Fatura e dritave do të paguhet me detyrim, ligji e bën titull ekzekutiv

Oct 15, 2011 | 11:22

Ligji për liberalizimin e tregut të energjisë nuk është i vetmi ndryshim që Ministria e Ekonomisë ka propozuar. Për qytetarët dhe operatorët që operojnë në treg, është propozuar një tjetër ndryshim në ligj. Fatura e energjisë do të jetë një titull ekzekutiv, çka e bën të pavlefshëm pezullimin, nëse ka kontestime. Pra thënë qartë, qytetari do ta paguajë atë pavarësisht nëse ka dyshime për mbifaturim dhe më pas, nëse dyshimet e tij do të vërtetohen nga strukturat, ai mund të përfitojnë një rikthim të parave. Në një njoftim për shtyp, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bëri me dije se kthimi i faturës së energjisë në një titull ekzekutiv do ta ndihmojë kompaninë e shpërndarjes dhe kjo është një eksperiencë e testuar më parë. “Si një ndihmesë për operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, si dhe nga eksperienca e fituar nga zbatimi i ligjit për faturat e energjisë elektrike të emetuara nga shoqëria e shpërndarjes së energjisë elektrike, trajtimi si titull ekzekutiv i faturës ka treguar se ajo ka qenë e suksesshme dhe ka rregulluar marrëdhëniet financiare të palëve kontraktuese”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Sakaq, bëhet me dije se faturat si titull ekzekutiv do të funksionojnë për të gjithë operatorët në treg.  Ministria e ka bërë këtë propozim për të ndryshuar ligjin, i cili parashikon që të konsiderohen si tituj ekzekutiv, jo vetëm faturat tatimore për furnizimin me energji elektrike të emetuara nga CEZ Shpërndarje, por edhe ato të emetuara nga operatorët e tjerë për shitjen, blerjen dhe kryerjen e shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike. “Me këtë ndryshim unifikohet trajtimi si titull ekzekutiv i të gjitha faturave për blerjet, shitjet dhe shërbimet që kryhen nga të gjithë operatorët në tregun e energjisë elektrike, si: KESH sh.a., CEZ Shpërndarje, OST dhe operatorëve të tjerë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Liberalizimi i tregut
Pak kohë më parë, Ministria e Ekonomisë bëri me dije se po përgatit ndryshimet e nevojshme ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë. Kjo do të mundësojë që në treg të mos jetë vetëm CEZ Shpërndarje, por të futen edhe operatorë të tjerë të interesuar. Aktualisht, në vend ka një sërë koncesionarësh që prodhojnë energji në hidrocentrale, që mund të jenë operatorë lokalë, ndërkohë është edhe KESH si sh.a.,  që aktualisht është vetëm gjenerues.

© Panorama.al

Te lidhura