Shtëpia Botuese “Leda”, pjesë e Grupit Editorial “Corint”, në Bukuresht, këto ditë nxori nga shtypi librin “Berisha dhe Shqipëria demokratike” të shkrimtarit dhe gazetarit Fahri Balliu. Libri është përkthyer në gjuhën rumune nga Tiberius Puiu. Është libri i katërt që publicisti Fahri Balliu boton në Bukuresht, pas “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” (shtëpia botuese “Humanitas”), “Panteoni i zi” dhe “Arkitekti” (“Vremea”). I redaktuar nga Antonia Kacsó, botimi në rumanisht shoqërohet nga një parathënie e autorit Fahri Balliu, një parathënie nga shkrimtari dhe eseisti rumun me origjinë armene, Bedros Horasangian, si dhe nga shënimet e përkthyesit të librit, Tiberius Puiu. “Kemi tani në dorë një libër për Shqipërinë e ditëve tona. Shqipëria ka një histori të përbashkët si të popujve të tjerë të Ballkanit. As më të mirë, as më të keqe. Fatkeqësia e fundit (e madhe) në kokën e Shqipërisë dhe shqiptarëve – nga e cila u përjashtua Turqia dhe Greqia – ka qenë diktatura komuniste, e cila e çoi vendin dhe popullin shqiptar në sakrifica të mëdha, përtej ligjërimit zyrtar dhe propagandës të pabesueshme për dekada me radhë. Vendosja e komunizmit, pas Luftës së Dytë Botërore, diktatura e tipit stalinist, në variantin maoist, e izoluan Shqipërinë për vite me radhë nga pjesa tjetër e Europës. Kështu që fitorja në zgjedhjet e lira të 22 marsit 1992 e opozitës demokratike në Shqipëri, i dhanë një drejtim tjetër historisë së këtij populli. Dr. Sali Berisha, një mjek me prestigj, i paankoruar me sistemin e vjetër, me mekanizmat e pushtetit, arrin President i Shqipërisë. Ky politikan, kryetar i Partisë Demokratike, ia del mbanë të ndryshojë rrjedhën e historisë shqiptare moderne, për këtë gjë është fjala në këtë libër”, shprehet Bedros Horasangian. Ky libër është botuar për herë të parë para 15 vjetësh dhe është ribotuar disa herë në Shqipëri. Nuk është fjala për një monografi të mirëfilltë dedikuar një personaliteti politik, por për një panoramë të gjerë të shqetësimeve të shoqërisë shqiptare në dhjetëvjeçarin e parë pas rënies së komunistëve nga pushteti, në Shqipëri. Sipas Horasangian “Autori i librit, Fahri Balliu, gazetar me përvojë, drejtues shtypi, politolog i aftë dhe me një stazh në diplomaci, na bën një radiografi të shoqërisë shqiptare të viteve të para pas ’90-s”. Për përkthyesin dhe analistin e njohur politik, Tiberius Puiu, ky është një libër i rëndësishëm për të gjithë ata që duan të kuptojnë atë çfarë ka ndodhur vërtet me Shqipërinë e para dhe pas viteve 90-të. “Ky libër, i cili tregon momente të rëndësishme të ndarjes nga komunizmi në Shqipëri, i ofron lexuesit rumun një mundësi për të shqyrtuar edhe evoluimin e Rumanisë pas vitit 1989. Sepse, edhe pse pak e dinë këtë, komunizmi rumun ishte i afërt me komunizmin shqiptar, sidomos në vitet e fundit. Diktatori i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëditur, vetizolimi i vendit, ekzagjerimi i “kështjellës së pamposhtur”, ekzagjerimi i ndjenjës nacionaliste, ndërsa e vërteta është se komunistët kanë qenë tradhtarët më të mëdhenj të interesave të vendit, këto janë vetëm disa nga karakteristikat e dy regjimeve komuniste. Fakti që në Rumaninë e Çausheskut nuk kanë ndodhur ekzekutimet e Shqipërisë, nuk përbën një ndryshim thelbësor, sidomos për vitet e fundit, të cilat treguan një afrim gjithnjë e më të madh në drejtimet politike të Rumanisë dhe të Shqipërisë”, shkruan Tiberius Puiu, teksa shton se ky libër do të plotësojë zbrazëtinë, që ekziston në opinionin publik rumun për Shqipërinë.











