Festime dhe tension në selitë e PD dhe PS

May 15, 2011 | 11:06

Selia e Partisë Socialiste dhe ajo e Partisë Demokratike u shndërruan dje në vend pelegrinazhi për anëtarët dhe simpatizantët e tyre. Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave në KZAZ-në Nr.49, qindra mbështetës u grumbulluan para dhe brenda selisë rozë duke festuar. Por kjo seli dje përjetoi momente krejt të ndryshme. Që me nisjen e numërimit të votave në Njësinë Nr.5, qindra mbështetës u “ngulën” para monitorëve të shumtë të studiove televizive që ishin instaluar në hollin e selisë rozë në katin e parë. Tre kutitë e para që nisën të numëroheshin dje rreth mesditës, shkaktuan tek militantët ankth dhe shqetësim rreth një pamundësie të Ramës për të përmbysur rezultatin e Bashës, i cili avanconte me 463 vota më shumë. Me zemër të ngrirë, mbështetësit e PS përcillnin çdo votë që numërohej live në televizionet e ndryshme, duke brohoritur për rezultatin final të tyre. Kutia e fundit u kthye në makth për shumë nga simpatizantët, një pjesë e të cilëve u largua nga ekranet e televizioneve, për shkak të ngarkesës së madhe emocionale dhe u ulën në lokalin prapa selisë rozë. Vetëm kur rezultati përfundimtar u qartësua, atëherë ata kanë nisur festimin. Ndërkohë, kur KZAZ nisi të numërojë votat e kutisë së fundit, një grup simpatizantësh të Partisë Socialiste u grumbulluan para KZAZ-së Nr.49 tek shkolla “Vasil Shanto” për të mbështetur garën e kreut socialist. Një garë e vërtetë jashtë sallës ku numëroheshin fletët e votimit u zhvillua për minuta të tëra. Përballë simpatizantëve të PS mbërritën dhe mbështetës të Partisë Demokratike që thërrisnin për Lulzim Bashën. Policia u mundua të shmangte çdo përplasje mes tyre, ndërsa nuk vonoi shumë që të nisnin dhe festimet me makina me flamuj të partive, kryesisht të Partisë Demokratike që shëtisnin rrugëve të Tiranës. Kjo situatë vazhdoi përreth 45 minuta, kur herë njëra palë e herë tjetra, ndihej fituese, për shkak të paqartësisë në diferencën në vota mes dy kandidatëve. Pas firmosjes se procesverbaleve të fundit në KZAZ-në 49, deputetë socialistë dolën nga shkolla “Vasil Shanto” dhe të mbështetur nga simpatizantët e tyre, u nisën drejt selisë rozë. Festa kishte nisur për ta. Por gjata gjithë rrugës, në të dyja anët e Lanës, nuk pushuan së shëtituri makina me të rinj që mbanin flamuj të PD-së dhe foto të Lulzim Bashës. Asnjë incident nuk u shënua, ndërkohë që çdo palë ndihej fituese. Tek sheshi para selisë rozë, që është në rikonstruksion, ishin grumbulluar qindra e mijëra mbështetës të të gjitha moshave që thërrisnin emrin e Edi Ramës. Ata pritën më shumë entuziazëm daljen e Ramës, i cili mbajti fjalimin e tij të rastit. Shumica e deputetëve socialistë ndodheshin në selinë rozë për të uruar kryetarin e tyre. Por festimet zhvilloheshin paralelisht edhe në selinë blu, ndërsa rrugëve të Tiranës makinat me flamuj të PD-së nuk pushuan për një kohë të gjatë. Entuziazmi përfshiu sheshin para PD-së, në mbështetje të PD-së dhe kandidatit të saj, Lulzim Basha. Pas përfundimit të fjalës së Edi Ramës, Basha doli para mbështetësve të tij në trotuarin para hyrjes së selisë blu ku i kërkoi simpatizantëve të presin me qetësi rezultatin e certifikuar të zgjedhjeve. Pas këngëve dhe valleve nga të dy selitë, simpatizantët u larguan pas disa orësh duke pritur ditën e sotme dhe KQZ për t’u thënë zyrtarisht se cili është fituesi.

© Panorama.al

Te lidhura