashtime të vogla (Mariza Ikonomi, Rona Nishliu), të gjitha i përkasin brezit të ri. E nëse çdo vit me një të parë të listës së konkurrentëve mund t’i vije gishtin fituesit, kësaj here do të jetë pak më e vështirë për parashikuesit. Kjo do të zgjidhet vetëm në natën finale, nga do të dalë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës. Tanimë që ditët numërohen mbrapsht, organizatorët kanë shtrënguar përgatitjet. Prej dy ditësh kanë nisur provat me orkestrën e RTSH-së dhe bandën e festivalit, e cila do të drejtohet nga Shpëtim Saraçi. Qysh në prezantimin e parë të skemës së këtij edicioni, drejtori i festivalit, Martin Leka, premtoi se gjithçka në tri netët e garës do të zhvillohet 100% live.
ALMA MILE











