Dërgohet i pandehur në gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve noteri i kryeqytetit, Nezir Murati.Burime nga organi i akuzës në kryeqytet pohojnë se noteri Neriz Murati është dërguar së fundi i pandehur në gjykatë me akuzën se ka legalizuar në mënyrë të paligjshme procedura për shitjen e tokave me disa bashkëpronarë. Noteri në fjalë, sipas prokurorisë, ka legalizuar kontrata shitjesh të hartuara nga një pjesë e pronarëve pa dijeninë e pjesës tjetër të zotëruesve të pronave, të cilët kanë pasur të drejtën që të vendosnin edhe ata për pjesën e tyre të pasurisë. Burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se dosja penale, e dërguar tashmë në gjykatë ndaj noterit, bën fjalë për shitjen e dy ngastrave të tokës në periferi të Tiranës. Episodi i abuzimit mësohet se ka ndodhur në vitin 2007, por vitin e fundit është anuluar dhe më pas është denoncuar në Prokurorinë e kryeqytetit. Hetimet e Njësisë Task-Force Antikorrupsion tregojnë se në vitin 2007, noteri i dyshuar Nazir Murati, sipas prokurorisë, ka plotësuar kontrata shitblerjeje për dy prona që nuk zotëroheshin nga një person i vetëm. Secila pronë, sipas prokurorisë, zotërohej përkatësisht nga dy dhe tre persona, të cilët duhej të kishin qenë prezentë në momentin e shitjes së tokës. Prokuroria, nga hetimet e saj, ka gjetur se noteri në fjalë, në fakt, ka vepruar me njërin pronar në rastin e pronës së parë dhe me dy pronarët në rastin e dytë, duke plotësuar dokumente false sikur të pranishëm ishin të gjithë pronarët. Kjo është bërë për t’u dhënë vlerë kontratave dhe dokumenteve ligjore, të cilat, sipas ligjit, bëhen të pavlefshme nëse vendimi për pronën nuk është marrë me pëlqimin e gjithë zotëruesve të saj. Pasi ka provuar këto dy raste, Prokuroria e Tiranës ka vendosur dërgimin si të pandehur në gjykatë të noterit Nezir Murati. Organi i akuzës pohon se prej vitesh atij i është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit, pasi është dënuar edhe disa herë të tjera më parë për vepra të tilla penale, si falsifikim apo shpërdorim i detyrës. tr.so
Ndeshkimi
Më parë, më 30 prill 2005, emri i Nezir Muratit ka dalë në listën e Ministrisë së Drejtësisë, duke u përfshirë në numrin e noterëve të cilëve u është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit. Vendimi ndëshkues i Ministrisë së Drejtësisë është marrë pikërisht bazuar në ankesat dhe denoncimet e bëra në lidhje me punën e noterit në fjalë. Pas analizimit dhe verifikimit të shkeljeve të kryera, Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterëve kanë vendosur heqjen e licencës së Nezir Muratit.
Implikimi
Disa vite më parë, noteri Nezir Murati u përmend në një çështje që kishte të bënte me biznesmenin grek, Jorgo Vuvaqis. Çështja e aktiviteteve të këtij biznesmeni u bë publike në Shqipëri pas denoncimit në Prokurorinë e Tiranës të abuzimeve që dyshohej se ishin kryer nga strukturat dhe punonjësit shtetërorë në raport me aktivitetet e shtetasit grek. Në komisionin hetimor parlamentar që u ngrit më pas për veprimtarinë e ish-prokurorit të Përgjithshëm, u kërkua që noteri Nezir Murati të paraqitej për të dhënë shpjegime mbi një vendim të gjyqtares Zeqine Sollaku lidhur me këtë çështje.
© Panorama.al











