Plot 110 filma me metrazh të gjatë e të shkurtër nga të gjitha vendet e botës do të shfaqen përgjatë ditëve të Tirana International Film Festival, i cili hap sot siparin për të nëntin edicion me radhë. Një festival, i cili shtrihet në 6 ditë dhe me një program më të pasur se në edicionet e shkuara. Nga 500 filma konkurrentë janë përzgjedhur vetëm 110 prej tyre, nga 63 vende të botës. Krahas filmit me metrazh të shkurtër artistik, eksperimental e dokumentar, festivali ofron edhe garën në kategorinë e filmit me metrazh të gjatë. Janë 9 syresh që vijnë nga vende të ndryshme, si: Spanja, India, Sllovenia, Italia, Maqedonia etj., ndërkohë që nuk shohim pjesëmarrjen e asnjë filmi shqiptar në këtë kategori. Elementit shqiptar i është kushtuar një kategori më vete, ku marrin pjesë plot 27 filma. Disa nga emrat që do të marrin pjesë në këtë garë janë Aldi Karaj, Rudi Prifti, Gledis Bica, Dritan Mesareja, Kast Hasa, Gentian Koçi, Burbuqe Berisha, Vasjan Lami etj. Po nën ngjyrën nacionale do të vijnë edhe krijimet e studentëve, për të cilët do të ndahet gjithashtu një çmim i veçantë. Edhe këtë vit do të garohet për çmimet e mëdha të festivalit, që nga ata për çdo kategori, për regjinë më të mirë, aktorët më të mirë, nuk do të harrohet edhe çmimi i publikut e i medias. Në të tria juritë profesioniste marrin pjesë emra të mëdhenj të kinematografisë shqiptare, por edhe të huaj. Mund të përmendim regjisorin Dhimitër Anagnosti, regjisorin Kujtim Çashku, apo aktoren Elvira Diamanti. Një anëtar i veçantë i jurisë së filmit me metrazh të gjatë është edhe kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi. Duket se përgjatë 6 ditëve, Sequi do t’i përkushtohet kryesisht kulturës, duke u “ngujuar” në kinema “Imperial” në qendrën “Kristal”.
Programi special
Ashtu si edhe edicioneve të tjera, as këtij viti nuk do t’i mungojë programi special, kushtuar figurave të njohura të kinematografisë botërore. Kështu, gjatë ditëve të festivalit, veç seminareve, takimeve me kineastë të huaj, një hapësirë më vete i është kushtuar aktorit dhe regjisorit italian, Carmelo Bene. I frymëzuar nga strukturalistët më në zë të shekullit XX si Roland Barthes, Jacques Derrida, apo teoricieni i psikanalizës moderne Jacques Lacan, ai lëvroi eksperimentin mbi tekste të njohura dramatike, duke u konsideruar si “shkatërrues” i tekstit. Nga krijimtaria e artistit, i cili është ndarë nga jeta në vitin 2002, do të shfaqen filmat “Hermitage”, “Nostra signora dei Turchi” dhe “Salome”. Po në kuadrin e programit special do të vijnë katër filma të regjisorit italian, Vittorio de Setta, i cili u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë, më 29 nëntor. Fitues i disa çmimeve ndërkombëtare kinematografike, me mbështetjen e Institutit “Luce”, De Setta vjen në Tirana International Film Festival me filmat: “Lu tempu di li pisci spata”, “Pasqua in Sicilia”, “Pescherecci” dhe “Un giorno in Barbagia”. I ftuar special i festivalit do të jetë Piergiorgio Giacche, pedagog i Antropologjisë së teatrit dhe spektaklit në Universitetin e Peruxhias dhe të Romës. Giacche do të zhvillojë takime me studentë e kineastë të rinj.
Programi
27 filma shqiptarë me metrazh të shkurtër12 filma eksperimentalë të shkurtër
9 dokumentarë me metrazh të shkurtër
11 filma të animuar të shkurtër
42 filma të shkurtër artistikë
9 filma me metrazh të gjatë
Juria
Filmi me metrazh të gjatë
Aktorja Elvira Diamanti, drejtoreshë e AQFSH, regjisori Dhimitër Anagnosti, kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, në Tiranë, Ettore Sequi, kineasti Massimiliano Nardulli
Filmi me metrazh të shkurtër
Fotografi Francesco Acone, regjisori Lorenzo Vignolo, regjisori Kujtim Çashku
Filmi shqiptar
Kineasti Zamir Kokonozi, regjisorja Iris Elezi, regjisori Andi Deliana
Juria e medias
Mirjeta Baraliu, Mira Tuci, Alfred Lela
ALMA MILE
© Panorama.al











