
Nis edicioni i 50-të i ngjarjes më të madhe muzikore.
Këngëtarët: Më e rëndësishmja e këtij edicioni është të kënduarit 100% live.
Starton sot edicioni i 50-të i Festivalit të Këngës në RTSH. Janë 28 këngë që do të konkurrojnë për çmimin e parë të festivalit e më pas për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian. Sot është nata e parë, gjatë së cilës do të ngjiten në skenë 14 këngët e para, prej të cilave 10 do të shkojnë në finalen e 29 dhjetorit. Këngët do të përzgjidhen nga një juri e përbërë nga 7 personalitete të fushës së muzikës, por jo vetëm. Juria e këtij viti përbëhet nga Zhani Ciko, Zana Shuteriqi, Edmond Xhani, Aldo Shllaku, Ndriçim Xhepa, Redon Makashi dhe Robert Rakipllari. Në natën finale votimi i tyre do të jetë i drejtpërdrejtë, çka ua shton ca më tepër përgjegjësinë për zgjedhjet e tyre. Këtë vit drejtimin e festivalit e ka marrë në dorë Martin Leka, regjinë Osman Mula, skenarin Pandi Laço e Edlira Birko, ndërsa prezantimin Hygerta Sako, Kreshnik Xhelilaj dhe Enkelejda Zeko. Gjatë netëve nuk do të mungojnë edhe të ftuarit e huaj, me të cilët do të ndahet gëzimi i një jubileu. Përveç që ky edicion përkon me 50-vjetorin e Festivalit të RTSH-së, çka do të thotë një udhëtim i gjatë në rrugën e këngës, ai do të mbahet mend edhe për kthimin në traditën e dikurshme, atë të interpretimit të gjallë (live), por kuptohet me një teknologji shumë më të avancuar se dikur. Orkestrës së RTSH-së, e cila ka qenë gjithnjë live, i është shtuar edhe një bandë muzikore, nën drejtimin e maestro Shpëtim Saraçit, që këtë vit është edhe drejtori artistik i festivalit. Që nga këngëtari, tek baza orkestrale, tek harqet… gjithçka do të zhvillohet drejtpërdrejt nga skena e Pallatit të Kongreseve dhe në ekranin e RTSH-së. Prej shpalljes së këngëve pjesëmarrëse janë zhvilluar çdo ditë prova intensive, të cilat ndryshe nga herët e tjera kanë qenë individuale, çka nga njëra anë ka bërë që këngëtarët të mos njihen qysh herët me këngët e njëri-tjetrit, pra të ketë më pak thashetheme, por nga ana tjetër ka krijuar mundësi që këngëtarët të provojnë e të përmirësohen pa pasur sikletin e kolegëve. Nëse në fillim kjo i ka çoroditur paksa, pasi u është dukur sikur nuk po e “ndienin” festivalin, pas ditë provash të disiplinuara, kjo zgjidhje e Saraçit u është dukur më e mira. Megjithatë prova e zjarrit është sot. Sot do të provohet rezultati i gjithë asaj pune të bërë për muaj me radhë.
Një vit më parë, fitoi çmimin e tretë
Saimir Braho: Qëllimi im të “kap” një këngë, jo një çmim

Saimir Braho i do festivalet. Tashmë ka arritur atë pjekuri sa të pretendojë, jo më për çmime, por për këngë të bukura, të cilat të shkojnë tek publiku. Uron t’ia ketë arritur këtë vit me një këngë të fortë, si gjithmonë me një mesazh drejtuar audiencës. Një ditë para se të konkurrojë, thotë se ajo që këtë vit ia vlen mbi çdo gjë, është të kënduarit live dhe disiplina e vendosur në punë nga maestro Saraçi.
Ju jeni një mik i përhershëm i festivalit, por këtë vit përkon edhe me 50-vjetorin. Është kjo një arsye më shumë këtë vit, për të marrë pjesë?
Po i shmangem qëllimisht pyetjes, sepse nuk është problemi tek 50-vjetori. Kësaj here ajo që bën diferencën nuk është 50 vjet muzikë, por të kënduarit live, niveli artistik, teknik dhe profesional i artistëve. Nuk diskutohet i Orkestrës së RTSH-së, por edhe i bandës që ka sjellë maestro Saraçi. Kjo është një arsye shumë e mirë për të marrë pjesë në festival.
Thonë se Shpëtim Saraçi ju ka vënë në “rreshtore”…
Kur kam ardhur dhe më kanë thënë që nuk lejohet të hysh në prova, si në radio edhe këtu, sepse do zhvillohen vetëm me këngëtarin dhe autorët, atëherë thashë, më në fund ne po ecim në rrugën e duhur. Nuk është çështje rreshtoreje, por edukate. Muzika është kaq shumë delikate dhe për hiçgjë mund të prishet gjithçka. Edhe ajo kërkon disiplinë.
Kënga juaj quhet “Ajër”, ku frymon ajo?
Jam vënë pak përpara paradoksit të jetës sonë. Ka të bëjë me përballjen me realitetin, jo duke protestuar, apo duke i gërthitur, por në një mënyrë krejt tjetër, duke e pranuar atë. Jo duke qenë indiferent, por duke thënë që ka vend për ty, por ka vend edhe për mua. Ka vlera në jetë edhe në këtë vend, që humbasin për shkak se realiteti bërtet për gjëra të tjera, por ka edhe gjëra, që nuk janë të vogla dhe për të cilat ia vlen të jetosh në këtë vend. Ka një tekst të paqtë, por një muzikë luftarake, simforrok.
Pas çmimit të tretë një vit më parë, pretendoni diçka më shumë?
Ajo që pretendoj unë prej ca kohësh (jo që në fillim), është të “kap” një këngë. Kam pasur kënaqësinë të shoh se ç‘do të thotë të fitosh një këngë, që pas festivalit të këndohet nga njerëzit, nëpër koncerte, atje ku luhet muzika live. Kështu që jam aq i pjekur tanimë, që të futem në festival për të “kapur” një këngë, më shumë se një çmim.
Mariza Ikonomi: Këtë vit ia vlen

Në nxitim e sipër, gjithnjë ka thënë se nuk do të marrë më pjesë në festival, por sërish është kthyer. Ka ardhur nga Franca për të qenë e pranishme në këtë edicion, me një këngë të Sokol Marsit, titulluar “Lërmë të të dua”. “Nuk u shpëtojmë dot këngëve të dashurisë, por kjo është një nga ato dashuritë jo fatlume”, thotë Mariza. Sa i përket pjesëmarrjes së këtij viti, ajo është vërtet e kënaqur. “Këtë vit më pëlqen shumë organizimi. Gjithçka është në vendin e vet, që nga provat, aq më tepër të kënduarit live. Ia vlen të marrësh pjesë në këtë 50-vjetor”, thotë Mariza. Sa u përket pritshmërive, ajo tashmë ka mësuar të jetë e duruar. “Nuk e di. Është një këngë që duhet vlerësuar dhe unë shpresoj që juria ta vlerësojë, por më e rëndësishme është të jap një emocion tek publiku e të jap më të mirën, pastaj të tjerat ia lë në dorë jurisë”, thotë Ikonomi, e cila gjithashtu është një pjesëmarrëse thuajse e rregullt në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar. Por deri më tani ka shkuar më së shumti te çmimi i dytë, pa prekur ende të parin. Mariza do të këndojë në natën e dytë të festivalit.
Rona Nishliu: Vij me një eksperiencë personale
Vjen nga Kosova me një kompozim të Florent Boshnjakut

“Më pëlqen të sjell në skenë eksperienca personale. Kështu thotë këngëtarja Rona Nishliu, e cila vjen nga Kosova me një këngë të Florent Boshnjakut dhe tekst të krijuar nga vetë ajo. Fakti që në këtë 50-vjetor ajo ka mundësi të ndajë me të tjerët diçka nga jeta e saj, do të thotë shumë për të. Më shumë se një çmim.
Një 50-vjetor është një arsye më shumë për të marrë pjesë në festival?
Kjo ishte një nga arsyet kryesore pse mora pjesë. Ky është i vetmi festival kaq prestigjioz dhe me këtë histori, me kaq shumë këngë të bukura. Është një dëshmi historike e kulturës shqiptare. Jam e kënaqur që Shqipëria ka një festival me kaq shumë traditë.
Kënga juaj ngjan me një vaj, përse qani?
Realiteti ynë na bën që të mbyllemi e të qajmë, ose në momente të caktuara të dëshirojmë të qajmë. Janë ca faktorë që nuk lejojnë që as gjërat më personale t’i bëjmë ashtu siç dëshirojmë ne. Kohërat dhe rrethanat janë të vështira, ndaj edhe unë qaj. Qaj për shkak të befasive që të sjell jeta. Por është edhe faktori njeri që ndikon.
Ju josh fakti që çmimi i parë shkon në Eurosong?
Mua personalisht, aspak. Jo domosdoshmërisht kënga që fiton është materiali më i mirë. Mund të jetë më i mirë për momentin, për atë rrethanë dhe për atë qëllim për të cilin bëhet. Nëse ti ke bërë një këngë të mirë sipas parametrave të Eurosongut, atëherë ia ke arritur qëllimit, por muzika për mua është më shumë se kaq. Është më shumë se një çmim i parë, apo çfarëdo tjetër çmimi në festival. Është reflektim i përditshmërisë sime dhe unë këtë përpiqem ta jap në mënyrën më të sinqertë të mundshme. Ka shumë artistë që nuk preferojnë të sjellin gjëra personale në skenë, kurse unë dua. Nuk dua të flas për eksperiencat e të tjerëve, por përmes eksperiencave të mia personale, t’u them njerëzve që mund të merrni mësim nga këto, sepse kështu bëhet ose nuk bëhet. Mes gjithë dëgjuesve mund të jetë një 2% me eksperienca të përbashkëta. Nga eksperiencat e njëri-tjetrit mund të mësojmë shumë, që nga më i vjetri, tek më i riu.
Si do të vishen këngëtarët e prezantuesit në edicionin e 50-të
Joni Peçi: Kurimi i imazhit të festivalit, një ëndërr fëmijërie
Jo rrallë festivali i fundvitit ka çaluar tek veshjet, ç’do të sillni ju në këtë drejtim?

Ky festival do të ketë shumë risi, që nga pamja e skenografia, që janë risi këtë vit. Është një investim i jashtëzakonshëm i RTSH-së për këtë 50-vjetor. Janë përdorur led walle gjigante, që sjellin atmosferën e festivalit shumë këndshëm dhe do të sjellin një pamje të jashtëzakonshme vizive. Sa u përket veshjeve, është gjithçka e këndshme, e freskët, në përputhje me personalitetin e prezantuesve dhe këngëtarëve.
Të qëndrojmë tek prezantuesit, si do jetë veshja e tyre?
Kemi tri personalitete të ndryshme, që nuk kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin veç profesionalizmit. Duke pasur parasysh format trupore por edhe personalitetet e tyre, jam munduar të krijoj diçka që ata të jenë sa më komodë në skenë. Në momentin që nuk je komod në veshje, nuk mund të jesh i tillë edhe në prezantim. Por jam munduar që edhe t’i përshtat e harmonizoj me njëri-tjetrin, duke qenë se ata dalin shpesh të tre së bashku në skenë. Kjo e rrit përgjegjësinë, sepse nuk është e thjeshtë ta arrish një gjë të tillë në katër net festival.
Do kuroni edhe veshjet e këngëtarëve?
Unë më shumë sugjeroj sesa imponohem. Ka shumë këngëtarë që kanë ardhur të marrin këshilla tek unë, por duke qenë një festival jubile, ka shumë këngëtarë Big. Kam përzgjedhur të kuroj disa këngëtarë, që janë edhe klientë të ateliesë sime, si Ledina Çelo, Aurela Gaçe, Frederik Ndoci etj. Është e pamundur të merresh konkretisht me të gjithë, por me një pjesë të mirë të tyre jam marrë, duke i ofruar edhe veshje “Joni Peçi”, ndërsa të tjerëve u kam ofruar konsultën time.
Të kuronit imazhin e Festivalit të RTSH-së, ka qenë në ambiciet tuaja?
Për mua është një fat dhe një ëndërr e realizuar që të merrem me imazhin e 50-vjetorit. Kur isha fëmijë, ka qenë vetëm festivali i dhjetorit dhe, kur dilnin këngëtarët, me imagjinatën time mundohesha të krijoja një ide se çfarë ndodhte pas kuintave. Ndërsa sot kam fatin që nga një admirues i thjeshtë, të kuroj këtë festival. Kush mund ta imagjinonte se do të bëhesha një ditë drejtor i imazhit të Festivalit të 50-të të RTSH-së?
ALMA MILE
© Panorama.al











