Zgjatje e afateve të borxhit dhe ulje e interesave. Kjo pritet të jetë paketa e re e “shpëtimit” të eurozonës. Pas 9 orë bisedimesh, Gjermania e Franca, dy lokomotivat ekonomike të BE, kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e problemeve të financimit të borxhit të disa vendeve të BE. Sipas alaistëve, pritet që vendeve, si Greqia, Portugalia dhe Irlanda, t’u ofrohen para me afate shlyerjeje nga 7.5 deri në 15 vite. Kjo do të sillte edhe uljen e normave të interesit të kredive në 3.5 për qind, nga rreth 4.5 për qind që janë aktualisht. Por gjithçka është arritur nga bashkëpunimi dhe rënia dakord e dy vendeve më të mëdha, që do të përballojnë edhe krizën e këtyre borxheve. Sipas “DW”, Gjermania e Franca pak orë para samitit të krerëve të shteteve e qeverive të eurozonës kanë gjetur një pozicion të përbashkët për krizën e borxheve në rastin e Greqisë. Uniteti gjermano-francez bëhet i rëndësishëm për krizën. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy janë këshilluar në Berlin për krizën në Greqi e vende të tjera edhe me presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet. Rezultati i këtij takimi do t’i paraqitet presidentëve dhe kryeministrave të tjerë.
Suksesi i samitit
Samiti i BE-së arriti një sukses të konsiderueshëm të enjten. Përmes ofrimit të interesit më të ulët bankar, si edhe zgjatjes së afatit të kredive emergjente, shtetet e eurozonës mënjanojnë një krizë më të rrezikshme. Sipas “DW” bëhet fjalë për ndryshim strategjie në Bruksel. Pas javësh debati, përfaqësues nga BE dhe eurozona nuk e cilësojnë më si tabu ristrukturimin e borxheve greke, në rast falimentimi. Ky hap do ta lehtësonte Greqinë, por sjell me vete rrezikun e turbulencave në tregjet financiare. Gjithashtu, vendet e eurozonës janë gati t’i lehtësojnë shtetet në krizë në këtë zonë, përmes kredive emergjente. Kështu thuhet në vendimet përfundimtare të samitit të posaçëm të BE-së për krizën e borxheve në Bruksel, gati për publikim. Ndërkohë, për shpëtimin e Greqisë, vendet e eurozonës po shkojnë drejt një pakete të re ndihme me pjesëmarrjen për herë të parë të bankave dhe siguracioneve. Gjermania ka arritur të fusë në projektin e paketës 120-miliardëshe linjën e kërkuar prej saj, u shprehën diplomatët në Bruksel. Berlini kërkoi që paketat e ardhshme të shpëtimit të mos rëndojnë më mbi taksapaguesit, por në to të përfshihen kreditorë privatë. Merkel u shpreh optimiste, se pas ujdisë me Francën do të arrihet akord për një paketë të re shpëtimi. Por, Finlanda dhe Holanda kërkojnë më shumë përfshirje të sektorit privat në paketën e shpëtimit.











