Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e cilësoi gjobën e vendosur ndaj kompanisë së mediave sociale X të Elon Musk nga rregullatorët e teknologjisë së Bashkimit Evropian ” si një gjobë të keqe” , teksa tha se nuk e kupton se si BE mund ta justifikojë këtë veprim.
X u gjobit me 120 milionë euro (140 milionë dollarë) nga rregullatorët e teknologjisë së BE-së javën e kaluar për shkelje të rregullave të përmbajtjes online.
“Evropa po shkon në disa drejtime të këqija”, u tha Trump gazetarëve në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, raporton Reuters.
“Nuk e kuptoj se si mund ta bëjnë këtë”, tha Trump. Ai tha se Musk nuk e kishte telefonuar për të kërkuar ndihmë për këtë çështje.
“Evropa duhet të jetë shumë e kujdesshme”, shtoi ai.
Javën e kaluar, Musk hodhi poshtë ndëshkimin në platformën e tij, duke u përgjigjur “Gabim” nën një postim në Komisionin Evropian ku njoftohej gjoba dhe duke ripostuar mesazhe që kritikonin vendimin.
“Liria e fjalës është themeli i demokracisë. E vetmja mënyrë për të ditur për çfarë po voton”, shkroi ai.
Komisioni Evropian e gjobiti shërbimin online të Elon Musk-ut me 120 milionë euro për mungesë transparence në reklama dhe llogaritë e përdoruesve.
“Detyra jonë është që të sigurojmë që legjislacioni ynë digjital të zbatohet”, theksoi Komisionerja e BE-së për Çështjet Digjitale, Henna Virkkunen, në Bruksel. Kjo është gjoba e parë e vendosur nga Komisioni sipas Ligjit të BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA).
Llogari të rreme përdoruesish me pagesë, reklama të paqarta
Autoritetet e Brukselit nisën hetimin kundër X në dhjetor 2023.
Ndër të tjera Brukseli akuzon platformën X për përdorimin e shenjës së bardhë e blu për llogari përdoruesish me pagesë për të sugjeruar në mënyrë të rreme se këto llogari janë autentike dhe të verifikuara. Komisioni i BE-së gjithashtu kritikon faktin se nuk është gjithmonë e qartë se kush qëndron pas reklamave.
Hetimi zbuloi gjithashtu se X nuk u dha studiuesve qasje në të dhënat publike në përputhje me rregulloret e DSA-së.
BE-ja po zhvillon hetime të mëtejshme kundër shërbimit online X të Musk-ut. Këto hetime përqendrohen ndër të tjera në mënyrën se si X lufton shpërndarjen e përmbajtjeve të paligjshme dhe manipulimin e informacionit.
© Panorama.al












