Festë te Tirana, tani Rubio kërkon titullin

Jan 13, 2012 | 12:54

Trajneri i Tiranës, Hulian Rubio

Rikthehet qetësia, futbollistët premtojnë besnikëri, trajneri shpall objektivat.

Spanjolli: Me financa të sigurta do të synojmë kreun.

Premtimi i bërë nga kryebashkiaku Basha për likuidimin e pagave të pashlyera brenda së shtunës u ka ndryshuar mendjen futbollistëve, të cilët kanë vendosur të mos largohen. Ruajtja e grupit ka gëzuar jo vetëm tifozët, por edhe trajnerin Hulian Rubio. Ky i fundit në seancën e djeshme ka transmetuar siguri, një shprehje që pa dyshim vjen si pasojë e zgjidhjes së ngërçit financiar. Madje, në deklaratën e dhënë për mediat, spanjolli për herë të parë ka dalë hapur, duke shpalosur  objektivat e Tiranës së tij. “Ndihemi më të qetë, premtimi i bërë nga kryebashkiaku ishte më shumë se bindës dhe kjo sigurisht që na ka dhënë siguri. S’më mbetet gjë tjetër veçse ta falënderoj zotin Basha dhe pas kësaj pjese, sigurisht që t’i futemi punës. Më është ofruar edhe një rinovim, por kjo mbetet për t’u diskutuar. Me ruajtjen e grupit dhe nëse më plotësohen kërkesat për disa lojtarë që i dua në ekip, pa dyshim që do të luftojmë hapur për titull. Për momentin më nevojitet një sulmues, por deri në gjetjen e tij s’mund të jap emër”, kështu është shprehur trajneri. Shkodrani Gilman Lika, ndonëse e ka depozituar në federatë kërkesën për prishjen e kontratës, përfundimisht ka vendosur të qëndrojë. “Premtimi është më bindës, duke qenë se doli nga goja e vetë kryebashkiakut, ai që ka në dorë gjithçka. Fjalët e tij sigurisht që na qetësuan, pasi me atë çka u tha, brenda së shtunës do të likuidohemi. Pas kësaj pjese, qëndrimi im është i sigurt. Unë e kam thënë me mijëra herë që dëshira nuk ishte për t’u larguar, por kushtet dhe situata që u krijua po na detyronin që të merrnim një vendim të tillë. Tashmë më duhet që të tërheq edhe kërkesën që kam bërë në federatë për zgjidhjen e kontratës, pasi unë mbetem bardheblu dhe do ta respektoj atë çka kam firmosur”, tha mesfushori i përfaqësueses sonë kombëtare. Siç dihet, edhe Bekim Bala kishte kërcënuar me largim, por tashmë premton besnikëri. “U bënë disa kohë që kërkonim zgjidhje, mirëpo ajo nuk po vinte. Por mendoj se me mbledhjen e fundit që patëm me kryetarin e Bashkisë çdo gjë u sqarua, i cili na tha që brenda javës do të merren dy rroga. Ne donim siguri dhe nëse kjo na ofrohet, atëherë s’kemi arsye që të lëvizim. Premtime na janë bërë shumë, por e ndiej që këtë herë është ndryshe. Këtë e bazoj te fakti që zgjidhja është shumë afër në hark kohor, brenda javës. Oferta kam pasur shumë, pasi duke parë gjendjen që po kalonim na bëri t’i shqyrtonin kërkesat”, përfundoi i riu, i cili vetëm dy ditë më parë mbushi 21 vjeç.

Muça i lirë, pritet te Tirana
Pas Danajt e Nimanit, mësohet se edhe Gentian Muça është lënë i lirë nga Vllaznia. Lojtari ka qenë një nga afrimet më të bujshme që tekniku Josa bëri në verën e 2011-s, por tiranasi duket se nuk ka bindur asnjëherë drejtuesit e klubit, si dhe ata të pankinës me paraqitjen e tij. Muça ka qenë një ndër emrat më të kritikuar nga ana e specialistëve shkodranë, ndaj edhe për të është marrë vendimi i zgjidhjes së kontratës. Ndërkohë, sipas të gjitha gjasave, lojtari do të kthehet edhe një herë te Tirana, ku luajti sezonin e kaluar. Bisedimet mund të nisin që sot për të detajuar edhe kontratën e re me klubin bardheblu.

Skënderbeu, vjen një portier
Skënderbeu “çudit” në merkato, afron një portier sllovak për të rivalizuar durrsakun Orges Shehi. Në stërvitjen e parë të skuadrës korçare në tokën turke është vënë re prania e një portieri, emri i të cilit mbahet sekret nga ana e klubit. Mësohet se ai njëkohësisht do të bëjë edhe detyrën e përgatitësit të “gardianëve”. Kjo ka qenë një kërkesë e vetë trajnerit Stanislav Lev, për të pasur një alternativë tjetër në portë, përveç të zakonshmit Shehi. Ky i fundit, edhe këtë sezon po shkëlqen me Skënderbeun, ndërkohë që si portier i dytë është Erion Llapanji.

Vllaznia fiton miqësoren ndaj Prishtinës
Vllaznia ka arritur një fitore në miqësoren e parë të zhvilluar në këtë fazë përgatitore ndaj ekipit të Prishtinës. Skuadra e drejtuar nga tekniku Rudi Vata ka bërë një paraqitje të mirë përballë kosovarëve, falë golave të Hajdarit dhe Hasanit. Për ekipin e Vllaznisë, ky ka qenë më tepër një test për lojtarët të cilët ishin në provë pranë kësaj skuadre: Singbo, Moreno dhe sulmuesi kroat Vuk. Në fund të ndeshjes, tekniku shkodran ka qenë mjaft i rezervuar në komentet lidhur me paraqitjen e këtyre lojtarëve, por më së shumti ka vlerësuar lojën e skuadrës në tërësi. “Ishte një ndeshje e kënaqshme dhe konkretisht jam i kënaqur me atë që lojtarët në përgjithësi treguan në fushën e lojës”, tha Vata.

© Panorama.al

Te lidhura