Disa prej tyre do të promovojnë këngë, videoklipe apo albume, disa të tjerë janë të prenotuar në koncerte. Disa do të kapërcejnë oqeanin e disa do të jenë brenda Unazës së Tiranës. Por e përbashkëta e të gjithë këngëtarëve shqiptarë në festat e këtij fundviti është puna “në terren”. Sigurisht, ajo që paguhet cash dhe më shumë sesa në çdo periudhë tjetër të vitit. Të lidhur ngushtë me paranë, dollarin dhe sidomos me euron, në ditët kur të gjithë njerëzit mendojnë se si do të festojnë, këngëtarët tanë mendojnë se si do të fitojnë. Shumica prej tyre e dinë tashmë dhe, pasi të lexoni këtë shkrim, do ta dini edhe ju. Për shembull, Vedat Ademin do ta keni si gjithmonë nëpër lokalet e ish-Bllokut, ku do të këndojë muzikë “live”, Rozana Radi do të jetë në Elbasan dhe Tiranë, motrat Beatrix dhe Argentina Ramosaj në Kosovë, këngëtarja labe Poni në Itali etj.
Elvana dhe Flori, Krishtlindje në New York
Pas suksesit dhe komenteve të shumta gjatë turneut në Kanada, Flori Mumajesi dhe Elvana Gjata kanë udhëtuar drejt New York-ut për koncertin e tyre të radhës, me rastin e Krishtlindjeve. Bashkë me ta, do të jetë edhe Andy Dj, një treshe që së fundmi po shfaqet në të gjitha lokalet më të mira shqiptare. Tashmë është konfirmuar që koncerti organizohet nga “Dukagjini Production” dhe do të mbahet në “Highline Ballroom”. Nga ana tjetër, Elvana Gjata dhe Flori janë në pritje të publikimit të një videoklipi të ri me titull “S’të mbaj inat”, të cilin do ta shfaqin për Vitin e Ri.
Alban Skënderaj promovon albumin në Zvicër
Ja edhe një tjetër promovim. Alban Skënderaj duket se ka menduar për një rrugë e dy punë. Ashtu si edhe kolegë të tjerë të tij, për Krishtilindje ai do të jetë në Zvicër, në diskon e madhe që njihet më së shumti nga shqiptarët, “Rinora 4”, ku do të reklamojë albumin e tij “Ende ka shpresë”. Ai do të jetë këngëtari i mbrëmjes, ndërsa do të shoqërohet nga disa kolegë dhe Dj, si: Mc Beka, Mc Mondy, Dj Kont, Dalool, Dj Muli. Të gjithë së bashku do të sjellin për publikun e diskos këngë shqip, muzikë house, hip-hop, RNB dhe Reggaeton.
Sinani dhe Seldi marrin Medën në Suedi
Sinani dhe Seldi rikthehen në koncertet e përbashkëta. Për festat e fundvitit, ata janë të preferuarit e shqiptarëve në vendet skandinave. Të paktën kështu janë përzgjedhur nga menaxherët e tyre dhe gjithçka vjen e konfirmuar. Pas gjithë rrëmujës dhe zënkave që patën, ata të dy do të jenë bashkë në Suedi. Në fakt, do të jenë tre. Një tjetër mashkull do të jetë në mes të Sinanit dhe Seldit. Bëhet fjalë për këngëtarin nga Maqedonia, Mehedin Përgjegjaj – Meda. Ai është i ftuar special i çiftit të këngëtarëve Sinani-Seldi, pasi së bashku do të prezantojnë për herë të parë këngën “Kuq e zi”, në bashkëpunim me Medën.
Rezarta, Redoni dhe Ronela në Durrës
Të tre këngëtarëve që u fillon emri me gërmën “R”, janë të përzgjedhurit e një diskoje të njohur në Durrës. Rezarta Shkurta, Redon Makashi dhe Ronela Hajati do të jenë të ftuar më 31 Dhjetor tek “Whispers Club” në Golem. Një ambient familjar me muzikë të qetë, që siç duket ua ofron Redoni, por edhe Rezi me këngët e saj të fundit. Ndërsa për pas mesnate kanë edhe Ronelën, që mund t’i “shkundë” me ritmet e saj.
Shpati dhe Afërdita, festë amerikane
Afërdita sapo ka publikuar këngën e re dhe për promovimin e muzikës së saj gjithnjë ka pasur pranë të fejuarin, Shpat Kasapin. Kështu do të ndodhë edhe kësaj here. Ata do të promovojnë së bashku këngën e re “Komplikimi” në New York, por edhe do të paguhen njëkohësisht. Madje, për dy net me radhë, në datën 31 Dhjetor dhe 1 Janar. Duket fillim i mbarë, sa i përket portofolit të çiftit për vitin 2012. Ua urojmë dhe lexuesve të njëjtin fat.











