
Ish-kreu i PS shprehet hapur për zgjedhjet presidenciale
“Unë dhe oferta ime jemi aty, po gjej partnerët në të dy kampet për integrimin”
Ish-kreu socialist, Fatos Nano, shprehu dje ambicien e tij të vjetër për postin e presidentit të Republikës. Në një intervistë nga Londra për Top-Channel me gazetarin Arben Manaj, Nano u shpreh se përpjekjet e tij po fokusohen në konsolidimin e klimës së re të bashkëpunimit mes palëve, për të bërë të mundur bllokimin e krizave që kanë penguar integrimin e vendit dy vitet e fundit. Me një gjuhë të matur dhe si të një pretendenti për postin e kreut të shtetit, Nano tha në intervistën e tij se po kërkon partnerë nga të dy krahët e politikës, që të bëjë të mundur arritjen e një stabiliteti politik në vend. I pyetur nëse marrëdhëniet e tij me Edi Ramën kanë ndryshuar, ish-kreu i PS kërkon që këto marrëdhënie të mos jenë pjesë e ndonjë reagimi personal, por të një vlerësimi disavjeçar të tij në PS dhe në qeverisjen e vendit. Për këtë ai nuk sheh ndonjë pengesë në rivendosjen e “të gjitha marrëdhënieve që bëjnë të mundur jo vetëm riaktivizimin e vlerave konkurruese të së majtës në Shqipëri, por edhe kontributet e saj kombëtare në bashkëpunim me faktorë të tjerë të moderuar të politikës”. Si një person që i sheh gjërat mbi palët dhe jashtë politikës së ditës, Nano e konsideron bllokimin e statusit të vendit për në BE si përgjegjësi e të dyja palëve politike. “Unë besoj se secila palë e di përgjegjësinë e saj dhe unë jam i bindur që asnjëra nga palët nuk mund ta kryejë vetëm detyrën kombëtare të integrimit”, shprehet Nano në intervistën e tij.
Z.Nano, mirë se vini sërish ekskluzivisht pas disa vitesh në Top-Channel dhe kam përshtypjen se kohët e fundit jeni disi i tërhequr nga politika aktive. Është e vërtetë kjo, apo është thjesht një parapërgatitje ndoshta për një hap tjetër më të madh?
Mirë se ju gjej dhe besoj se ka një domethënie të njohur edhe për publikun që Top-Channel dhe z.Nano takohen në Londër. Më lejoni të them që është e lehtë të jesh i pranishëm në konfliktet e politikës shqiptare. Është e vështirë të tërhiqesh në distancën e duhur për të nxitur palët në konflikt që të qetësohen dhe të gjejnë dhe rivendosin urat e komunikimit. Unë jam në Londër me ftesë të Institutit Europian të Shkollës Ekonomike të Londrës (London School of Economics LSE) për të folur për Shqipërinë, për të paraqitur vendin tim. Është e dobishme që të gjithë, të tërhequr ose jo, ta ndihmojnë Shqipërinë të prezantohet, të njihet, të bëhet tërheqëse dhe të gjejë sa më shumë partnerë në një moment kyç të rrugës së saj drejt Europës së Bashkuar, kur edhe Europa ka problemet e saj.
Zoti Nano, kam përshtypjen se kohët e fundit keni një fjalor disi të kujdesshëm, shumë asnjanës, si një president në pritje. A e keni vendosur, do të kandidoni për postin e presidentit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm?
Unë dhe oferta që ju e shprehët në mënyrën tuaj profesionale, jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane, në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen europiane, për të bërë të kundërtën e asaj që ka ndodhur për fat të keq dy vitet e fundit, kur dhe kampet e majta dhe të djathta të Parlamentit Europian nisën të mbrojnë lojtarët respektivë, anëtarët përkatës të familjeve në debatin dhe konfliktin që solli ngërçin e njohur, që bllokoi dy herë rresht kërkesën e Shqipërisë për t’u futur në rrugën e anëtarësimit të plotë. Dhe jam shumë i vëmendshëm për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshme prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit.
Z.Nano, Shqipëria sërish edhe në samitin e fundit në Bruksel nuk pati ndonjë zhvillim në kuadrin e integrimit në Bashkimin Europian. Kryeministri Berisha thotë se fajin e ka opozita. Ju jeni në të njëjtën mendim me atë që thotë z.Berisha, se fajin më shumë e ka opozita?
Unë besoj se jemi shumë vonë për të gjetur fajin. Unë besoj se secila palë e di përgjegjësinë e saj dhe unë jam i bindur që asnjëra nga palët nuk mund ta kryejë vetëm detyrën kombëtare të integrimit.
Cila ka më shumë faj nga të dyja palët z.Nano?
Ky nuk mund të jetë një terren konkurrimi negativ. Pra, të dyja palët kanë potencialet, eksperiencën, përfaqësuesit e duhur dhe të pazëvendësueshëm. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Pak a shumë, elektorati është i ndarë përgjysmë dhe Shqipëria nuk mund të hyjë me gjysma, as për shkak apo për faj të gjysmës së saj në Europë. Duhet të gjithë të vendosin duart, në formën që edhe fëmijët mbajnë njëri-tjetrin, që Shqipëria të mos humbë në mjedisin e ngarkuar me shumë probleme që ka edhe Bashkimi Europian sot.
Z. Nano, si i keni marrëdhëniet me gjysmën tuaj të familjes suaj politike, me Partinë Socialiste dhe me z.Rama, të përkeqësuara, inekzistente apo irelevante?
Kjo është e njohur, unë nuk mund t’i shtoj ndonjë gjë të veçantë. Nuk bëhet fjalë për një reagim personal, ndaj një investimi shumëvjeçar që është i pranishëm në reformimin dhe në sjelljen e së majtës në qeverisje me rekordet përkatëse dhe në aftësitë konkurruese që ajo ka shfaqur në politikën shqiptare. Besoj se është e mundur që të rivendosen të gjitha marrëdhëniet që bëjnë të mundur jo vetëm riaktivizimin e vlerave konkurruese të së majtës në Shqipëri, por edhe kontributet e saj kombëtare në bashkëpunim me faktorë të tjerë të moderuar të politikës shqiptare, që do të përshpejtonin procesin e integrimit.
Z.Nano, ka shumë njerëz që po e ndjekin këtë intervistë dhe që thonë: përsëri klasa e vjetër politike do të na drejtojë ne, edhe pas 20 vjet e ca pluralizëm?! Ju si do u përgjigjeshit këtyre njerëzve që e kanë këtë lloj shqetësimi, pasi kam përshtypjen dhe ju ndoshta mund të më ndihmoni se besoj se nuk ka ndonjë vend në Europën Lindore, që ata drejtues që e filluan procesin e demokracisë, të vazhdojnë të jenë sot e kësaj dite në pushtet, ose të aspirojnë siç po aspironi edhe ju?
Nuk besoj se kjo mund të trajtohet në mënyrë kinematografike. Madje edhe në produksionet e Hollivudit vlerësohen më shumë aktorët me eksperiencë, të cilët vërtet tërheqin publikun. Besoj se këtë e vendos vota, e vendos një publik i informuar dhe i vëmendshëm ndaj eksperiencës dhe ideve që çojnë vendin përpara. Dhe sidoqoftë, le ta konsiderojmë si një shenjë vitaliteti, që Shqipëria vazhdon të përtërihet, duke siguruar një komunikim jo të keq midis brezave.
Arben Manaj/Top-Channel
© Panorama.al











