
Më keq se kaq nuk mund të shkojë: futbolli shqiptar renditet në vend të 50-të në Europë, për sa i përket lojës “fair-play”. Renditja është bërë nga UEFA dhe rezulton në ndershmërinë dhe lojën e pastër që skuadrat e secilit shtet, nga 53 federatat që përbëjnë institucionin më të lartë të futbollit në kontinentin tonë, kanë bërë gjatë vitit të shkuar. Në parim janë marrë për bazë procesverbalet që kanë bërë më së shumti vëzhguesit e ndryshëm të UEFA-s. Këta të fundit kanë vërejtur jo vetëm qëndrimin e tifozëve, por edhe të lojtarëve në fushë ndaj homologëve të tyre. Futbolli shqiptar ka luajtur (ekipe kombëtare dhe klube) 37 ndeshje ndërkombëtare vitin e kaluar duke mbledhur 7.36 pikë, shumë pak po ta krahasosh me vendet e tjera. Në renditje Shqipëria ka lënë pas vetëm tri shtete: Litenshtejnin, San Marinon dhe Andorën. Ndërkohë në vend të parë është Norvegjia dhe pas saj Finlanda dhe Holanda. Dhjetëshja e parë përbëhet, me radhë, nga: Islanda, Spanja, Suedia, Gjermania, Franca, Anglia dhe Danimarka. Më pas, renditja vazhdon me Uellsin (11), Zvicrën (12), Irlandën (13), Skocinë (14), Maltën (15), Belgjikën (16), Serbinë (17), Armeninë (18), Çekinë (19), Hungarinë (20), Azerbajxhanin (21), Ishjut Faroe (22), Poloninë (23), Portugalinë (24), Italinë (25), Kroacinë (26), Austrinë (27), Rusinë (28), Ukrainën (29), Estoninë (30), Qipron (31), Bosnjën (32), Kazakistanin (33), Bjellorusinë (34), Slloveninë (35), Gjeorgjinë (36), Malin e Zi (37), Irlandën e Veriut (38), Sllovakinë (39), Greqinë (40), Moldavinë (41), Bullgarinë (42), Letoninë (43), Izraelin (44), Lituaninë (45), Rumaninë (46), Maqedoninë (47), Turqinë (48) dhe Luksemburgun (49).











