Juria përzgjodhi 20 këngët, të cilat kalojnë në natën finale që do të zhvillohet nesër.
Pas një periudhe të gjatë, më në fund Festivali i Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar i kthehet traditës së të kënduarit 100% live. Një sfidë e marrë përsipër nga drejtori i festivalit Martin Leka, por më së shumti e realizuesve të saj, drejtorit artistik Shpëtim Saraçi dhe bashkëpunëtorëve të tij Alfred Kaçinari e Edmond Zhulali. Nën bekimin e Anjës 6-vjeçare, e cila “bëri këmbë” në skenën e Pallatit të Kongreseve, festivali i 50-të ngriti siparin mbrëmjen e së hënës, me natën e parë gjysmëfinale, për të vijuar dje mbrëma me pjesën e dytë të këngëve. Plot 28 krijime u ngjitën në skenë, nga të cilat nën përzgjedhjen e jurisë, të përbërë nga mjeshtri Zhani Ciko, muzikologia Zana Shuteriqi, kitaristi Edmond Xhani, kompozitori Aldo Shllaku, aktori Ndriçim Xhepa, kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari dhe kantautori Redon Makashi, patën fatin të kalojnë në finale vetëm 20 syresh. Këngët, të cilat “rrahën” më shumë tek baladat, spërkatur edhe me ndonjë këngë rrok (Bojken Lako, Saimir Braho) hip-hop (Dr. Flori), apo me nuanca xhazi (Entela Zhula) u “servirën” në skenë nga treshja e prezantuesve Nik Xhelilaj, Hygerta Sako dhe Enkelejda Zeko. Për Sakon nuk ishte hera e parë që drejtonte një festival dhe ndihej në zërin e saj siguria dhe komoditeti në skenë, ndërsa Enkelejda Zeko mbart eksperiencën e shumë viteve si drejtuese programesh televizive. Për aktorin Nik Xhelilaj ishte hera e parë në rolin e prezantuesit, por duket se gjysmën e parë të këtij cikli katërditor e mbylli më mirë nga ç’pritej. Ndihej dalja nga skenari, përmes batutash, duke thyer monotoninë që të japin shifrat. Por në një jubile, duhen kujtuar të gjithë ata që e kanë ndërtuar këtë festival, qysh në vitin 1962 deri më sot, kështu që një “bilanci” të tillë nuk mund t’i shpëtoje. Mes shumë farë tentativash që janë bërë në lëmin e prezantuesve, të cilat deri diku sfumonin kryefjalën e këtij festivali, që është kënga, mund të thuash se kjo treshe ka qenë ndoshta më normalja gjatë viteve të fundit. Ritmin netëve ia dhanë edhe këngëtarët e ftuar, të cilët performuan në skenën e ideuar nga skenografi Bashkim Zahaj, gjatë kohës që juria vendoste për emrat e finalistëve. Ritmet e këngëve hit të këngëtarit Eddy Wata e të këngëtares britanike Katherine Ellis i erdhën për shtat të rinjve që kishin mbushur sallën, të cilët nuk mund të rezistonin pa u ngritur nga vendi e pa kërcyer. Por vlera më e madhe e këtij edicioni ishte pa dyshim interpretimi live, çka nuk i tradhtoi organizatorët, pavarësisht ndonjë problemi teknik, që në një ndërmarrje të këtillë dhe në një lidhje të drejtpërdrejtë është e kuptueshme. Interpretimi i gjallë të jepte mundësinë të shijoje tingujt e harqeve, pianos, apo tunxheve… dhe pse jo provoi aftësinë e këngëtarëve, për të përballuar një skenë festivali pa superpozim e ku garuesit duhet të mendojnë të interpretojnë këngën dhe jo të kërcejnë.
Pritje
Tashmë, pas mbylljes së netëve gjysmëfinale dhe përzgjedhjes së finalistëve, publiku ka shënjuar disa prej këngëve të preferuara të tij, qysh në dëgjimin e parë. Kanë fituar mbështetjen e publikut këngëtarja kosovare Rona Nishliu me këngën e fuqishme “Suus”, Altin Goci me këngën ritmike “Kthehem prapë”, apo Elton Deda, i cili i kthehej pas shumë vitesh skenës së festivalit me këngën “Kristal”, Xhensila Myrtezaj me “Lule mbledh për hënën”. Ka bërë publikun për vete edhe Dr. Flori me “Personale”, apo Bojken Lako me këngën e tij rrok “Të zakonshëm”. Ndryshe nga edicionet e shkuara, këtë vit është e vështirë që t’i vendosësh gishtin një kënge, apo një këngëtari si fitues. Megjithatë ajo që vendos për çmimin e parë do të jetë juria, e cila do të japë vlerësimin e saj drejtpërdrejt në natën e katërt për këngët finaliste. Juria do të vlerësojë 10 këngë me nga 1-12 pikë (1 deri në 7 dhe 8, 10 dhe 12 për tri vendet e para). Sot ritmi i garës do të thyhet nga mbrëmja gala, kushtuar këngëve më të mira të 50 vjet jetë festivale. Janë 26 syresh që do të na rikthejnë nostalgjinë e këngëve të dashura, të kënduara nga këngëtarë të mëdhenj, si Vaçe Zela, Gaqo Çako, Sherif Merdani, Tonin Tërshana etj. Disa prej tyre do të jenë vetë të pranishëm në këtë mbrëmje, duke u rikthyer pas vitesh në skenën e festivalit.
Këngët finaliste
“Pyete zemrën”- Gerta Mahmutaj
“Këngën time merr vehte”- Bashkim Alibali
“Zgjomë një tjetër ëndërr”- Samanta Karavella
“Mbi çdo iluzion”- Endri dhe Stefi Prifti
“Suus”- Rona Nishliu
“Më kërko”- Rudina Delia
“Vlen sa një jetë”- Marjeta Billo
“Aty ku më le”- Hersi Matmuja
“Kthehem prapë”- Altin Goci
“Kristal”- Elton Deda
“Ëndrra e parë” – Toni Mehmetaj
“Personale”- Dr. Flori
“Mbi yje”- Kamela Islamaj
“Oh… jeta ime”- Frederik Ndoci
“Të zakonshëm”- Bojken Lako & Sam
“Më lër të të dua”- Mariza Ikonomi
“Pa ty… asnjë sekondë”- Iris Hoxha
“Ajër”- Saimir Braho
“Lulet mbledh për hënën”- Xhensila Myrtezai
“Mijëra vjet”- Elhajda Dani
ALMA MILE
© Panorama.al











