TIRANË- Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka vendosur ndëshkimin me gjobë për ato subjekte politike që nuk respektuan kriterin e gjinisë në listat për kandidatë në zgjedhjet e 8 majit.
Sipas kodit, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore një në cdo tre emra duhet t’i përkasë secilës gjini. KQZ beri verifikimet për 6806 ( gjashtëmije e tetëqindë e gjashtë), lista zgjedhore të depozituara nga 54 parti politike të cilat morën pjesë në zgjedhje.
“Nga verifikimi rezultoi se vetëm një parti, Partinë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë e cila ka regjistruar lista shumëmërore në zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, ka respektuar kriterin e gjinisë, një në cdo tre emra i përkiste secilës gjini. 53 parti të tjera nuk kanë respektuar kriterin e gjinisë në disa zona zgjedhore”- vlerësohet ne raportin e KQZ-se.
Sipas komisionit, në përputhje me neni 175 të Kodit Zgjedhor mospermbushja e detyrimeve të parashikuara në fjalinë e fundit të pikës 6 të nenit 67 të këtij kodi nga ana e subjektit zgjedhor, dënohet me gjobë nga KQZ-ja me 30 000 mijë lekë për çdo zonë zgjedhore.
Kështu, Partia Socialiste është ndëshkuar me një gjobë prej 7.260.000 (shtatëmilion e dyqindë e gjashtëdhjetë mijë) lekë.
Lëvizja Socialiste për Integrim është gjobitur me 6 milion e 360 mijë lekë dhe më pas Partia Demokratike me 4 milionë e 590- mijë lekë.
© Panorama.al











