Festat e fundvitit, rradhë të gjata në Kakavijë

Dec 19, 2011 | 17:39

KAKAVIJË- Kakavija është shndërruar në një ferr të vërtetë për emigrantët që kanë mbërritur në dy ditët e fundit përmes saj me qëllim kalimin e festave të fundvitit në familjet e tyre. Më shumë se katër orë kanë qëndruar në radhë për të kaluar në territorin shqiptarë, mbi 5000 emigrantë mbrëmjen e së dielës duke u gdhirë e hëna.

Mungesa e kapaciteteve kontrolluese nga ana e grekëve, ka sjellë radhë kilometrike në territorin helen dhe rrjedhimisht edhe reagime negative nga ana e njerëzve që prisnin. Rreth 3 km ka qenë radha e automjeteve që prisnin në territorin grek për të kaluar në Shqipëri. Pala greke ka punuar me një kontrollor të vetëm për vulosjen e pasaportave, ndërkohë që autoritetet kufitare shqiptare kishin në gadishmëri 8 të tilla, e gjithë kjo vetëm për të mos krijuar konfuzion në radhët e emigrantëve.

Qytetarët, kanë shprehur revoltën e tyre duke theksuar se autoritetet greke kanë punuar qëllimisht me një sportel për të krijuar zemëratë të qëllimshme ndaj nesh. Qytetarët thonë se grekët krijojnë probleme të tilla vetëm e vetëm që mos të marrim rrugën për në vendlindje, por të shpenzojmë të ardhurat tona tek vendi i tyre. Në 24 orët e fundit, kanë kaluar 5 mijë shtetas shqiptarë me qëndrim rezident në Greqi, si dhe 1200 automjete prej të cilave 100 vetëm autobuzë të kompanive të ndryshme të udhëtarëve.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura