FBI, predha e kreut të Gardës vrau Faik Myrtajn

Jan 24, 2012 | 11:07

Nga ngjarjet e 21 janarit

Fshehja e provave, i ndërroi tytën armës së tij me atë të shoferit

Prokuroria: Gjenerali Ndrea Prendi qëlloi 11 herë me pistoletë në drejtim të turmës
Komandanti i Gardës së Republikës, gjeneral Ndrea Prendi, është vënë në akuzë për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj një vit më parë, përballë Kryeministrisë në Tiranë. Sipas ekspertizës së kryer nga FBI-ja në SHBA me kërkesë të Prokurorisë shqiptare, kreu i Gardës ka qëlluar 11 herë në drejtim të turmës dhe katër gëzhoja janë gjetur në zyrat e UNHCR-së, një është gjetur në një pemë dhe e pesta është gjetur në trupin e demonstruesit të vrarë. Sipas Prokurorisë, kreu i Gardës, pasi ka kuptuar se kishte kryer vrasjen, i ka ndërruar tytën armës së përdorur prej tij më 21 janar me pistoletën e shoferit të tij, efektivit të Gardës, Margarit Kume. Më poshtë, gazeta “Panorama” publikon kërkesën e plotë të Prokurorisë drejtuar Gjykatës së Tiranës për masën e arrestit me burg ndaj komandantit të Gardës, Ndrea Prendi. Pas masës arrest shtëpie nga gjykata, ai u paraqit dje në Prokurorinë e Tiranës, ku iu njoftua akuza dhe veç kësaj, dha deklarime duke pranuar se më 21 janar ka qëlluar me armë në ajër.

Kërkesa e Prokurorisë
Në datën 21 janar 2011, Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penal nr. 285 për veprat penale “vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “shkatërrim i pronës me zjarr”, “shkatërrim i pronës”, “shpërdorim i detyrës”, “goditje për shkak të detyrës”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të papërsëritshme të kryera nga ana jonë, administrimi i provave shkresore dhe deklarimet e shtetasve të ndryshëm, rezulton se:
Në datën 21 janar 2011, nga ana e subjektit politik Partia Socialiste e Shqipërisë ishte njoftuar zhvillimi i një tubimi masiv në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tubim të cilin subjekti politik në fjalë ka njoftuar me shkrim Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë, si organ i ngarkuar në bazë të ligjit për miratimin dhe mbarëvajtjen e tij.
Sipas programit të tubimit, rreth orës 14:00, protestuesit kanë ardhur më këmbë nga sheshi “Skënderbej” dhe kanë ndaluar para godinës së Kryeministrisë. Nga ana e policisë janë marrë masa për sigurimin e rendit dhe për ruajtjen e godinave duke krijuar kordonë sigurie me forca policore të rendit dhe forca speciale të ndërhyrjes së shpejtë.
Pasi protestuesit janë vendosur para kësaj godine, persona nga turma kanë qëlluar me sende të forta forcat speciale të policisë të vendosura në mbrojtje të institucionit, të cilat kanë reaguar dhe më pas ka pasur të shtëna me armë zjarri, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Aleks Nika, si dje kanë pësuar dëmtime të ndryshme po me armë zjarri edhe disa persona të tjerë, pjesëmarrës në këtë grumbullim.
Në trupin e viktimës Faik Myrtaj u gjet një predhë arme zjarri, kalibër 9 mm, me pamje të rregullt, me formë cilindrike me majë sferike, me gjatësi 14.8 mm dhe peshë 7.472 gramë.
Në kokën e viktimës Aleks Nika u gjet një predhë arme zjarri e deformuar, kalibër 9 mm, me gjatësi të plotë 11.5 dhe gjerësi në njërin drejtim 8 mm dhe në drejtimin tjetër 11 mm. Në momentin që është qëlluar viktima ndodhej afër vendit ku ndodhej edhe Faik Myrtaj.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, të kryer në datën 29 janar 2011, në një nga pemët dekorative është gjetur dhe sekuestruar një predhë vetëm me një përmasë të shprehur, 9 mm, e cila është përshkruar në procesverbalin përkatës.
Në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i dytë, zyra nr. 7, u gjet një predhë arme zjarri e dëmtuar, me kalibër 9 mm dhe gjatësi 12.5 mm.
Në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i tretë, zyra nr.12, u gjet një predhë armë zjarri e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 12 mm.
Në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i tretë, zyra 12, u gjet një predhë armë zjarri e dëmtuar me kalibër 9 mm, me gjatësi 13 mm.
Në objektin e Kryeministrisë, në anën veriperëndimore të saj, pikërisht në derën metalike të hyrjes së automjeteve, brenda profilit metalik të derës, u gjetën dy copa metalike me përmasa të çrregullta.
Në oborrin e Kryeministrisë, në anën veriore të tij, u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë qitur nga arma e zjarrit tip “Beretta” e kalibrit 9 mm dhe me numër P 52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi).
Sipas planit të masave të hartuar nga njësia speciale e Gardës së Republikës dhe e miratuar nga Komanda e Gardës, një grup i përbërë prej: kapiten Agrin Aliaj, komandant grupi, toger Spartak Zilja, nënoficer, Meleq Zaimi, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj, do të ishte në gatishmëri për hapjen e zjarrit në rast të çarjes së kordonëve në njësinë e dytë, krahu i djathtë, hyrja e ministrave, krahu i majtë hotel “Rogner”. Ky grup ishte në drejtimin e personit në hetim Agrin Malaj.
Në dinamikë të ngjarjes, efektivat e Gardës janë goditur me sende të forta nga ana e protestuesve që ndodheshin në anën veriore të Kryeministrisë, jashtë gardhit rrethues. Gjithashtu është qëlluar me gurë ana perëndimore e Kryeministrisë. Rreth orës 16:00 është qëlluar me armë zjarri në drejtim të demonstruesve nga efektivët e Gardës Agim Llupo, Agron Malaj, Mark Nikolli, Saik Çela dhe Gazmend Ahmetaj. Këta shtetas kanë qenë nën komandën e personit në hetim, Alfred Ahmetcenaj.
Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga aktet hetimore të administruara në dosje në ambientet e brendshme të Kryeministrisë, ka qenë i pranishëm dhe ka kryer veprime edhe komandanti i Gardës së Republikës, personi në hetim, Ndrea Prendi.
Nga filmimet e bëra nga televizionet e ndryshme të marra me cilësinë e provës materiale, rezulton se viktimat në momentin kur janë qëlluar kanë qenë jashtë objektit (jashtë kangjellave ose gardhit rrethues) ku Ziver Veizi ka qenë në trotuar dhe nuk ka kryer asnjë veprim ose akt dhune. Viktima Hekuran Deda ka qenë së bashku me deklaruesin Fatos Mahmutaj dhe Hysni Peposhi pranë një pishe, të hipur në dy tavolina të vendosura nga gazetarët dhe po shinin demonstratën. Viktima Faik Myrtaj ka qenë në bulevard, në afërsi të Kullave Binjake. Aty afër ka qenë edhe viktima tjetër, Aleks Nika. Të gjithë këta persona kanë qenë shumë larg gardhit rrethues të Kryeministrisë dhe në momentin e vrasjes së tyre këta shtetas nuk kanë qenë duke bërë sulm ose akt dhune ndaj efektivave të Gardës. Edhe të plagosurit kanë qenë jashtë rrethimit dhe janë qëlluar kur nuk ka pasur sulm, si dhe nuk përbënin asnjë rrezik real për jetën apo shëndetin e efektivave të Gardës, pasi asnjë nga viktimat nuk ka sulmuar, kanë qenë pa armë dhe protestues të thjeshtë.
Vlen për t’u theksuar fakti se asnjë person nuk është vrarë apo plagosur brenda territorit të Kryeministrisë, çka tregon se përdorimi i armëve të zjarrit në rastin konkret është kryer në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës. Qytetarëve u është marrë jeta në kundërshtim me ligjin, duke shkelur kështu rëndë nenin 2 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Përdorimi i armëve të zjarrit ndaj demonstruesve është kryer në kundërshtim të hapur me nenin 19 dhe 20 të Kodit Penal. Përdorimi i armëve është kryer në kundërshtim me ligjin nr. 8290, datë 24 shkurt 1998 “Për armët e zjarrit”. Neni 2 i këtij ligji përcakton se “përdoret arma e zjarrit për të mbrojtur jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit, me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit ose për të përballuar një rrezik real dhe të çastit që e kërcënon atë, një person tjetër apo pasurinë nga një dëmtim i rëndë i pashmangshëm me mënyra të tjera, me kusht që të mos jetë i provokuar prej tij dhe dëmi i shkaktuar të mos jetë më i madh se dëmi i zmbrapsur”.
Në rastin konkret nuk ka sulm, pasi personat kanë qenë në bulevard dhe nuk po kryenin asnjë veprim të dhunshëm. Nga hetimi rezultoi se nga protestuesit nuk është përdorur armë.
Ky rregull është përcaktuar edhe në ligjin për Gardën e Republikës, neni 25 i të cilit thekson se për të përdorur armën, efektivi i Gardës duhet të respektojë ligjin për armët dhe rregullat e  përdorimit të saj.
Në bazë të ligjit për tubimet, në rast se një tubim po zhvillohet në kundërshtim me ligjin, ai duhet të shpërndahet. Në bazë të nenit 23/2, pas tri thirrjeve për shpërndarje tubimi nuk shpërndahet, me urdhër të oficerit të policisë urdhërohet shpërndarja me forcë e tubimit. Në çdo rast, përdorimi i forcës duhet të jetë në minimum.
Në rastin konkret rezulton se në tubim, në kundërshtim të hapur me ligjin, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të protestuesve, të cilët kanë qenë në rrugë, pa armë. Shpërndarja e tubimit duhej të bëhet nga forcat e specializuara, duke përdorur mjetet përkatëse, pasi detyra e Gardës ishte që të ruante institucionet e rëndësisë së veçantë dhe personalitetet e larta shtetërore.
Nga akti i ekspertimit balistik rezulton se armët e këtyre shtetasve kanë qëlluar në vendin e ngjarjes, pasi gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë fiksuar edhe gëzhojat që janë qitur nga arma e shtetasve Agim Llupo, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli dhe Sadik Çelaj.
Referuar planit të masave të hartuara për të mbikëqyrur dhe evidentuar detyrën dhe veprimet që duhet të kryheshin atë ditë prej efektivave të Gardës, shtetasi Agron Aliaj ka qenë komandanti i njësisë se personave që kanë qëlluar në drejtim të protestuesve. Ky shtetas ka pasur nën komandë Gazmend Ahmetajn, Mark Nikollin dhe Sadik Çelajn, persona të cilët në bazë të aktit të ekspertimit balistik kanë qëlluar me armë zjarri.
Nga këqyrja e datës 29 janar 2011 në pjesën e gardhit të Kryeministrisë, rezulton se në gardhin metalik ka shumë shenja predhash në distancë të ulët nga toka, të cilat tregojnë se është qëlluar me armë në drejtim të turmës. Shenja predhash në distancë të ulët nga toka ka edhe te porta e jashtme nr. 1 e Kryeministrisë. Shenja të qarta predhe janë fiksuar edhe te vendroja afër derës dhe te porta e vogël pranë kësaj dere, ku rezulton se është qëlluar me armë në drejtim të turmës.
Nga aktet provohet tej çdo dyshimi se personi në hetim, shtetasi Ndrea Prendi, ka qëlluar 11 herë në drejtim të turmës me qëllim për të vrarë personat që ndodheshin në turmë me armën “Beretta” me kalibër 9 mm dhe më numër P52796Z, që i përket armatimit të tij personal.
Si pasojë e të shtënave prej tij është vrarë me armë shtetasi Faik Myrtaj dhe u është rrezikuar jeta e shumë personave të tjerë që kanë qenë pranë viktimës dhe në atë pjesë të bulevardit që ndodhet midis portës së Kryeministrisë dhe ndërtesës së UNHCR-së. Një nga predhat e qitura nga personi në hetim ka mbetur në pemën dekorative ndërsa tri të tjerat kanë përfunduar në ndërtesën e UNHCR-së. Për të shmangur zbulimin e këtij fakti, personi në hetim, duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij me tytën e pistoletës së personit në hetim, shtetasit Margarit Kume. Njëkohësisht ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij duke pasur si synim që nëpërmjet dëmtimit të saj të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje ishin qitur nga arma e tij.
Në arritjen e një përfundimi të tillë arrihet duke analizuar në mënyrë logjike gjithë të dhënat e grumbulluara në vendin e ngjarjes dhe përfundimin e arritur nga ekspertët në aktin e ekspertimit nr.3995, datë 16 maj 2011, të Policisë Shkencore Tiranë, si dhe në raportin e ekspertimit të ekzaminimit të ekspertëve amerikanë të përpiluar në datën 5 janar 2012. Faktet e vërtetuara gjatë këtij hetimi renditen dhe analizohen si më poshtë vijon:
Së pari – Në vendin e ngjarjes u gjetën 11 gëzhoja që ishin qitur nga pistoleta me numër P52796Z, në përdorim të personit në hetim, shtetasit Ndrea Prendi. Kjo tregon se personi në hetim, shtetasi Ndrea Prendi, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë me pistoletën me numër P52796Z, që është armatimi i tij personal. Ndërkohë, ky person, gjatë deklarimeve të dhëna prej tij me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ka shpjeguar se jo vetëm që nuk ka qëlluar asnjëherë, por në momentin që ka dëgjuar të shtënat, ai ndodhej brenda më ndërtesë, pasi ishte dëmtuar nga goditja e një pllake guri.
Së dyti – Predha e gjetur në pemën dekorative, predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, e shënuar me Q3, si dhe tri predha të gjetura në zyrat e UNHCR-së janë qitur nga tyta e ndodhur në pistoletën me nr. P52778Z, e cila është armatim personal i shtetasit Margarit Kume.
Së treti- Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk u gjet asnjë gëzhojë e qitur nga pistoleta nr. P52778Z (pistoleta e shtetasit Margarit Kume).
Pra ndodhemi përpara një absurdi, pasi kemi pesë predha që janë qitur nga tyta e një pistolete, ndërkohë që gjilpëra e saj nuk ka goditur asnjë gëzhojë fisheku.
Së katërti – Në majën e predhës së gjetur te viktima Faik Myrtaj dhe në majën e njërës nga predhat e gjetura në zyrën 12 të UNHCR-së dallohej një shenjë hulli me vija paralele që është shkaktuar nga mekanizmi mbushës që ndodhet në trupin (skeletin) e pistoletës nr. P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi).
Që të ndodhë një gjë e tillë, sipas ekspertëve, ka dy shpjegime:
1- Këto predha vijnë nga fishekë që u futën e u nxorën manualisht nga pistoleta nr. P52796Z (pa u bërë qitje) dhe u qitën më pas nga pistoleta me numër P52778Z.
2- Në kohën e qitjes së predhave, tyta e ndodhur aktualisht në pistoletën nr. P52778Z ndodhej në pistoletën nr. P52796Z.
Nga të dhënat e deritanishme, shpjegimi i parë rrëzohet poshtë (shmanget plotësisht) për faktin se pistoleta me nr. P52778Z e shtetasit Margarit Kume nuk ka qitur asnjë fishek të vetëm. Në kushtet kur shpjegimi i parë rrëzohet, është fare e qartë se mundësia e vetme është që tyta e ndodhur aktualisht në pistoletën me nr. P52778Z (pistoleta e shtetasit Margarit Kume), është realisht tyta që i përket pistoletës nr. P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi). Është pikërisht kjo e fundit pistoleta që ka qitur fishekët nga ka ardhur predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, pemën dekorative dhe predhat e gjetura në zyrat e UNHCR-së.
Njëkohësisht, maja e gjilpërës së shulit të pistoletës nr. P52796Z (arma e Ndrea Prendit) ka një defekt të pazakontë që nuk duhet të jetë në përputhje me ndikimin e përdorimit të zakonshëm. Ky defekt shpjegohet me faktin se personi në hetim, Ndrea Prendi, në bashkëpunim me personin në hetim Margarit Kume, njëkohësisht me ndërrimin e tytave të pistoletave kanë dëmtuar mekanikisht gjilpërën e pistoletës me nr. P52796Z (arma e Ndrea Prendit). Duke bërë këtë manipulim, këta dy shtetas kanë dashur të zhdukin çdo provë që lidhte personin në hetim, shtetasin Ndrea Prendi, me krimin e kryer.
Së pesti – Vendet ku janë gjetur predhat (pema dekorative, zyrat e UNHCR-së dhe pozicioni ku ndodhej viktima Faik Myrtaj në momentin kur është qëlluar me armë, tregojnë se qitjet kanë qenë drejt turmës së njerëzve që ndodheshin në bulevard mes portës së Kryeministrisë dhe ndërtesës së UNHCR-së.
Në deklarimet e dhëna para prokurorit si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, Ndrea Prendi thotë se nuk ka qëlluar fare me armë zjarri dhe nuk është dhënë urdhër prej tij apo prej komandantëve të njësive mbështetëse apo njësisë speciale për të qëlluar me armë në drejtim të protestuesve, në një kohë që aktet e ekspertimit tekniko-balistik provojnë se ky shtetas dhe personat e “grupit të zjarrit” kanë qëlluar në drejtim të protestuesve.
Mbështetur në provat e mësipërme dhe duke parë kushtet për caktimin e masave të sigurimit personal, çmojmë se në ngarkim të shtetasit Ndrea Prendi ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, që ndaj tij të caktohet masë sigurimi personal në funksion të hetimit të çështjes pasi ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen dhe vërtetësinë e provës.
Për shkak të rrethanave dhe faktit kriminal, ka rrezik që shtetasi Ndrea Prendi të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet, njëkohësisht ekziston rreziku që ai të largohet nga vendi.
Veprat penale që akuzohet se ka kryer shtetasi Ndrea Prendi paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për to ligji penal parashikon dënim jo më pak se 20 vjet burg. Në këto kushte, çmojmë se çdo masë tjetër sigurimi, veç arrestit me burg, do të ishte e papërshtatshme.

Ndrea Prendi s‘e firmosi fletëdaljen për tërheqjen e armës
Vendimi i Gjykatës: Pse u refuzua arrestimi i komandantit të Gardës

Komandanti i Gardes Ndrea Prendi

TIRANE – Gjykata e Tiranës ka ndryshuar krejt rrjedhën e hetimeve të prokurorisë për çështjen e 21 janarit, duke lënë në arrest shtëpie tre personat për të cilët prokuroria kishte kërkuar arrest me burg. Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, ishte kërkuar të arrestohej dhe të burgosej nga Prokuroria, ndërkohë që gjyqtari i Tiranës, Shkëlqim Mustafa, ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë, duke vendosur arrest shtëpie për kreun e Gardës. Ndërkohë që për dy personat e tjerë të akuzuar, Armando Kasaj dhe Margarit Kume, nuk dihen argumentet me të cilat gjykata rrëzoi kërkesën e prokurorisë për masën arrest me burg, është bërë i ditur motivi me të cilin Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën për caktimin e masë së sigurisë me burg ndaj komandantit të Gardës, Ndrea Prendi. Sipas gjykatësit Shkëlqim Mustafa, “nga ekspertiza e FBI-së ka dalë se predha e gjetur në trupin e Faik Myrtajt ka lënë gjurmë në mekanizmin mbushës të pistoletës nr. P52796Z, si dhe kjo predhë ka gjurmë të viaskave të tytës së pistoletës me numër P52778Z, duke shtruar edhe versionin se mund të jenë shkëmbyer tytat e këtyre pistoletave me nr. P52791 me atë me nr. P52778Z. Prokuroria pretendon se pistoleta nr. P52796Z është pistoleta që ka përdorur personi në hetim Ndrea Prendi. Por, nga aktet e administruara nga prokuroria, deri në këtë fazë të hetimit nuk ka një provë të plotë që të provojë saktësisht se këtë pistoletë, më 21 janar 2011, e ka përdorur personi në hetim”. Sipas gjyqtarit që ka vlerësuar masën e sigurisë, “në regjistrin 34, ku pasqyrohet pajisja me armatim e efektivave të Gardës së Republikës, personi në hetim nuk ka firmosur tërheqjen e kësaj pistolete nga magazina e armatimit (faqe 9 e këtij regjistri). Gjyqtari vëren se pistoleta është armatim personal dhe, sipas tij, nëse ajo do të ishte armatim personal i Ndrea Prendit, siç pretendon pa ndonjë provë prokurori, atëherë kjo armë do të merrej si provë materiale duke iu sekuestruar personit që e kishte në ngarkim dhe përgjigjej për ruajtjen e saj. Sipas gjykatës, në datën 23 mars 2011, pranë Gardës së Republikës janë sekuestruar 8 pistoleta, përfshi dhe atë me numër P52796Z, por pa përmendur se kujt personi i është kapur apo i përket kjo pistoletë. Ky fakt, sipas gjykatës, ka rëndësi të madhe për identifikimin e përgjegjësisë penale në lidhje me personin që ka përdorur armën nga e cila ka dalë predha që ka goditur viktimën Faik Myrtaj.                       tr.so

Prokuroria: Do apelojmë masat e sigurisë
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka deklaruar dje se organi i akuzës nuk është dakord me masat që vendosi Gjykata ndaj tre të akuzuarve të rinj të ngjarjeve të 21 janarit. Kryeprokurorja deklaroi se sapo të marrë vendimet e zbardhura me arsyetimin juridik, menjëherë do të bëjë apelim të vendimit të Shkallës së Parë, duke kërkuar rikthimin në burg të kreut të Gardës dhe dy personave të tjerë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

 

© Panorama.al

Te lidhura