
Prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, nuk ligjëron vendimet e mbledhjes së 25 nëntorit, kur Këshilli i Qarkut miratoi buxhetet e dy viteve. Bllokimi i këtij vendimi penalizon edhe 768 familje që marrin ndihmë ekonomike. Si pasojë e konfliktit të krijuar për legjitimitetin e krerëve të Këshillit Bashkiak apo të Këshillit të Qarkut, familjet në nevojë financiare kanë mbetur pa marrë pagesën prej 3700 lekësh prej katër muajsh. Tashmë që festat e fundvitit po afrojnë, kryefamiljarët shpresonin të zhbllokohej situata dhe ata të mund të marrin pagesat e mbartura prej muajsh, të paktën për të festuar me fëmijët e tyre natën e ndërrimit të viteve. Dje, prefekti Hasaj, përmes një shkrese zyrtare, ka deklaruar se nuk njeh procedurën e mbledhjes së zhvilluar më parë nga Këshilli i Qarkut, ndaj ai nuk miraton asnjë nga vendimet. Problemi me ndihmat ekonomike është mbyllur këtu për këtë vit, kur Dega e Thesarit në Fier ka deklaruar se afati i fundit për të bërë veprime dhe xhiruar lekët ishte pikërisht dita e djeshme deri në orën 12:00. Pas kësaj ore nuk mund të bëheshin veprime. Nënkryetari i Bashkisë së Fierit, Florjan Muçaj, u shpreh se prefekti, edhe nëse e ka parë si jo të arsyeshme mbledhjen, duhej që së paku të kalonte ndihmat ekonomike. “Me keqardhje na duhet të bëjmë me dije të 768 familjet që përfitonin ndihmë ekonomike se nuk do t’i marrin dot ato. Na ka ardhur përgjigje negative nga prefekti, e cila është e pamotivuar si ligjërisht edhe moralisht. Prefekti pretendon se punon për të ndihmuar të varfrit dhe familjet në nevojë, por sot për të disatën herë na konfirmoi të kundërtën, duke u privuar këtyre familjeve të festojnë festat e fundvitit. Kjo ishte dhurata për ju qytetarë, nga prefekti ynë”, u shpreh Muçaj. Argumenti i prefekturës për mosnjohjen e vendimeve të 25 nëntorit kishte të bënte me procedurën e zhvillimit të mbledhjes. Një ndër pikat ishte njoftimi i këshilltarëve pa respektuar afatet kohore prej 5 ditësh. Një tjetër pikë e kontestuar ishte zhvillimi i mbledhjes së Këshillit nga zv/kryetari i Këshillit të Bashkisë, Sokrat Ikonomi, ndërkohë që sipas prefekturës kjo duhej bërë prej Vasil Ndrekos, i cili njihet ligjërisht prej saj si kryetar i Këshillit Bashkiak. Një tjetër argument drejtuar Bashkisë ka qenë edhe buxheti i vitit 2012, që sipas prefektit është hartuar pa u marrë vesh me komisionet përkatëse, grupet e interesit dhe as me komunitetin. Muçaj pohoi dje se buxheti ka qenë një punë 1-vjeçare dhe se është hartuar në konsultë të plotë me grupet e interesit, komisionet përkatëse. Banorët paralajmëruan se do të protestojnë në ditët në vazhdim.
Ndreko: Nuk është faji im

Banorët që prisnin të merrnin ndihmën ekonomike të katër muajve bashkë, kanë shkuar dje të irrituar për të takuar prefektin. Por në mungesë të tij, ata janë pritur nga sekretari i përgjithshëm i Prefekturës, Vasil Ndreko. Ky i fundit i ka pritur ata në cilësinë e kreut të ri të Këshillit Bashkiak, duke u dhënë të drejtë në ankesat e tyre. “Nuk është faji im që ju mbetët në këtë gjendje. Ne kishim rënë dakord që të kalonin ndihmat ekonomike, por nga ana e Këshillit na erdhën, veç ndihmës ekonomike, edhe 18 vendime të tjera që ishin jashtë marrëveshjes sonë. Mua nuk ma solli njeri shkresën, siç e kërkuan që të firmosej kalimi i lekëve për ju”, u shpreh Ndreko.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











