Fëmijët e Berishës i kërkojnë Tahirit 8 mln lekë dëmshpërblim

Jun 15, 2012 | 18:34

TIRANE- Tetë milionë lekë është shumë që fëmijët e kryeministrit Sali Berisha, Argita dhe Shkëlzen kanë kërkuar dëmshpërblim nga deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri. Deklarata është bërë sot nga avokati i tyre mbrojtës, i cili tha se dëmshpërblimi në masën 8 milionë lekë të reja vjen si dënim moral që u ka bërë me deklaratat për korrupsion.

Në fazën përmbyllëse të gjyqit mes deputetit Tahiri dhe fëmijëve të kryeministrit, avokati tha se i kërkuar gjykatës që të detyrojë Tahirin të paguajë shumën me 4 milionë lekë secilit nga pala e dëmtuar.

Ndërkaq deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri e quajti procesin gjyqësor një parodi, duke akuzuar gjykatën dhe gjyqtarin se janë kthyer në avokatët e fëmijëve të kryeministrit.

“Kam këtu vetëm një fakt, bazuar vetëm në deklaratat e pasurive të fëmijëve të kryeministrit. Shkëlzen Berisha në vitin 2006 ka pasur 90 milionë lekë të vjetra, në vitin 2011- 630 milionë lekë të vjetra. Argita Berisha ka deklaruar pasurinë në vitin 2006 – 880 milionë lekë të vjetra, në vitin 2011 – 1 miliard e 820 milionë lekë të vjetra.”- tha Tahiri në prononcimin e tij për mediat.

Duke e konsideruar këtë kapërcim fantastik pasurie, të pajustifikuar, Tahiri tha se për këtë arsye i ka thirrur në gjykatë, të vinin e të provonin si dëshmitarë pasurinë e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura