Fati i Tiranës, ndahet në 16 kuti

May 13, 2011 | 9:40

Rezultati në Tiranë ndodhet në pikën kritike, ndërsa 16 kuti “të kuqe” do të vendosin fatin e kryebashkiakut të ardhshëm të kryeqytetit.Në ditën 5 të numërimit, kandidati i PD-së, Lulzim Basha, udhëheq me disa qindra vota para kandidatit të PS-së Rama. Dje përfundoi numërimi i votave në Njësinë Nr. 8, Njësinë 11 dhe pas orës 3 të mëngjesit në Njësinë Nr. 9. Kjo Njësi i dha disa dhjetëra vota më shumë avantazh kandidatit Basha, i cili ruajti një avantazh mbi 1 mijë vota deri në orët e pasdites. KZAZ-ja e Njësisë Nr. 5, e cila ka 16 kutitë e votimit, vendosi në orën 2 pas mesnate që numërimi të fillojë në orën 9 të mëngjesit. E gjithë vëmendja e votuesve të kryeqytetit do të zhvendoset tashmë në votë më votë në këto 16 kuti të fundit. Të dyja palët janë shprehur optimistë për rezultatin, kur PD pretendon për ruajtjen e avantazhit deri në fund, ndërsa PS i beson këtij bastioni në kryeqytet. Avancimi i numërimit në ditët e djeshme në njësitë bashkiake Nr. 8, 9 dhe 11 i dha kandidatit Basha një avantazh të konsiderueshëm kur në KQZ ishin të llogaritura 453 kuti, nga 485 që ka e gjithë Tirana. Me përfundimin e këtyre njësive dhe me avancimin gjatë pasdites së numërimit të më se 10 kutive në Njësinë Nr. 5, ngushtoi avantazhin e kandidatit Basha. Nga ana tjetër, Njësia 9 ndau kutitë në favor të dy kandidatëve. Kutia e parafundit shtoi edhe 72 vota plus për kandidatin Basha, ndërsa vijonte numërimi për kutinë e fundit në këtë Njësi në orën 3 pasmesnate. Gjithsesi, Njësia Nr.5, e njohur si bastioni më i fortë në Tiranë, do të “zgjedhë” edhe kryetarin e ardhëm të Bashkisë së Tiranës.
Shifrat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 23:00 tregonin një avantazh mbi 1100 vota në favor të kandidatit Basha, kur në sistemin ishin hedhur 453 kuti, nga 485. Sipas këtyre shifrave, kur për t’u numëruar ishin mbetur vetëm Njësia 5 dhe Njësia Nr. 9, Basha nisi më pas të humbte pikë pas numërimit të kutive në Njësinë Nr., 5 të cilat nxirrni në avantazh kandidatin Rama. Sipas të njëjtave shifrave, në Njësinë Nr. 8, e cila përfundoi dje numërimin e votave, Basha mori 9761 vota, ndërsa Rama 7265 vota. Edhe në Njësinë Nr. 11 që procesi u mbyll dje pasdite, Basha ishte në avantazh kur kishte marrë në këtë Njësi 13 402, ndërsa Rama fitoi 10 720 vota. Ndërkaq, Njësia Nr. 9, e cila përfundoi procesin e numërimit pas orës 3 të mesnatës, kishte një avantazh mbi 470 vota për kandidatin Basha, ndërsa pritej që kutitë e fundit të kishin disa vota më shumë në favor të kandidaturës së tij. Gjithsesi, vëmendja kryesore u përqendruar tej Njësia Nr. 5, e cila zhbllokoi procesionin e numërimit pas ndërhyrjes së ambasadorëve të huaj, të cilët këmbëngulën në përfundimin sa më shpejtë të procesit.
Por gjatë ditës së djeshme nuk munguan problemet apo vonesat në numërim. Kështu në Njësinë Nr. 8 u raportua se komisionerët e PD-së paditën një komisionerë të PS-së, pasi sipas tyre, llogariti edhe 7 vota të pavlefshme në favor të kandidatit Rama. Ndërsa nga ana tjetër, hyrja e një vëzhguesi të ri ka shkaktuar tension në Njësinë Nr. 9.

Rezultatet sipas KQZ

Njësia     Kutitë e    Kutitë e     Vota për    Vota për    Vota për
bashkiake    votimit    numeruara    Ramën    Milloshin    Bashën

Njësia 1    39    39    9913    110    9467
Njësia 2    54    54    15819    171    16082
Njësia 3    32    32    8933    86    8457
Njësia 4    43    43    10860    171    11000
Njësia 5    65    45    13374    83    9793
Njësia 6    51    51    11599    145    10981
Njësia 7    50    50    14049    113    13556
Njësia 8    30    30    7265    69    9761
Njësia 9    41    29    7623    92    8290
Njësia 10     25    25    5702    61    6226
Njësia 11    55    55    10720    184    13402

Total    485    453    115857    1285    117015

Basha: Po pres numërimin

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka dalë sërish dje në një komunikim me mediat, ku ka folur për procesin e numërimit të votave. Ai tha se megjithëse është në avantazh, do të kërkojë të numërohet çdo votë e qytetarëve. “Dua të falënderoj komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit për punën e tyre të palodhur, e cila ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit. Duhet të krenohemi me punën e tyre, që vazhdon të sigurojë një proces përgjithësisht transparent dhe demokratik. Trysnia që vjen në këtë garë të ngushtë nuk duhet të ndërhyjë në detyrën e rëndësishme të numërimit të saktë dhe të ndershëm të çdo vote. Siç e dini, unë kam rimarrë kryesimin e garës, megjithatë, kjo nuk e ndryshon vendosmërinë time për të pritur numërimin e drejtë, transparent, të saktë dhe të pavonesë të çdo vote. Vota e çdo qytetari duhet të numërohet, zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet”, tha Basha.

Rama:Fitorja, e ngushtë

Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh kandidati për Bashkinë e Tiranës Edi Rama deklaroi dje se fitorja e tij në Tiranë do të jetë e ngushtë. Në prezantimin e kandidatit fitues së Bashkisë së Shijakut, Rama tha se fitoren e PS-së në Tiranë nuk e luan as Topi. “Fitoren tonë nuk e luan topi. Këtë herë do kemi një rezultat të ngushtë, por është fitorja më e bukur në radhën e 4 fitoreve të radhës, pasi është fitorja e qytetarëve”, ka deklaruar Rama. Rama kërkoi që Policia e Shtetit të mos përfshihet në proces dhe i kërkoi asaj të mos bëhet palë në proces. “I siguroj qytetarët se vota për mua është përgjegjësi dhe privilegj. Jemi të shqetësuar për orvatjen që po bëhet në numërimin e votave në kryeqytet. Përshëndes fitoren e PS”, tha ai. Gjithashtu, Rama ka prezantuar kryetarin e ri të bashkisë së Krumës, i cili nga ana e tij ka garantuar se do ta menaxhojë këtë zonë me përgjegjësi.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura