
Një festë nuk mund të kuptohet pa të ftuarit. Edhe pse edicioni i 50-të i Festivalit të Këngës në RTSH, siç do të shprehej drejtori artistik Shpëtim Saraçi, ka si qëllim parësor muzikën e mirë, nuk do të mungojnë edhe elementët e spektaklit. Ky festival i radhës është menduar si një festë, një natë e veçantë do të rikthejë për nostalgjikët 26 prej krijimeve më të mira të historisë 50-vjeçare të festivalit. Por nuk do të mungojnë edhe të ftuarit. Tanimë janë konfirmuar të ftuarit e natës së parë e të dytë, ndërkohë që pritet edhe konfirmimi i një tjetër ylli të muzikës europiane, bërë e njohur sidomos dy vitet e fundit.
Në datën 26 dhjetor, që përkon edhe me natën e parë, do të jetë i ftuar këngëtari i njohur afrikan i muzikës dance, Eddy Wata.
Ka lindur në vitin 1976, nga një nënë nigeriane dhe babai xhamajkan. Me një origjinë të tillë nuk kishte si të mos niste të merrej me muzikë qysh në moshë fare të re. Prej moshës 18-vjeçare jetoi 4 vjet në Xhamajkë, ku njohu shumë artistë, të cilët i nxitën dashurinë për muzikën rege (reggae). Pas kthimit në Nigeri, ai formoi një grup muzikor dhe nisi të shfaqet në ekranet televizive. Në vitin 2001 ndërmori udhëtimin e parë drejt Europës, ku takoi menaxherë e producentë. Disa prej këngëve të tij më të njohura janë “Jam”, “In your mind”, “The bomb” apo “I love my people”, “The light”, “My dream”, “I like the ay”, “I wanna dance” dhe një nga hitet më të fundit “Señorita”. Në natën e dytë të festivalit pritet të ngjitet në skenë një tjetër emër i njohur i muzikës dance. Bëhet fjalë për këngëtaren britanike Katherine Ellis, e njohur edhe si Kathy Wood, Arrola dhe K. Ellis. Katherine ka nisur të këndojë qysh herët, dhe që prej moshën 15-vjeçare ka qenë soliste dhe backing vocals. Ka punuar me Belinda Carlisle, Chaka Khan, Boy George e Roger Sanchez. Gjatë karrierës së saj numëron shumë bashkëpunime me të tjerë emra të njohur të muzikës dance, si Freemasons, Soul Avengerz, Dave Lee, Roger Sanchez, Meat Katie, Dylan Rhymes, Lee Coombs e Tom Stephan. Nga 1997 në 2000, Ellis ka qenë vokaliste e Ruff Driverz, dhe ka kënduar “Deeper love”, “Don’t stop”, “Shame” dhe një hit ndërkombëtar si “Dreaming”. Në vitin 2008, ajo realizon këngët “When you touch me” me Freemasons, “Ain’t nothin’ goin’ on but the rent” me 7th Heaven (Hard2Beat), “Poza (Got what I need)” me Countparis (Eyezcream), “Do it”, me DJ Prom (GFab), “Gotta get through”, me Paul Emanuel & Gav McCall etj.
Provat
Dje, në sallën e Pallatit të Kongreseve nisën provat e këngëtarëve për edicionin e 50-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Pas ditësh të tëra përgatitjesh, në sallën e provave të RTSH-së, konkurrentët u ngjitën në skenën që mban firmën e skenografit Bashkim Zahaj. Një skenë moderne, e mbështetur më së shumti në lojën e dritave dhe që i vjen për shtat shkëlqimit të një jubileu. Por padyshim, pika më e fortë e këtij edicioni është interpretimi 100% live si nga këngëtari, por edhe orkestra e banda muzikore. Nuk do të ketë baza orkestrale të regjistruara dhe instrumentistë që bëjnë sikur luajnë. Gjithçka do të ndodhë në skenë, përpara syve të spektatorit. Kjo e bën edhe më të vështirë garën e këtij viti. Këngëtarë, instrumentistë, organizatorë…, të gjithë kalojnë në provën e zjarrit…
ALMA MILE











